TIRANË-Ligji për barazinë gjinore, i cili garanton të mos ketë diskrimimin bazuar në faktorë të ndryshëm, si social edhe gjinor, sipas ambasadorit të BE-së në vendin tonë, Silvio Gonazo, duhet të shërbejë si një mësim për politikën shqiptare.

“Akte ligjore që kanë të tillë komponentë e vlerë sociale, duhet të përgatiten dhe të diskutohen gjerësisht, duhet të ketë një debat mbarëshoqëror përpara punës ligjvënëse, për të përgatitur terrenin e po kështu për të siguruar që termat e reformës të kuptohen dhe që ka më pak hapësirë për dezinformom sepse e dimë ka pasur shumë të tillë në këtë kontekst”, tha Gonzato.

Diplomati i BE, i cili u vu në shënjestër të akuzave publike nga kreu i PD-së Sali Berisha, se po i impononte shoqërisë shqiptare orientimin e tij seksual, tha se ligji synon të mbështesë përfaqësimin e grave, si gjinia më e nënpërfaqësuar, në punësim e arsimim.

“Kjo është ajo që bëjmë ne, është një kontribut. Sigurisht nuk mund të zgjidhë problemin, është një ndryshim kulturor e shoqëror që duhet të ndodhë, e do të kërkojë kohë, por kjo është normale, kështu bëhen gjërat”, tha Gonzato.

I pranishëm në edicionin e 10-të të Shkollës së Integrimit Europian, nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Taulant Balla, tha se ligji i miratuar vetëm nga mazhoranca për barazinë gjinore, nuk ka lidhje me debatin që shpërtheu, por vetëm me mbrojtjen e grave dhe përfaqësimin e tyre në sektorë të ndryshëm me të drejta të barabarta pa u diferencuar prej gjinisë.

“Ndihem i habitur me shoqatat e barazisë gjinore që marrin pjesë nëpër takime, harxhojnë nëpër restorante, hotele, kokteje dhe t’iu them të drejtën nuk kanë bërë, ligji për barazinë gjinore nuk ka pas lidhje me gjithçka u tha, u tjerë nëpër banakë, u tha që ligji për barazinë gjinor e ndryshon gjinitë, ligji të thotë gjini sipas këtij ligji janë roli që shoqëria i ka caktuar burrit dhe gruas. Në këtë vend realisht këta namuzqarët mendojnë se gratë e Shqipërisë trajtohen me pagë njëlloj nëpër të njëjtin vend pune që bëjnë dhe burrat, jo. Një burrë në vend të saj e merr rrogën më të lartë.

Këtu u krijua një histori e madhe, e morën edhe parti politike për ta shfrytëzuar ligjin si një top për të goditur tjetrin. Thirrja ime është që Shqipëria. Ambasador ne nuk u bëjmë ligjet se na thoni ju, që të jemi të qartë për këtë pjesë. Kryetari i kuvendi e ka thënë dhe unë them, gjëja që duhet të bëjmë ndryshe është pjesa e kontrollit post legjislativ është një ndër ligjet më të mira të barazisë gjinore sot në Europë, gjëja që mbetet është ta çojmë tek zbatimi”, tha Balla.

Akuzave të Berishës se ligji u miratua pasi e kërkoi Gonzato, Balla iu përgjigj duke ia thënë në sy ambasadorit se ligji nuk u miratua me kërkesë të tij.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:57
Balla: Integrimi europian është rruga strategjike e Shqipërisë dhe projekti më i madh kombëtar i këtij brezi

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së Edicionit të 10-të të Shkollës së Integrimit Europian, organizuar nga Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian pranë Kuvendit të Shqipërisë.

Në fjalën e tij, Balla i cili është edhe Nën. Kryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian theksoi se Shqipëria është sot më e angazhuar se kurrë për të ecur në rrugën e integrimit europian dhe për të forcuar vlerat mbi të cilat ngrihet Bashkimi Europian - paqen, demokracinë, solidaritetin dhe bashkëpunimin ndërmjet kombeve.

“Integrimi europian mbetet rruga jonë strategjike dhe qëllimi ynë i përbashkët - për një Shqipëri më të fortë në një Europë të bashkuar”, u shpreh Balla, duke cituar njërin prej etërve themelues të Europës së Bashkuar, Altiero Spinelli, i cili në Manifestin e Ventotenes theksonte se “E ardhmja nuk do të ndërtohet mbi ndarjen e shteteve kombëtare, por mbi bashkimin e tyre në një federatë evropiane.”

Balla vlerësoi faktin që Shkolla e Integrimit Europian, tashmë në edicionin e saj të dhjetë, është kthyer në një traditë të qëndrueshme të Kuvendit dhe një platformë të rëndësishme për ndarjen e njohurive dhe përgatitjen e profesionistëve të rinj për procesin e integrimit.

Në dhjetë vite, shkolla ka trajnuar 404 pjesëmarrës nga administrata publike, pushteti vendor, shoqëria civile, akademia, media dhe biznesi, duke krijuar një rrjet të gjerë ekspertësh që kontribuojnë sot në institucione kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Kjo shkollë ka qenë një investim i çmuar në formimin e brezit të ri që do të çojë përpara projektin më të madh kombëtar të këtij brezi – anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, u shpreh Balla.

Gjatë fjalës së tij, ai iu referua edhe raportit më të fundit të Komisionit Europian, i cili vlerëson progresin e Shqipërisë si “të pashembullt që prej Konferencës Ndërqeveritare të tetorit 2024”, ndërsa theksoi se 91% e qytetarëve shqiptarë mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Europian.

“Procesi i integrimit është një proces gjithëpërfshirës, që kërkon bashkëpunimin e të gjitha forcave politike dhe institucioneve. Anëtarësimi në BE nuk është thjesht një objektiv qeveritar, por një projekt kombëtar që i përket çdo shqiptari”, tha Balla, duke shtuar se Kuvendi i Shqipërisë, përmes Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, do të vijojë të forcojë rolin e vet në mbikëqyrjen parlamentare dhe në nxitjen e transparencës në këtë proces.

Në përmbyllje, Balla falënderoi partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe për kontributin në zhvillimin e kapaciteteve profesionale të të rinjve shqiptarë.

“Ky përvjetor nuk është vetëm një moment reflektimi për rrugën e bërë, por një pikënisje e re drejt një etape më të pjekur të procesit tonë europian”, përfundoi Balla.