Sulmet ndaj Kadaresë e “Dasmës”
ja kush qëndron pas Bilal Xhaferrit

Sulmet ndaj Kadaresë e “Dasmës”<br />ja kush qëndron pas Bilal Xhaferrit
Dokumenti,pjesa e dytë.. Pse Myftiu përmend emrat e Vebi Skënderit, Dilaver Radeshit, Dhimitër Pilikës.... “Është logjike, Bilal Xhaferin, djalin e të pushkatuarit, nuk e preokupon fati i letërsisë së realizmit socialist, por diçka tjetër...”

Cilat ishin arsyet që e shtynë Bilal Xhaferrin të merrte pjesë në diskutimin e romanit Dasma Të Ismail Kadaresë, në Lidhjen e shkrimtarëve me 8 prill 1968? Debatet rreth kësaj çeshtje, qasjet e ndryshme, analizat, kujtimet dhe dëshmitë, edhe pse sjellin diçka te re sa herë trajtohen në media, ende nuk e kanë plotësuar dhe zgjidhur enigmën. Dokumenti që po ju sjellim lexuesve, pjesën e parë, të të cilit e botuam dje në Shqiptarja.com zbardh qëndrimin dhe analizën e kësaj ngjarje nga një prej emrave më të rëndësishëm të regjimit, Manush Myftiut sekretarit të parë të Komitetit të Partisë, Tiranë.

Myftiu njofton që në fillim të dokumentit se diskutimet e ashpra rreth romanit “Dasma” ishin të papritura e të paparashikuara. Pasi trajton një varg çështjesh në raportin e tij informativ për Komitetin Qendror të PPSH-së, rreth disa ngjarjeve shqetësuese në Lidhjen e Shkrimtarëve, Manush Myftiu, trajton gjerësisht në fund të këtij dokumenti, rastin e romanit “Dasma” dhe diskutimin e Bilal Xhaferrit. Myftiu analizon dhe kërkon të zbërthejë se kush mund të fshihej pas atij diskutimi, kush e kishte shtyrë Bilal Xhaferrin të shkonte atë ditë në Lidhjen e Shkrimtarëve, cilët ishin miqtë e tij që mund ta kenë cytur?

Në këtë pjesë të dokumentit Manyush Myftiu zbulon disa emra: “Vitin e kaluar, kur Komiteti i Partisë i Tiranës u mor me çështjet e Vebi Skënderit, Dilaver Radeshit, Dhimitër Pilikës etj., na doli në shteg edhe çështja e Bilal Xhaferit. Në një mbledhje me shkrimtarët, pas fjalimit të 6 shkurtit, Vebi Skënderi u ankua pse në presidiumin e mbledhjes nuk ndodhej edhe Bilal Xhaferi. Na doli edhe se për romanin mbi Skënderbeun këtë njeri e ndihmonin Dhimitër Pilika dhe Dilaver Radeshi...”.

Më tej për detaje e prapaskena të tjera sipas gjykimit të Manush Myftiut i sjellim përmes pjesës së dytë të dokumentit të cituar, botuar sipas origjinalit që ruhet në AQSH, në fondin 14.

dasma kadarese

Pjesa e dytë e dokumentit
 
(Vijon nga dje)
 
Vijmë tani te çështja që ndodhi kur u diskutua për romanin “Dasma”, te Bilal Xhaferi, dhe tek ata që qëndrojnë pas tij.

Bëhet pyetja: përse ky njeri dhe ata që qëndrojnë pas tij shpërthyen pikërisht kur diskutohej për romanin “Dasma”? Në historinë e artit ka ndodhur që lufta për një talent ose një tjetër, për një vepër ose një tjetër, që në të parë është dukur si ndeshje midis talentesh ose individësh, me të vërtetë ka qenë luftë me karakter të theksuar klasor për rrugët e zhvillimit të artit. Kështu është edhe ndeshja që u shfaq për romanin “Dasma”. Kjo vepër, me gjithë vërejtjet që mund t’i bëhen dhe ka vend për vërejtje, ka një karakter të theksuar polemik, ajo afirmon me forcën e ideve dhe nivel artistik realitetin e sotëm socialist, i bën jehonë ideve të letrës së hapur dhe djeg me zjarr botën e vjetër, kanunin etj. Kështu që ata, të cilët nuk janë për këtë rrugë në art, në disa raste edhe në politikë, shqetësohen prandaj edhe nuk duruan më, por shpërthyen. Gjoja duke sulmuar romanin “Dasma” dhe autorin e saj I. Kadarenë, këta njerëz tehun e sulmit të tyre e drejtojnë kundër autorit, por edhe kundër ideologjisë sonë dhe artit tonë revolucionar, duke u fshehur në mjaft raste dhe prapa emrit të partisë. Është logjike, Bilal Xhaferin, djalin e të pushkatuarit, nuk e preokupon fati i letërsisë së realizmit socialist, por diçka tjetër.

Cili është ky njeri? Është me origjinë çame, babai i tij është vrarë nga ne për krime kundër komunistëve e partizanëve, ka arsim 7-vjeçar, deri para një viti punonte si punëtor në Shijak, qëndrimi politik i atij vetë dhe i rrethit të tij është i keq. Ka shkruar disa tregime, të cilat janë pëlqyer, por kur i lexon me vëmendje të bien në sy nëntekste dhe ekuivokë të dyshimtë. Është botuar vetëm një vëllim i tij me tregime, kurse një vëllim me poezi dhe një roman për Skënderbeun nuk i janë botuar me ndërhyrjen e Komitetit të Partisë të Tiranës. Njëkohësisht Komiteti ynë i Partisë ka ndërhyrë dhe ka ndaluar që ai të pranohej anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve.

Vitin e kaluar, kur Komiteti i Partisë i Tiranës u mor me çështjet e Vebi Skënderit, Dilaver Radeshit, Dhimitër Pilikës etj., na doli në shteg edhe çështja e Bilal Xhaferit. Në një mbledhje me shkrimtarët, pas fjalimit të 6 shkurtit, Vebi Skënderi u ankua pse në presidiumin e mbledhjes nuk ndodhej edhe Bilal Xhaferi. Na doli edhe se për romanin mbi Skënderbeun këtë njeri e ndihmonin Dhimitër Pilika dhe Dilaver Radeshi.

U përpoqëm të nxjerrim nga Vebi Skënderi ndonjë gjë më shumë mbi këtë çështje, por ai nuk na tha asgjë. Atëherë ne theksuam edhe një herë porositë tona që të mos i botohet gjë këtij njeriu, të mos pranohet në asnjë mënyrë si anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, folëm për çështjen e Vebi Skënderit, duke përmendur edhe çështjen e Bilal Xhaferit, në një mbledhje me komunistët shkrimtarë e artistë.

Mirëpo ndodhi, që në kundërshtim me të gjitha porositë tona, megjithëse ishin në dijeni të tyre dhe të çështjes së këtij njeriu, në komitetin drejtues të Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve është folur për pranimin e tij si anëtar i Lidhjes dhe është dashur ndërhyrja e organizatës-bazë që ai të mos pranohej, ndodh edhe që disa shokë si Shefqet Murasaj e Llazar Siliqi të kenë shkuar në Durrës për të folur me Komitetin e Partisë të Durrësit, që ai të pranohej anëtar i Lidhjes. Po kështu, ndërmarrja e botimeve, në mënyrë të veçantë Dhimitër Fullani, e ka tërhequr këtë njeri, e ka përkëdhelur dhe ka bërë çmos që të botonte veprat e tij. Para disa muajve, Komiteti i Partisë mori vesh se nga mbështetja dhe përkrahja që i është dhënë këtij njeriu ose “talenti” siç është folur, edhe nga disa shokë në Komitetin Qendror të Rinisë dhe në “Zërin e Popullit”, shoku Dashnor Mamaqi kishte dhënë urdhër që të botohen librat e tij. Atëherë ne ndërhymë për këtë çështje deri te shoku Ramiz, i cili urdhëroi që të tërhiqeshin të gjitha urdhrat e dhëna për botimin e veprave të tij, ose sistemimi në ndonjë punë më të mirë, si dhe iu shpjegua kjo çështje shokut Dashnor, shokut Todi Lubonja dhe shokut Agim Mero, të cilët nuk kishin qenë në dijeni më parë për çështjet e tij.

Pas diskutimit që bëri ky njeri në klubin e shkrimtarëve, ne u morëm përsëri me çështjen e tij dhe na dalin këto gjëra: ai nuk qe ftuar në këtë diskutim, por ishte lajmëruar nga një shok i tij që është student në Tiranë dhe kishte ardhur bashkë me 3-4 shokë të tjerë nga Durrësi dhe kishte hyrë në mbledhje pa ftesë. Se mbështetjet e tij të fundit këtu në Tiranë kanë qenë te Dhimitër Fullani në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, Trim Gjata (vetë ballist dhe i ati ballist) në Ndërmarrjen e Botimeve Shkollore, Ballkiz Halili në revistën “Gruaja shqiptare”, Bedri Myftari në gazetën “Rinia” dhe disa të tjerë. Në marrëdhënie me të na dolën edhe disa elementë kosovarë që merren me shkrime si njëfarë Gani Demiri, i cili na doli në ngatërresa të tilla edhe para një viti, sepse në shtëpinë e tij u patën mbledhur Vebi Skënderi, Dhimitër Pilika, Dilaver Radeshi etj., lidhur me atë çështjen e Institutit të Histori-Gjuhësisë. Duhet njohur se ekziston këtu një grup kosovarësh që merren me shkrime dhe që përbëjnë probleme. Disa fije na çojnë deri te Nexhat Hakiu. Nga të gjitha këto faktet e fundit, të cilat ne po mundohemi t’i konkretizojmë, del çështja se mbase është fjala për diçka të menduar dhe të lidhur me disa njerëz të dyshimtë, por në rrugën e sigurimit nuk na del akoma gjë e saktë, kurse dyshimet duken mjaft të plota.
Ne nxjerrim edhe disa konkluzione partie.

- Pse disa shokë të Lidhjes e të tjerë iu nënshtruan presionit të jashtëm se ky njeri qenka gjoja “talent” dhe e përkrahën krejt pa të drejtë? Kjo është një mungesë vigjilence me plot rreziqe.
- Pse nuk përfillen mendimet e urdhrat e dhëna nga Komiteti i Partisë? Kjo ka ardhur se disa shokë nga të Lidhjes ose të shtëpisë botuese mendojnë se në çështjet letrare e artistike ka rëndësi “talenti” dhe jo politika.
- Pse ky njeri doli hapur, e shtynë apo nuk duroi më vetë? Ne mendojmë se edhe nuk duroi, edhe e shtynë, kujtuan se duke përfituar nga disa acarime që kanë ndodhur pas diskutimeve të fundit, për të cilat u fol më lart, do të gjente mbështetje një diskutim i tillë, kështu ky njeri do të dilte jo vetëm si “talent” letrar, por edhe si njeri që preokupohej për fatet e letërsisë.

sulmet ndaj kadarese

Ne mendojmë gjithashtu, se pas tij ka të tjerë që e kanë ushqyer dhe shtytur. Mendojmë se ka edhe të tjerë, që nuk kanë asnjë lidhje me të, por që mendojnë e shqetësohen si ai për hapat që bën letërsia e arti ynë. Prandaj kjo është një luftë që duhet çuar deri në fund.
Mendimet dhe propozimet tona:
1) Të përfundojë sa më parë organizimi i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, duke dërguar shokët që është menduar të dërgohen, me qëllim që të marrin në dorë situatën dhe të bëjnë më mirë luftën.
2) Të diskutohet në një mbledhje me shkrimtarët e artistët komunistë mbi këto çështje dhe të tërhiqet vëmendja e tyre për luftën ideologjike në këtë front.
3) Në radhët e Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve janë disa njerëz të dyshimtë dhe që nuk i japin letërsisë, si Nexhat Hakiu etj., janë futur edhe disa të rinj gjoja punëtorë, të cilët mendojnë se duhet të përjashtohen nga Lidhja pa shumë ceremoni tani para kongresit.
4) Të përgatitemi me kujdes për Kongresin e Shkrimtarëve dhe Artistëve, duke i bërë debatet e diskutimet që tani në mënyrë që në Kongres të mos na ndodhin të papritura.
5) Të përpiqemi që të krijojmë në të gjitha qendrat kulturore e artistike një pararojë luftarake me komunistë e të tjerë, të cilët të luftojnë për letërsinë dhe artin e partisë.
6) Ta çojmë deri në fund punën për të shikuar se kush është pas Vebi Skënderit, Bilal Xhaferit dhe disa të tjerëve, që na kanë dalë disa herë të pleksur me çështje të dyshimta.
Si përfundim, Komiteti i Partisë mendon se për të çuar përpara krijimtarinë letrare e artistike, edhe në këtë fushë duhet të ndjekim atë metodë e stil pune që po ndjekim kudo, në të gjithë sektorët e tjerë, konkretisht: aksionin dhe luftën ideologjike.
a) Aksioni mobilizon forcat krijuese, çon në krijime letrare e artistike, tërheq vëmendjen e masave dhe hap rrugë për të shkuar më tutje. Një aksion i tillë qe, p.sh. Koncertet e Majit. Propozojmë që aksione të ndryshme mund të organizohen në periudha caktuara edhe në shkallë republike, p.sh. një herë në 2 ose 3 vjet për një gjini artistike, kështu që çdo vit do të kemi një manifestim të gjerë kulturor-artistik.
b) Lufta ideologjike sqaron situatat dhe pozitat, bën që njerëzit të kuptojnë se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet, edukon shkrimtarët dhe artistët në një terren konkret. Mbledhjet për diskutime të veprave të ndryshme që përmendëm më lart janë armët e kësaj lufte. Mirëpo ne vërejmë se disa shokë të Lidhjes dhe disa shokë të tjerë komunistë të institucioneve të ndryshme artistike dhe kulturore nuk janë të gatshëm për këtë luftë, i shmangen asaj, kanë frikë, me një fjalë janë për qetësinë e për llafet qosheve, nuk janë për revolucionarizim e luftë ideologjike.

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç