Në Ditën Ndërkombëtare për t'i Dhënë Fund Mosndëshkueshmërisë së Krimeve ndaj Gazetarëve, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ngre shqetësimet për kërcënimet, intimidimet, sulmet dhe presionet me të cilat gazetarët përballen në ushtrimin e profesionit.

Rreziku që AGSH evidenton është kërcënimi ndaj lirisë së medias dhe demokracisë se sulme të tilla janë pa pasoja.

Thirrja mbetet për drejtësinë dhe autoritetet që të hetojnë në mënyrë të shpejtë, të pavarur dhe transparente sulmet, të identifikojnë autorin dhe t’i vendosin para ligjit. Njëkohësisht, institucionet duhet të reagojnë ndaj çdo sulmi dhe të krijojnë kushte të sigurta që gazetarët të punojnë pa frikë.

Gjithashtu, Asociacioni kujton në këtë ditë edhe gazetarët që kanë humbur jetën për shkak të detyrës.

Deklarata e plotë:

2 Nëntor – Dita Ndërkombëtare për t'i Dhënë Fund Mosndëshkueshmërisë së Krimeve ndaj Gazetarëve

Çdo sulm i pandëshkuar ndaj një gazetari është një kërcënim për lirinë e medias dhe demokracinë.

Në Ditën Ndërkombëtare për t'i Dhënë Fund Mosndëshkueshmërisë së Krimeve ndaj Gazetarëve, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) rikujton se siguria e gazetarëve dhe ndëshkimi i autorëve të dhunës ndaj tyre janë detyrime themelore të një shteti demokratik.

Gazetarët në Shqipëri vijojnë të përballen me kërcënime, intimidime, dhunë fizike dhe verbale, presione politike e ekonomike, si dhe pengesa gjatë ushtrimit të profesionit. Mungesa e hetimeve efektive dhe e llogaridhënies për këto raste krijon një klimë pasigurie dhe rrezikon të normalizojë sulmet ndaj medias.

Mosndëshkueshmëria nuk është vetëm mungesë drejtësie për një gazetar. Ajo është një mesazh i rrezikshëm se dhuna, kërcënimi dhe censura mund të vazhdojnë pa pasoja.

AGSH u bën thirrje institucioneve të drejtësisë dhe autoriteteve shtetërore të garantojnë hetime të shpejta, të pavarura dhe transparente për çdo sulm ndaj gazetarëve, identifikimin e autorëve dhe vendosjen e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Institucionet kanë detyrimin jo vetëm të reagojnë pas sulmeve, por edhe të krijojnë një mjedis të sigurt ku gazetarët mund të punojnë të lirë, pa frikën e hakmarrjes, kërcënimeve apo presioneve.

Në këtë ditë, AGSH nderon kujtimin e të gjithë gazetarëve që kanë humbur jetën për shkak të detyrës dhe shpreh solidaritetin me çdo gazetar që është përballur me dhunë, kërcënime apo përndjekje për shkak të punës së tij.

Liria e medias nuk mund të garantohet aty ku dhuna ndaj gazetarëve mbetet e pandëshkuar.

Drejtësia për gazetarët është drejtësi për të drejtën e publikut për t'u informuar.

T'i japim fund mosndëshkueshmërisë!