Përmbledhja mban titullin “Sllavët myslimanë në Ballkan: gjuha, kultura, identiteti”. Është botuar nga Instituti i Sllavistikës i Akademisë së Shkencave të Rusisë dhe ka 310 faqe.
Ndër 12 shkrimet, artikulli në fjalë titullohet Homo slavicus dhe homo balcanicus – probleme të identitetit në epokën e globalizimit (gjendja në Kosovë). Lexuesi ynë le të mos çmeritet as nga togfjalëshat latinisht, as nga globalizimi, sepse janë vetëm marifete për t’u dukur shkencore kjo paçavure antishqiptare prej 17 faqesh.
Autorja është bullgare: Krasimira Koleva. Që në rreshtat e parë ajo na e quan popullsinë e Kosovës të përzier nga ana etnike dhe këtu nuk jep asnjë mbështetje për një pohim të tillë. Por andej nga fundi është ngatërruar dhe i ka shpëtuar që, gjithnjë sipas asaj, në Kosovë 92 për qind janë shqiptarë. Edhe me një numër të tillë, po të marrim shifrat e një botimi enciklopedik të Oksfordit në fillim të shekullit XXI, në Bullgari ishin 85 për qind bullgarë etnikë, në Francë francezët ishin 86,5 për qind, në Federatën Ruse ishin rusë vetëm 82 për qind, në Ukrainën e shkretë vetëm 73 për qind e kështu me radhë. Çfarë kuptoka ajo me popullsi të përzier?
Por kësaj bullgareje i duhej ta niste kështu, që të vijonte më tej për ta shtrembëruar si përbërjen, edhe ndarjen etnografike. Rrjedhimisht, edhe Prizreni e Prishtina qenkan me popullsi të përzier. Gora e Kosovës e paska qendrën në Dragash dhe përfshika mikroarealin e Zhupës me qendrën në Prizren, si dhe Podgorien. Që ta kuptojnë shqiptarët, që nënkuptohet se sipas asaj nuk merrkan erë nga këto punë, me fjalë të tjera kjo do të thotë se Lidhja e Prizrenit na qenka themeluar në një mikrorajon të Zhupës. Gora sot qenka e ndarë mes tre shteteve: në Kosovë me 18 fshatra, në Shqipëri 8 në rrethin e Kukësit dhe dy në Maqedoni.
Për banorët ka përdorur emërtimet: goranë, torbeshë, poturnakë, shopë, sllavomaqedonas të islamizuar dhe zhupcë. (Është detyrë e studiuesve tanë t’i ndriçojnë këto emërtime, sepse edhe në botimet enciklopedike ose në fjalorët gjuhësorë ne nuk i përfshijmë dhe e lëmë fushën të lirë të spekulojë kushdo si i vjen për hosh). Për goranët (që u quajtën të tillë edhe në Kushtetutën e Kosovës më 2008) pohon se janë shiitë dhe shqiptarët i thërrasin torbeshë, ndërsa zhupët vetëm gjatë shtegtimeve të brendshme kanë mësuar shqipen e folur.
Autorja është mbështetur gjerësisht në burimet serbe, të cilat dihet se çfarë propagandonin, dhe ka zhvarrosur gjithë sajimet e tyre të një shekulli e gjysmë më parë. Por duke ardhur në ditët e sotme autorja me keqardhje përmend, se pas Luftës II Botërore shteti bullgar hoqi dorë nga tokat bullgare perëndimore dhe jug-perëndimore, madje edhe nga sfera e ndikimit politik. E quaj për detyrë t’ia freskoj kujtesën kësaj gruaje, se gjatë Luftës II Botërore, për fatin e keq të popullit bullgar, Bullgaria u rreshtua me nazifashistët dhe u katandis në vendet e mundura.
Dhe vendet e mundura pas një lufte botërore duhet të paguajnë, madje është fare pak vetëm t’u priten kthetrat për sfera të ndikimit politik. Fryn në këto faqe era e Bullgarisë së Madhe. Nuk është ndonjë gjë e re dhe e papritur. Ca vite të shkuara bullgarët u detyruan prej trysnisë së jashtme të tërhiqnin nga qarkullimi një enciklopedi të tyren pikërisht sepse përshkohej nga kjo frymë.
Duke ardhur tashti te konflikti në Kosovë, kjo palo studiuese nuk flet asgjë për tragjedinë e popullit të Kosovës, por vetëm vë në dukje se në anën e UÇK-së morën pjesë vahabistë (një sekt problematik për fundamentalizmin e tij), ndërsa bashkësia myslimane nuk na qenka distancuar, përkundrazi, pati procese intensive të klerikalizimit. Gjithandej në këto faqe kundërmon gjithashtu edhe era e përçarjes fetare.
Por ka edhe më. Autorja shkon deri aty, sa të deklarojë se identiteti shqiptar shfaqet jo nëpërmjet shenjave konfesionale dhe gjuhës, por nëpërmjet . . . lindshmërisë. Këtu në vend të shkencës kemi politikë lakuriqe me sfond racist.
Nuk është parë dhe as është dëgjuar ndonjëherë në sociologjinë dhe antropologjinë botërore, që identiteti etnik u përcaktoka nga pjelljet. Mund ta kem gabim, por do të shtoj diçkla lidhur me këtë. K. Koleva është pedagoge e Universitetit të Shumenit në Bullgarinë veri-lindore. Në atë krahinë ka një pakicë turke, kundrejt së cilës edhe sot qëndrimi nuk është aspak në përputhje me standardet e Bashkimit Europian, ku bën pjesë Bullgaria. Me sa duket, atje qenka ushqyer me këto përçudnime raciste mbi baza etnike dhe fetare.
Por ka edhe më. Gjendja e sotme në këto vise të Kosovës sipas saj është rezultat i regjimit totalitar dhe nacionalizmit në ish Jugosllavinë, si dhe . . . i kontrollit, që po vazhdon nga ana e NATO-s dhe e OKB-së. Ajo ankohet edhe kundër “Rrugës së Kombit” Prizren-Durrës, e cila “siguron daljen e Kosovës në Detin Adriatik dhe është një enklavë ekonomike, që i jep një shtysë tjetër shqiptarizimit të Gorës, ndërsa shoqërohet me uljen e tolerancës.”
Tashti nuk mund ta marrim seriozisht dikë, që na dalka edhe kundër OKB-së dhe prandaj vetëm mund të qeshim, kur ajo qahet edhe për humbjen e elementëve të kulturës materiale e të zejeve tradicionale. Dhe e dini se çfarë janë këto zeje kaq karakteristike e tradicionale? Janë: djathi i Sharrit, byrekët, boza, hallva, qebapët, të gjitha dikur “marka tregtare” e brezave të tërë.
E po që dikush të mos e dijë, se hallva, byrekët, qebapët e më the të thashë nuk kanë qenë jo vetëm kudo nëpër Ballkan, po edhe në gjithë Perandorinë Osmane, kjo është të vësh duart në kokë për nivelin e njohurive të dikushit për këtë fushë, në të cilën qenka studiuese.
Por ka edhe më, pak durim, sepse nuk mund ta mbyll pa sjellë edhe një citim si qershia mbi tortë: “Nëpërmjet firmave të Hashim Thaçit dhe të Agim Çekut enklava e Gorës po shndërrohet nga një enklavë kulturore në ekonomike me mjetet ekonomike tipike për rajonin – me drogat dhe me trafiqet e paligjshme”. Këtu mua më mbarojnë edhe kritikat brenda kufijve të mirësjelljes, përndryshe do të më duhet ta prish gojën e të shkruaj gjëra që nuk i mban letra.
Ndërkaq, përsëri nuk ma merrte mendja se edhe një tjetër bullgare notoka po në të njëjtat ujëra. Veselka Tonçeva në shkrimin Këngë tradicionale nga krahina e Gollobordës: variante nga Shqipëria lindore, edhe kjo e nis me një anë politike: vë në dukje se marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë me Bullgarinë u vendosën më 1914. Bukur, unë këtë nuk e dija, por nuk po shqit dot se çfarë lidhjeje ka kjo me këngët e dasmës. Ndërkaq marr vesh gjithashtu, se marrëdhëniet e Bullgarisë me Gollobordën u ndërprenë pas vitit 1945.
Nuk besoj se ka nevojë të përsëris ato që sapo shpreha më sipër, sepse pas vitit 1945 do të thotë pas Luftës II Botërore. Këto në gjuhësi quhen eufemizma, domethënë për të mos e emërtuar atë që është në të vërtetë. Pas vitit 1990 nisën ekspeditat bullgare. Përsëri këtu do të më lejohet të shpreh pakënaqësinë time për etnologët shqiptarë, sepse nga vëllime të tilla marrim vesh sesa shumë ekspedita po bëhen nga studiues sllavë për sllavët nëpër viset shqiptare, kurse nga ana jonë as e vëmë këtë ujë në zjarr.
Po shënoj kalimthi vetëm kaq: studiuesi rus M. M. Makarcev nga Moska ka botuar në këtë pëmbledhje punimin Gjuha e sllavëve të Elbasanit. Shtrimi i çështjes, në të cilin mes të tjerash vëren se në Elbasan më 1448 erdhën 15 familje nga Shkupi në Elbasan, kurse më 1930 këtu kishte 100 bullgarë myslimanë dhe 10 ortodoksë. Kurse ne, me keqardhje të madhe e vë në dukje, nuk studiojmë milionat shqiptarëve që po derdhen gjithandej nëpër botë.
Do të them dy fjalë edhe për Veselkën, që do të thotë gaztore. Ajo e mohon kategorikisht se në Gollobordë ka pasur ndonjë ndikim të kulturës tradicionale shqiptare dhe të traditës muzikore shqiptare. Arsyeja na qenka se Golloborda i paska kthyer kurrizin Shqipërisë dhe u orientua nga Lindja (përsëri një eufemizëm: domethënë nga Bullgaria!), meqë mezi ka 100 vjet që bën pjesë në Shqipëri. Me demek gjatë sundimit osman Golloborda paska qenë buzë Detit të Zi.
Por edhe kjo autore del si tjetra ose me kujtesë të shkurtër, ose me dobësi për aritmetikën që nga shkolla fillore. Ajo merret gjatë me një këngë dasme, e cila më kujtoi vargun e parë të këngës sonë “Berberi që rruan mbrenë”. Afëritë folklorike mes popujve të Ballkanit janë diçka gjerësisht e njohur dhe e pranuar. Por autorja na thotë se këtë këngë të ngjashme e ka gjetur te një botim i Miladinovit i vitit 1861 nga Përlepi, te A. Dozoni më 1879 dhe te V. Ikonomovi nga Dibra, të botuar më 1893.
Sikur më duket që të gjitha këto data janë një çikë më shumë sesa 100 vjet më parë. Gjithsesi, e quaj të nevojshme që studiuesit tanë të interesohen për librat e V. Tonçevës, doktore në filologji në Institutin e Etnologjisë dhe Folkloristikës në Sofje, e cila ka bërë ekspedita edhe në Gorë e në Prespën e Vogël, ka botuar “Bullgarët nga Golloborda, Shqipëri. Traditat, muzika, identiteti”, Sofje, 2009; “Gora e panjohur”, 2012, dhe ka hartuar librin “Bullgarët në Gollobordë, Shqipëri. Gjuha, zakonet, muzika.”, 2011.
Duke lexuar këto materiale m’u kujtua se mjaft vjet më parë në një konferencë shkencore në Gjermani pati edhe një diskutim për gjendjen në Ballkan. Aty dëgjova një gjuhëtare të njohur bullgare, e cila foli pikërisht kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. E quajta një lajthitje dhe e pata harruar, sepse në ndërgjegjen time janë të rrënjosura të tjera gjëra. Që në janar 1867 iluministi i madh bullgar, P. Sllavejkovi kishte përshëndetur abetaret shqipe, përhapjen e ideve iluministe dhe punën për bashkimin kulturor të shqiptarëve.
Në fund të shekullit XIX Sofja u bë vatër miqësore për rilindësit tanë, për botimet dhe gazetarinë. Nga shekulli i kaluar po përmend vetëm emrat e Bojka Sokollovës, që ka dhënë ndihmesë të paçmuar edhe me bibliografitë, ose historianin Strashimir Dimitrov dhe përkthyesen e veçantë Marina Marinova. Nga ky shekull i ri po kujtoj vetëm Ludmill Stankovin, i cili ka botuar më 2009 një libër të gjerë prej 530 faqesh “Gjuha shqipe”, duke shkruar me kompetencë dhe dashamirësi. Si shpjegohen atëhere gjëmat e mësipërme?
Është e qartë se midis studiuesve bullgarë ka edhe një rrymë, për të cilën më e pakta është të thuash se nuk po ecën sipas prirjeve të sotme europiane. Vërehet se jo vetëm ndër disa përfaqësues të atij vendi, por edhe të disa vendevë të tjera, ka një ringjallje të ëndrrave mesjetare për perandoritë e përmbysura nga historia, ose edhe një nostalgji për gjendjen para Luftës II Botërore me frymë fashiste. Rrjedhinmisht, dukuria duhet parë në një kuadër më të gjerë.
Vëmendja ndaj Europës Jug-lindore është shfaqur prej më shumë se dy shekujsh nga ana e fuqive të mëdha për arsye gjeo-strategjike. Vetë emërtimi “Ballkani” ose vendet ballkanike nuk është përdorur nga popujt e kësaj treve, por nga perandoritë e interesuara për të. Rrjedhimisht, edhe studimet ballkanike, madje edhe nocioni i ‘lidhjes gjuhësore ballkanike’ janë përpunuar brenda kornizës së këtij interesi gjeo-politik. Ballkanistika ka ndjekur ngritjet dhe uljet e atij interesi, madje do ta quaja jo të pafrytshme, që të bëhej një krahasim me trajtimin dërrmues që i ka bërë “orientalistikës’ Eduard Saidi.
Ndërkaq, në shek. XXI kanë ndodhur ndryshime të gjera, sidomos me përfshirjen e disa vendeve në Bashkimin Europian. Për pasojë, nga njëra anë, ka rënë edhe vëmendja ndaj ballkanistikës te disa qarqe europiane me traditë në këtë fushë. Por njëkohësisht vërehet një rizgjim i politikave të përpunuara para Luftës I Botërore nga Gjermania dhe Turqia, ndërsa gjeopolitika e Bashkimit Sovjetik dhe sot e Federatës Ruse ka pasur vazhdimësi. Me këtë shpjegohet përse edhe studimet ballkanistike ruse nuk kanë njohur ndonjë rënie të thellë.
Brenda kësaj kornize kanë gjetur vendin e tyre edhe studimet albanistike. Dëshmia më e mirë janë mbledhjet shkencore dhe botimet e ndryshme të dhjetëvjeçarëve të fundit. Mjafton të citoj përmbledhjet e vëllimshme Studia Linguistica et Balcanica botuar në vitin 2001 në Sankt-Peterburg, kushtuar kujtimit të shkencëtares së njohur dhe albanologes A. V. Desnickajës (1912-1992). Nuk mund të mos përmend se prej L. N.
Kaminskajës aty njoftohet se është zbuluar një dorëshkrim i pabotuar për fonetikën e shqipes. Në seminarin e drejtuar prej M. A. Matuseviçit në Katedrën e fonetikës është studiuar shqiptimi i shqipes, duke u mbështetur te regjistrimet e zërit të D. Agollit, Kokomanit dhe Mëzezit, studentë atë kohë në Leningrad.
A nuk do tështe interesante t’i dëgjonim edhe ne ata zëra tashmë të largët? Etnologu A. Novik na kumton, se “Veshje shqiptare të periudhës së sundimit osman në Ballkan gjenden në muzetë e Sankt-Peterburgut”, në Koleksionin e Kunstkamerës prej vitit 1898 dhe në Muzeun etnografik; në këtë të dytin kryesisht nga dhurata prej Shqipërie për diktatorin J. V. Stalin. Më 2012 ka dalë edhe një vëllim tjetër po me atë titull, Studia Linguistica et Balcanica, sërish kushtuar A. V. Desnickajës, duke përfshirë edhe mjaft kunmtesa të autorëve shqiptarë.
Është për të ardhur keq që një institut akademik studimesh shkencore ka lejuar të përfshihen në botimet e tij shkrime të atilla, të ndotura nga ana politike. Pavarësisht prej kësaj, është e nevojshme që studiuesit tanë të njihen me botimet e ndryshme edhe kur nuk u përmbahen standardeve shkencore, për të qenë të informuar se çfarë qarkullon dhe kështu të përpunojnë qëndrimet e tyre, duke mos u shkëputur nga dija botërore ose duke mos i mbyllur sytë përpara propagandës nën petkun shkencor, e cila meriton përgjigje me argumente dhe jo me falsifikime.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18Tetor 2015
Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)