Sot do të zhvillohet finalja e kampionatit Europian të futbollit Spanjë-Itali. Ndeshja pritet që të ndiqet nga miliona njerëz në mbarë botën, nuk bën përjashtim këtu edhe Shqipëria, një vend që spikat për interesin e lartë të tifozëve. Por çfarë note meriton ky kompeticion prestigjoz, protagonistët dhe finalistët e këtij Europiani? Këtyre, por edhe shumë pyetjeve të tjera ju përgjigjet Sulejman Demollari, një prej legjendave të futbollit shqiptar. Demollari është një nga njerëzit në këtë vend që nuk mjaftojnë fjalët për të përshkruar të githa arritjet në aspektin personal, por edhe me dy Dinamot e tij dhe kombëtaren. Në optikën e specialistit të futbollit finalja është në ekuilibër të plotë, ndërsa kompeticioni meriton vlerësim maksimal për nga mënyra e organizmit shprehet profesori, ashtu sikur e thërrasin të gjithë, teksa në momentin e intervistës e gjejmë në përkujdesje të djalit të tij, Dario,i cili vazhdon rrugën e të atit në futboll, por si portierë.

Z. Demollari cili është inpresioni juaj për këtë edicion të kampionatit Europian të futbollit?
Pa as më të voglin dyshim mendoj që ky ka qënë kampionati Europian më i bukur që është zhvilluar. Në të gjitha aspektet niveli ka qënë në rritje në krahasim me edicionet e kaluara. Personalisht më ka lënë një shije të mirë dhe do ta vlerësoja me nota maksimale.

A janë realizuar pritshmëritë tuaja për ekipet pretendente?
Spanja ishte e qartë që do të ishte një prej finalisteve të Kievit, ndërsa finalistja tjetër mund të ishte edhe Anglia të cilën e vlerësoj për kampionatin më të mitë në botë, pa harruar këtu Gjermaninë.

Kush ka spikatuar më shumë grupi apo individualiteti?
Në optikën time nuk ka pasur një futbollist që është cilësuar për paraqitjen e tij si lider në fushë, grupi ka qënë ai që ka bërë diferencën. Mund të veçoj Iniestën për performancën, por të ndërthurur me grupin, ndërsa Ronaldo nuk ishte në lartësinë e duhur, Mesi vazhdon të jetë në majën e Olimpit.
Kanë përfunduar 30 ndeshje, cilën do të spikasnit si më interesanten?
Në fakt, për hir të së vërtetës të gjitha ndeshjet kanë qënë mjaft interesante sepse ka qënë e vështirë që të përcaktoje fituesin pa vërshëllimën e fundit të arbitrit. Kjo e ka bërë më të bukur gjithçka duke ngjallur interes të plotë.

Cila ka qënë surpriza në këto finale të Europinait?
Sigurisht që do të thoja Hollanda, e cila u largua shumë shpejt në mënyrë të papritur. Askush nuk e kishte menduar një gjë të tillë më përpara, të gjithë e kishin kuotuar midis favoriteve për të fituar trofeun.

Sipas jush çfarë shkoi keq që nuk funksionoi Hollanda?
Futbollistët kryesorë të ekipit të Hollandës vinin në këto finale në një gjendje aspak të mirë. Shnajder, Roben, Van Bomel por edhe dy - tre elementë në mbrojtje kishin kaluar më parë një sezon me shumë probleme që kulmuan me ekipin përfaqësues.

Kualifikimi i Greqisë në çerekfinale ishte surprizë për ju?
Për ata që e njohin mirë historinë e kompeticioneve Europiane, sigurisht që nuk ka qënë surprizë sepse gjithçka është e mundur deri në minutën e fundit. Greqia ishte shembulli konkret që shfrytëzoi fijen e fundit të shpresës për t'u kualifikuar.

Për të ardhur në gjysmëfinale, e merituan katër ekipet?
Besoj se po, pasi treguan superioritet në fushë përballë kundërshtarëve. Italia ishte surpriza sepse vinte pas problemeve të 'Calcipolit'. Kurse Spanja, Gjermani dhe Portugalia e kanë merituar gjysmëfinalen.

Ndalemi te finalja e madhe Spanjë-Itali, cilin ekipi shikoni favorit?
Spanja dhe Italia kanë ardhur në finale me meritë të plotë, iberikët dihej që do të ishte e vështitë t'i thyeje, sakaq Italia ka qënë surpriza. "Axurrët" më kanë habitur me stilin e lojës përballë Anglisë dhe Gjermanisë. Trajneri Prandeli ka bërë një punë të mrekullueshme, falë tij Italia është në finale. Sot shanset për të fituar janë të barabata për të dy ekipet, por cilido që të jetë e ka merituar plotësisht.

A mendoni që Del Boske do të zbresë në fushë me një sulmues të mirëfilltë?
Nuk besoj sepse mendoj që do t'i qëndrroj stoik deri në fund ideve të tij, pavarsisht kritikave Bel Boske nuk e ka pasur të lehtë të zbresë në fushë me një sulmues të mirëfilltë, kur nuk e ka pasur një të tillë në gjendje. Mungesa e Vilës është ndjerë, ndërsa Torres nuk është në formën më të mirë fizike. Arma më r fortë e Spanjës është mesfusha dhe pres të bëjë diferencën.

Në mbyllje të intervistës, për cilin ekip bëni tifo?
Pas kombëtares, Dinamos së Tiranës dhe asaj të Bukureshtit, Spanja është e preferuara ime për stilin e lojës. Sot pres të shijoj një finale me shumë emocione, pasi janë dy nga ekipet më të mira në botë.

Intervista u botua sot ne Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)