Sali Berisha nuk pati një mea-kulpa.
24 orë pasi Bashkimi Evropian dhe ambasadorët i quajtën të papranueshme shigjetimet e kreut të demokratëve ndaj ambasadorit Silvio Gonzato, ai insistoi se akuzat për lobimin e pretenduar pro Ramës dhe kundër opozitës në Bruksel, i ka të vërtetuara:
"Çdo gjë që kam thënë e ka patur dhe e kam të bazuar të paktën në 2 ose më shumë burime. Unë kam respektin më të madh dhe simpatinë më të madhe për Komisionin Europian, për ambasadorët, për përfaqësuesit e vendeve anëtare, por në një mënyrë absolute nuk mund të ndalem të denoncoj atë që është e padrejtë",- tha Berisha.
Berisha iu përgjigj edhe kryeministrit Edi Rama që tha sot në konferencë për mediat se PD kërkon të bllokojë integrimin. Për kryedemokratin, integrimin e pengon korrupsioni, ndërsa opozita po bën punën e vet.
"Rrugën për në BE ia mbyllin Shqipërisë ata që mbrojnë vjedhjet e qytetarëve shqiptarë. Ata janë faktorët që pengojnë dhe vështirësojnë integrimin e Shqipërisë në BE",- tha Berisha.
Berisha doli në konferencë për të treguar se mediat ndërkombëtare i dhanë jehonë protestës së 8 majit, masive sipas tij. Por, kur Report Tv e vuri para faktit që protesta e disa ditëve më parë, ishte me pjesëmarrje ndër më të ulëtat, kryedemokrati pranoi se nevojitet organizim më i mirë:
Gazetarja Danjela Maloku: Më lindi pyetja teksa ju po prezantonit në fakt imazhe dhe lajme nga media ndërkombëtare. Unë vetë personalisht nuk kam pasur nevojë t’i shoh nga mediat ndërkombëtare sepse ndjek çdo protestë tuajën dhe jam aty në vetë të parë, e përjetoj protestën, shifrat, etj. Edhe pse në mendimin tim personal kjo protestë kishte shifra shumë të ulëta pjesëmarrësish, por ky është vetëm vendimi im personal, a mendoni se demokratët duhet të bëjnë më shumë për sa i takon frymëzimit që duhet të sjellin tek shqiptarët këto protesta? Fjala bie, në të gjitha protestat që kam ndjekur të PD, nuk shoh deputetët që të jenë me familjarët e tyre në protesta, që të jenë me fëmijët për dore mbase. Pra a duhet të punojë pak më tepër edhe në këtë këndvështrim PD?
Sali Berisha: Plotësisht dakord. Jo vetëm me deputetët, por në tërësi PD ose organizatorët e protestës duhet të bëjnë punë më të studiuar e asaj mase të madhe njerëzish që janë aty. Tani, kjo është protestë paqësore. Në qoftë se ne, ndryshojmë këtë protestë nga paqësore në një formë tjetër, të garantoj se ajo masë njerëzish nuk mund të përballohet nga asnjë polici. Është e faktuar ajo. Në qoftë se ne do t’u bënim thirrje atyre, që në protesta të vini me çdo mjet, nuk ka polici që përballon dot një protestë qoftë dhe 4-5 mijë qytetarësh. Jo, është e njohur kjo. Por ne kemi qenë, jemi dhe do jemi për protestë paqësore. Shiko, e teta ishte kjo, asnjë polic të dëmtuar, asnjë polic të plagosur. Ka një numër të konsiderueshëm protestuesish të dëmtuar dhe deputetësh të goditur dhe dëmtuar.
Komente











