Në Komisionin për Punët e Jashtme, ministri Hoxha iu referua edhe sulmit të fundit kibernetik të Iranit ndaj Kuvendit. Ai tha se kjo duhet të na bëjë më të vëmendshëm dhe tregon se Irani do të përdorë çdo mjet kundër Shqipërisë. Çështja është në NATO, por për arsye sigurie nuk dha detaje, ndërsa u shpreh i sigurt te mbështetja e Aleancës.
“Regjimi i Iranit s’është ndalur ndonjëherë për të sulmuar Shqipërinë. Ndodhi në vitin 2022. Që prej asaj kohe ka ndodhur një revolucion në përmirësimin me aftësinë, sigurinë, por siguri 100% në teknologji nuk ka. Fakti që arritën të cenojnë infrastrukturën teknologjike të Kuvendit do të thotë që duhet të jemi shumë të vëmendshëm. Duhet të jemi alert dhe tregon pozicionimin e Iranit që do të prëdorë të gjitha mjetet kundër Shqipërisë. Kemi ngritur çështjen në NATO, diskutime të mbyllura dhe e kemi ngritur në termat e rritjes së gatishmërisë së mbrojtjes për aleancën që ka treguar nivelin që është dhe kemi bindjen, garancinë, rehatinë që nuk jemi vetëm, kemi partnerët e tjerë të NATO-s me vete dhe ndihemi të sigurt”, tha Hoxha.
Hoxha tha se Shqipëria mbështet politikën e jashtme të sigurisë kolektive, ku renditet krah SHBA-ve dhe i ka kërkuar Iranit ndalimin e programit bërthamor dhe raketave balistike.
“Politika e jashtme mbështet sigurinë kolektive, por i kemi kërkuar Iranit, në vendet pararojë bashkë me SHBA-të, kemi qenë shumë të qartë lidhur me kërkesën për të ndalur programi bërthamor dhe raketat balistike. Kemi pasur një ndjeshmëri të veçantë lidhur me protestat në Iran pas vrasjes së vajzës që është bërë simbol i qëndresës qytetare që u vra thjesht sepse nuk kishte mbuluar kokën me shami dhe ka qenë moment i veçantë sepse kemi bërë lidhjen me Shqipërinë kur mohoheshin të drejtat bazike”, tha ministri.
Lajmi kryesor:
Lufta në Lindjen e Mesme/ Ministri Hoxha: 2962 shqiptarë rezidentë, 138 duan të largohen! S’kemi mbyllur asnjë ambasadë me vendet e prekura










