Sulmet ndaj Kaçes, reagon PDIU:
Rasti po përdoret nga ekstremistët

Sulmet ndaj Kaçes, reagon PDIU:<br />Rasti po përdoret nga ekstremistët
TIRANË - Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar për lojtarin shqiptar, Ergys Kaçe dhe sulmet që po i bëhen atij në në Greqi. Në deklaratën e PDIU, thuhet se, Kaçe është shembull për rininë, për sportistët shqiptarë të talentuar në vendin fqinjë dhe për këtë arsye, Greqia duhet të injorojë sirenat e pjesëve të caktuara të shoqërisë së saj që duan ta mbajnë në Lindje.

“Mediat kanë njoftuar për ngritjen e një fushate presioni, denigrimi në shoqërinë e vendit fqinjë, prej aktorësh të ndryshëm politikë dhe socialë ndaj futbollistit të kombëtares shqiptare të futbollit, Ergys Kaçe. Ato po kulmojnë dhe me masa administrative të vetë klubit ku ky lojtar i talentuar ka dhënë kontributin e vet”, shkruan në deklaratën e saj, PDIU.

Sipas kësaj partie, kjo fushatë është dëshmi e prapambetjes së madhe të shoqërisë së vendit fqinjë, shoqëri e cila ka mbetur peng e aleancave të vjetra. “Sipas mentalitetit dominues mbështetës të këtyre aleancave, dikush që vishet me simbolet e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, aleatit kryesor të NATO-s, në luftën kundër Serbisë së Milosheviçit, cënoka ndjeshmërinë e popullit grek, ndërkohë që Greqia është vetë anëtare e NATO-s. UÇK-ja nuk ka sulmuar dhe nuk ka kryer ndonjë akt dhune ndaj Greqisë, që të mund ta kuptonim këtë egërsi ndaj lojtarit të madh Ergys Kaçe”, shkruhet në deklaratën e bërë publike nga PDIU.

Kjo e fundit thotë se, “ne s’do të shqetësoheshim nga kjo shfaqje paradoksale e paradoksit që vetë shkrimtarë grekë e kanë quajtur Greqinë, “gruaja e perëndimit dhe dashnorja e Lindjes”. Problemi më i madh është se ky rast mund të shfrytëzohet për të krijuar fushata dhune kundër emigrantëve tanë që jetojnë dhe punojnë ndershmërisht në vendin fqinjë, nëpërmjet skuadroneve fashiste të Agimit të Artë”.

“Ergys Kaçe, mbase nuk ka qenë i vetëdijshëm për pasojat e veshjes së një bluze me simbolet e UÇK-së, por ama ai vetë është shndërruar në simbol të thirrjes së gjakut të të parëve, për respektin ndaj ndjenjës kombëtare. Ergys Kaçe është shembulli për t’u ndjekur nga të rinj bashkëkombasit tanë  në Greqi, nga sportistë të talentuar dhe për këtë ai meriton gjithë nderimin dhe mirënjohjen tonë. Europa është e madhe dhe ka vend për talentin e tij, nëse Greqia do ta largonte duke dëgjuar zërat e sirenave që duan ta mbajnë prapa, që duan ta mbajnë gjithmonë në Lindje”, përfundon deklarata e PDIU-së, në lidhje me sulmet që po i bëhen lojtarit të kombëtares shqiptare, Ergys Kaçe.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Diplomacia, a ka ndryshuar imazhi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare?



×

Lajmi i fundit

Gol në debutim i Rrahmanit, Sparta e 4 shqiptarëve siguron grupet e Champions League! Jashtë Galatasaray

Gol në debutim i Rrahmanit, Sparta e 4 shqiptarëve siguron grupet e Champions League! Jashtë Galatasaray