Agjensia për Media dhe informim ka reaguar në lidhje me betejën kibernetike që po zhvillohet mes ekspertëve të IT të AKSHI dhe partnerëve kundër sulmit kibernetik të në gjitha portalet qveritare.
MIA bën të ditur se kundërofensiva ndaj sulmeve po ecën me ritme të shpejta dhe disa shërbime janë rikthyer në normalitet. Bëhet fjalë për:
- – Drejtorinë e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit rrugor me sistemin e lejeve të drejtimit dhe sistemin e targave;
- – Drejtorinë të Përgjithshme të Doganave;
- – Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor me sistemin e recetës elektronike;
- – Agjencinë Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore me sistemin e barnave.
'Pas një pune të jashtëzakonshme, prej 96 orësh papushim, nga ekipi i inxhiniereve dhe ekspertëve IT të AKSHI-t, ndihmës së skuadrës së Microsoft DART (Detection and Response Team) dhe partnerëve të “Jones Group International”, po kthehemi në normalitet.
Faqet zyrtare të ministrive dhe sistemi i Fiskalizimit janë rikthyer në funksion të plotë brenda 12 orësh.
Që prej ditës së djeshme është kthyer në funksion të plotë:
- – Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit rrugor me sistemin e lejeve të drejtimit dhe sistemin e targave;
- – Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;
- – Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor me sistemin e recetës elektronike;
- – Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore me sistemin e barnave.
Po punohet me intensitet për kthimin një e nga një të të gjitha shërbimeve që ofrohen në e-albania dhe rikthimin në funksionalitet të plotë të sistemeve të tjera.
Ndjekja e protokolleve të reagimit ndaj sulmeve kibernetike, izolimi i menjëhershëm i infrastrukturave dhe sistemeve qeveritare, që në momentet e para, bëri që sistemet qeveritare të dalin të paprekura.
Kjo rezultoi kundërpërgjigjia e duhur ndaj këtij sulmi masiv të pandodhur kurrë më parë ndaj vendit tonë.
Falenderojmë çdo qytetar, biznes, punonjës administrate, shtetas të huaj në Republikën e Shqipërisë, për durimin dhe mirëkuptimin në përballjen me këtë armik kibernetik të përbashkët.
Siguria kibernetike dhe ofrimi i shërbimeve publike online ka qenë dhe do të mbetet prioriteti ynë.'- thuhet në reagimin e plotë.
Kujtojmë se shërbimet publike online dhe faqet qeveritare janë mbyllur përkohësisht për shkak të një sulmi kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë. Burime për Report Tv bënë me dije se ka dyshime që sulmi mund të jetë rus. Kjo vjen pas sanksioneve që ka vendosur Shqipëria ndaj Rusisë dhe qëndrimin që mban për luftën në Ukrainë.