Sulmet ruse ndaj Kievit kanë dëmtuar ambasadat e Holandës dhe Austrisë, duke sjellë edhe një reagim nga ministri i Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha.
Ai shprehu solidaritet me dy vendet, ndërsa kujtoi se sulmet e përsëritura të Moskës kanë rrezikuar edhe praninë diplomatike shqiptare në kryeqytetin ukrainas. Hoxha akuzoi Rusinë për shpërfillje të së drejtës ndërkombëtare dhe kërkoi që përgjegjësit për sulmet që vënë në rrezik misionet diplomatike të mbajnë përgjegjësi.
“Shqipëria shpreh solidaritetin e plotë me Holandën dhe Austrinë pas sulmeve të fundit ruse ndaj Kievit, të cilat shkaktuan dëme në mjediset e tyre diplomatike. Ky nuk është një incident i izoluar. Sulmet e përsëritura të Rusisë kanë vënë në rrezik misionet diplomatike dhe personelin e tyre në Kiev, përfshirë edhe praninë diplomatike të Shqipërisë. Ne i njohim nga afër rreziqet dhe pasojat e sulmeve të tilla. Misionet diplomatike dhe personeli i tyre gëzojnë mbrojtje sipas së drejtës ndërkombëtare. Siguria e tyre duhet të respektohet në çdo rrethanë. Çdo sulm që i vë ata në rrezik është i papranueshëm, duhet të dënohet pa asnjë ekuivok dhe autorët duhet të mbajnë përgjegjësi. Këto goditje janë një tjetër dëshmi e karakterit të pakursyer të luftës së agresionit që Rusia po vijon kundër Ukrainës dhe e shpërfilljes së hapur të së drejtës ndërkombëtare. Ne duhet të mbetemi të bashkuar, të vendosur dhe të palëkundur në mbështetje të Ukrainës, në mbrojtje të së drejtës ndërkombëtare dhe në qëndrimin tonë kundër agresionit rus.” tha Hoxha në X,
Sulmet ndaj ambasadave ndodhën gjatë së enjtes, ndërsa në Berlin u zhvillua samiti i “Koalicionit të Vullnetmirëve”, ku liderët evropianë dhe përfaqësuesit amerikanë diskutuan për mbështetjen e Ukrainës dhe përpjekjet për arritjen e paqes.









Komente
Komento