Sali Berisha është përjashtuar për 10 ditë nga punimet e Kuvendit. Vendimi u mor sot nga Sekretariati i Etikës pas kërkesës së socialistëve për përjashtimin e tij nga 10, 30 deri në 60 ditë për deklaratat që bëri ndaj ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato gjatë seancës parlamentare të së enjtes së kaluar.

Deputetët demokratë, Saimir Korreshi dhe Blendi Himçi, anëtarë të sekretariatit bojkotuan mbledhjen.

Sekretariati shqyrtoi edhe kërkesën e PD për përjashtimin e Taulant Ballës duke e rrëzuar. Demokratët pretenduan se Balla i ofendoi dhe përdori gjuhë kërcënuese ndaj tyre gjatë seancës së kaluar.

Socialistët kërkuan zyrtarisht të premten, me firmë të 12 deputetëve, ndëshkimin e kreut të PD-së me përjashtim nga jeta parlamentare, pas deklaratës me nota ofenduese të bërë në drejtim të ambasadorit të BE Silvio Gonzato, pasi ky i fundit kishte bërë thirrje të votohej si pjesë e përafrimit me legjislacionin e BE, ligji për Barazinë Gjinore.

Kjo deklaratë u dënua edhe nga zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian, nga Marta Kos te reagimi i Komisionit Europian ndërsa solli edhe reagimin e kryeministrit Edi Rama që përmes një statusi në X pati edhe një kërkim falje në drejtim të Ambasadorit Gonzato. Por, Berisha i parapriu vendimmarrjes së Komisionit të Etikës. Skenari për t’u përjashtuar nga dhjetë në 60 ditë solli propozimin e tij për ngritjen e një çadre para godinës së kryeministrisë.