Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti këtë të hënë në Kryesinë e Kuvendit delegacionin e Komisionit për Politikën e Jashtme të Parlamentit suedez, në një takim të fokusuar te integrimi europian, bashkëpunimi parlamentar dhe siguria rajonale.

Gjatë takimit, Peleshi vlerësoi marrëdhëniet politike mes Shqipërisë dhe Suedisë, të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta demokratike dhe mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë për rrugën europiane të Shqipërisë. Ai theksoi rëndësinë e diplomacisë parlamentare dhe bashkëpunimit intensiv mes Kuvendit dhe Riksdagut suedez për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe procesit të integrimit europian.

Peleshi shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e Suedisë ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa nënvizoi se hapja e grup-kapitujve të negociatave përfaqëson një fazë të re në marrëdhëniet me BE-në. Peleshi rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për të përmbushur reformat dhe për të avancuar drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.

Në fokus të bisedimeve ishte edhe bashkëpunimi në kuadër të NATO-s, siguria rajonale dhe angazhimi i dy vendeve në misionet ndërkombëtare për forcimin e sigurisë euroatlantike. Peleshi vlerësoi gjithashtu rolin e Suedisë si një prej partnerëve më të rëndësishëm zhvillimorë të Shqipërisë, veçanërisht në mbështetjen për reformën në drejtësi, qeverisjen e mirë dhe forcimin e institucioneve demokratike.

Nga ana e delegacionit suedez u vlerësua progresi i Shqipërisë në procesin e integrimit europian, angazhimi në politikën e jashtme të përbashkët të BE-së dhe roli konstruktiv i vendit në rajon.