Suksesi i doktor Gliozhenit
1000 bebe In Vitro që nga 2004

Suksesi i doktor Gliozhenit<br />1000 bebe In Vitro që nga 2004
Ishte viti 2004 kur në atëhershmen “Gazeta Shqiptare” publikuam lajmin e bukur për shumë çifte: Doktor Orion Gliozheni kishte realizuar lindjen e fëmijëve të parë “In-Vitro”, duke kurorëzuar një punë të gjatë në klinikën e tij. Sot nuk është çudi që mjekë të njohur në Europë t’u thonë çifteve shqiptare se “në Shqipëri keni një mjek shumë të mirë në këtë fushë” dhe në të vërtetë janë bërë shumë hapa përpara. Në Tiranë sot vijnë dhe shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia për të realizuar me sukses ëndrrën e të pasurit fëmijë. Doktor Gliozheni tregon në këtë intervistë për Shqiptarja.com se si ka ecur në këto vite ky mision, për profesionalizmin dhe etikën që kërkohet në këtë shkencë të rëndësishme të riprodhimit, por flet dhe për tema të tjera të rëndësishme të shëndetësisë, si harmonizimi nën shembullin e vendeve evropiane i shërbimit shëndetësor privat, me atë publik.
Doktor Gliozheni, u bënë tashmë gati 8 vjet që kur 14 çiftet e para shqiptare realizuan ëndrrën për të pasur një bebe, përmes fekondimit In-Vitro, kryer nga ju në vitin 2004, në klinikën tuaj. Cili është bilanci sot?
Sot numrohen rreth 1000 fëmijë të lindur nëpërmjet këtyre teknikave dhe përvec lumturisë së tejskajeshme që u ka falur këtyre familjeve ardhja në jetë e një fëmije “të pamundur më parë”, ky fakt është sigurisht një kënaqësi shumë e madhe edhe për ne, pasi është fryt i një pune sa të lodhëshme e të vështirë, aq edhe të bukur e të larmishme.
Të bëhesh prind është pa dyshim eksperienca më e rëndësishme, më e bukur, por edhe më ekzaltuese në jetën e një cifti. Sigurisht që në themel të saj qëndron lindja e një fëmije të shëndetshëm dhe për këtë kerkohet kujdes e përgjegjshmëri në cdo hap të punës tonë.
Keni qenë gjithnjë në avangardë të të rejave shkencore në fushën e obstetrike-gjinekologjise. Si është zhvilluar në këto vite, në Shqipëri, procesi i fekondimit In Vitro?
Pas vështirësive e pengesave në hapat e para, por me këmbënguljen dhe dëshirën për të vazhduar përpara, me kalimin e viteve ne kemi pasur një progres të vazhdueshëm, i cili është manifestuar jo vetëm në kualitetin e shërbimit, por edhe në rezultatet shumë të mira që ne kemi, rezultate këto të njëjta me ato të klinikave më të përparuara në botë. Kjo i detyrohet sigurisht profesionalizmit, seriozitetit dhe korrektësisë në punën tonë, teknologjisë së avancuar që disponojmë dhe azhurnimit me të rejat më të fundit në këtë fushë, me qëllimin për të ecur me ritmin e kohës.
Sot në Shqipëri janë hapur edhe klinika të tjera të cilat e ofrojnë këtë shërbim dhe kjo është krejt normale e flet për progres e interes në këtë fushë. Ajo që është shumë e rëndësishme është që këto teknika nuk duhen parë si një aktivitet biznesi, pasi këtu kemi të bëjmë me jetë njerëzore. Realizimi me sukses i tyre kërkon formimin profesional përkatës, teknologjinë e duhur, ambjentet e përshtatshme dhe një seriozitet rigoroz. Pa plotësuar këto kushte jo vetëm që rezultatet janë mediokre, por edhe mundësia për gabime është e madhe, me pasoja të rrezikshme shëndetsore. I takon Ministrisë së Shëndetësisë të kontrollojë këto struktura, për të aplikuar normat që sugjeron komuniteti europian në standartet që duhet të plotësojë një qendër e fekondimit të asistuar.
Puna e përditëshme ju mban në kontakt me shëndetin e nënave shqiptare. A ka probleme serioze lidhur me këtë? Si është tendenca statistikore sa i takon lindshmërisë në vend?
Sigurisht që ndryshimet demografike, stili i ndryshëm i jetës në vendin tonë, krahasuar me vitet para ardhjes së demokracisë, ka sjellë edhe problematika shëndetsore të reja në fushën e shëndetit riprodhues. Nëse më parë një problem shumë serioz për vendin tonë ishte aborti klandestin, si rezultat i të cilit sëmundshmëria dhe vdekshmëria amtare ishin shumë të larta, sot ky problem nuk qëndron më, pasi aborti është i lirë. Por sot multipartneriteti, emigracioni, lëvizjet e popullsisë, kanë sjellë një rritje të ndjeshme të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, shtim të rasteve me HIV-AIDS dhe për pasojë edhe kancerit te qafës së mitrës.
Nga ana tjeter, gratë sot lindin më pak fëmijë se më parë dhe kanë mundësi të përdorin metoda kontraceptive. Aborti është i lirë gjithashtu. Një pjesë e madhe e popullatës në moshë riprodhuese është larguar në emigracion. Të gjithë këta faktorë kanë sjellë një përgjysmim të numrit të lindjeve në Shqipëri. Nga rreth 70 000 lindje të gjalla në vit, që ishin në Vitet 1990 kanë arritur në rreth 35 000 në vitin 2010.
Mediat e huaja, veçanërisht ajo italiane, shkruajnë për çifte nga vendi fqinj, që zgjedhin Shqipërinë për të bërë realitet ëndrrën e të pasurit një bebe. A ka realisht të huaj që vijnë në Tiranë për këtë dhe përse zgjedhin Shqipërinë?
Nuk besoj se kjo është një praktikë evidente. Mund të ketë raste sporadike, pasi Italia ka një ligj restriktiv, i cili nuk lejon kryerjen e disa teknikave të fekondimit të asistuar. Në këto kushte, një pjesë e cifteve italiane, që nuk gjejnë dot zgjidhje në Itali, detyrohen të shkojnë për të gjetur një zgjidhje të problemeve të tyre jashtë Italisë. Disa prej tyre dhe kryesisht ato cifte ku njëri prej partnerëve është shqiptar, kanë preferuar të vijnë në Shqipëri për të kryer këto teknika. Nga ana tjetër ka mjaft çifte kosovare dhe shqiptarë nga Maqedonia, që vijnë në Tiranë për të zgjidhur këto probleme.
Në këto vitet e fundit, sektori privat kryesisht ka një zhvillim të madh, me hapjen e disa spitaleve dhe klinikave të huaja. A mund të na jepni një mendim rreth situatës së shërbimit Shëndetësor në Shqipëri? A janë krijuar kushtet që një grua shqiptare të mos ikë jashtë shtetit, sidomos për t’u kuruar në rast të një shtatzënie të vështirë apo të një sëmundjeje serioze që lidhet me organet riprodhuese?
Zhvillimi i sektorit privat ështe shumë i rëndësishëm për sistemin shëndetsor të vendit tonë, pasi nga njëra anë ndihmon dhe lehtëson sistemin publik, i cili është i mbingarkuar dhe nga ana tjetër krijon mundësitë e përdorimit të teknologjisë së avancuar, që shpesh mungon në strukturat publike. Sot janë krijuar spitale private të standarteve bashkëkohore edhe në vendin tonë. Problem mbetet zgjidhja e sistemit të sigurimeve shëndetsore, në mënyrë që këto spitale të mos i shërbejnë vetëm një pjese të popullatës e cila mund ta paguajë shërbimin privat, por t’i shërbejnë popullatës me një nivel ekonomik mesatar, e cila mund të paguajë nga xhepi një pjesë të shpenzimeve dhe pjesa tjetër do të rimbursohet nga sigurimet. Kështu është modeli funksional i harmonizimit të sistemit shendetësor privat me atë publik në vendet e zhvilluara.
Përsa i përket kushteve që ofron sistemi shëndetësor publik dhe ai privat në Shqipëri, unë mendoj se aktualisht janë të gjitha mundësitë për të diagnostikuar dhe trajtuar si duhet, cdo patologji obstetrikale ose gjinekologjike edhe në vendin tonë.


  • Sondazhi i ditës:

    Arrestohet Beqaj, po i përmbush SPAK pritshmëritë në luftën e korrupsionit?



×

Lajmi i fundit

Fitorja e parë që prej 2021, Hamilton ia del përballë Verstappen në Çmimin e madh të Anglisë

Fitorja e parë që prej 2021, Hamilton ia del përballë Verstappen në Çmimin e madh të Anglisë