Ka diçka paradoksale në marrëdhënien që sistemi i drejtësisë po ndërton me median.
Kur gazetarët kërkojnë të bëjnë punën e tyre, vendosen kufizime, rregulla dhe barriera. Kur vetë gjyqtarët dhe prokurorët kanë një shqetësim për të bërë publik, atëherë media rikthehet menjëherë në rolin e saj të domosdoshëm. Pra, si ura përmes së cilës kërkohet ushtrohet presion mbi institucionet e tjera.
Ky kontrast u bë edhe më i dukshëm sot. Ndërkohë që Gjykata e Posaçme nisi zbatimin e një rregulloreje që kufizon ndjeshëm mënyrën se si gazetarët mund të ushtrojnë detyrën brenda institucionit, shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve iu drejtuan pikërisht medias për të ngritur një shqetësim të tyre: bllokimin e pagave të muajit gusht.
Përmes një deklarate të përbashkët, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata e Gjyqtarëve dhe Shoqata Kombëtare e Prokurorëve ngritën alarmin se pagat e magjistratëve, funksionarëve të drejtësisë dhe personelit të administratës gjyqësore e të prokurorisë nuk po ekzekutohen.
Sipas tyre, bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe vendimmarrjet e KLGJ-së dhe KLP-së për përcaktimin e pagës referuese, pagat e reja duhet të zbatoheshin duke nisur nga 1 gushti.
Shoqatat e konsiderojnë situatën serioze dhe argumentojnë se ajo prek funksionimin normal të sistemit të drejtësisë, sigurinë financiare të magjistratëve dhe efektivitetin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese. Për këtë arsye kërkojnë edhe ndërhyrjen e Ministrisë së Financave.
Dhe është plotësisht legjitime që gjyqtarët dhe prokurorët të mbrojnë të drejtat e tyre. Është po aq legjitime që ata t’i drejtohen medias për ta bërë publik shqetësimin.
Problemi nis pikërisht këtu: Sepse e njëjta media, së cilës sot i kërkohet të përcjellë zërin e magjistratëve, po përballet me një rregullore të Gjykatës së Posaçme që vendos pengesa konkrete në punën e saj.
Gazetarët nuk lejohen të mbajnë celularët brenda gjykatës. Për të ndjekur seanca që në parim janë publike, u kërkohet të paraqesin kërkesa me shkrim. Ndërkohë, numri i gazetarëve që mund të ndjekin një proces mund të përcaktohet nga kryesuesi i seancës.
Pra, nga njëra anë media kërkohet kur duhet të bëhet publike një padrejtësi që pretendohet se i bëhet ‘xhepit’ të magjistratëve. Nga ana tjetër, kur media kërkon transparencë nga vetë sistemi, përballet me dyer gjithnjë e më të ngushta.
Deri tani, asnjë prej shoqatave që ngriti zërin për pagat nuk ka shfaqur të njëjtin shqetësim publik për kufizimet ndaj gazetarëve. Dhe këtu çështja nuk është nëse gjyqtarët duhet apo jo t’i marrin pagat që u takojnë. Natyrisht që një shtet ligjor duhet të zbatojë vendimet e institucioneve të tij dhe të garantojë të drejtat financiare të çdo funksionari.
Por çështja është morale dhe lidhet me standardin. Nëse transparenca, liria e medias dhe e drejta e publikut për t’u informuar janë vlera të rëndësishme vetëm atëherë kur media duhet të mbrojë interesat e sistemit të drejtësisë, atëherë kemi një problem.
Media nuk mund të konsiderohet partnere kur duhet të publikojë deklaratat e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe problematike kur kërkon të raportojë mbi seancat gjyqësore.
Një drejtësi që kërkon mbështetjen e opinionit publik duhet të jetë e para që garanton transparencën ndaj tij. Dhe gazetarët janë një nga rrugët kryesore përmes së cilës publiku sheh se çfarë ndodh brenda sallave.
Prandaj, ndoshta përpara se t’i kërkojnë medias të bëhet zëri i shqetësimeve të tyre, shoqatat e magjistratëve duhet të pyesin edhe veten nëse do të jenë po aq të zëshme kur është media ajo që kërkon të mbrojë të drejtën për të bërë punën e saj. Sepse liria dhe të drejtat nuk funksionojnë me turne!












Komente
Komento