Në të gjithë vendin, është rritur vigjilenca në pikat kufitare, pas sulmeve terroriste në Bruksel.

Në pikën kufitare të Muriqanit, kontrollet bëhen të detajuara me qen kufiri anti-eksploziv.

Pas urdhrit të posaçëm të drejtorisë së kufirit dhe migracionit, është bërë e mundur që drejtuesit e kësaj pike kalimi të hartojnë një sërë masash të detajuara. Policia e Shtetit përballë rrezikut të sulmeve terroriste e ka listuar Shqipërinë tek vendet me gatishmëri të lartë.

Në pikën kufitare të Muriqanit, kqyrja e dokumentacionit bëhet në detaje. Kështu në hyrje të pikës kufitare, policia kontrollon të gjitha automjetet që futen në Shqipëri, sidomos të shtetasve evropian të cilët janë me kombësi nga vendet e lindjes.

Çdo informacion për përsonat e dyshuar që mund të kenë lidhje me vendet e lindjes përpunohet nga shërbimi informative dhe anasjelltas nga homologët malazez.
Ndërkohë, efektivët e policisë malazeze dhe ata shqiptare vëzhgojnë së bashku brezin e gjelbërt. Shërbimet policore janë vendosur përgjatë ambienteve publike dhe në akset kryesore rrugore, si Shkodër-Muriqan, Han i Hotit.

Shtim kontrollesh ka edhe në pikën doganore të Hanit të Hotit ku kryesisht kalojnë kamionët.

Redaksia Online