Agjencitë ruse të zbatimit të ligjit kanë ndaluar dy persona, të cilët dyshohet se kanë lidhje me atentatin ndaj gjeneralit rus, Vladimir Alekseyev.

Njeri prej tyre dyshohet se është autori, ndërsa tjetri bashkëpunëtor i tij.

Ata do të merren në pyetje dhe një seancë dëgjimore gjyqësore për paraburgimin pritet më 8 shkurt, shkruan media ruse, Kommersant.

Një çështje penale është hapur me akuzat për tentativë vrasjeje dhe trafikim të paligjshëm armësh. Pas marrjes në pyetje, të dyshuarve do t'u ngrihen akuza.

Alekseyev iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale me sukses dhe rifitoi vetëdijen më 7 shkurt, por mbeti nën mbikëqyrje mjekësore. 

Alekseyev u qëllua nga një person që u paraqit si korrier për shpërndarjen e ushqimit, i cili kishte hyrë në ndërtesën e tij. Alekseyev, i cili ishte duke shkuar në punë, u qëllua dy herë në shkallët e ndërtesës dhe pastaj një herë të tretë ndërsa po i zmbrapsej sulmit, pas së cilës autori i ngjarjes u largua nga vendi i ngjarjes.

Edhe pse nuk merr pjesë personalisht në bisedimet e paqes me Ukrainën në Abu Dhabi, Alekeyev është i përfshirë drejtpërdrejt në negociata dhe deri dje vepronte prapa skenave në emër të shefit të tij, Igor Kostyukov, i cili kryeson delegacionin rus. 

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka akuzuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky se qëndron prapa atentatit, duke e cilësuar një përpjekje të qëllimshme për të penguar bisedimet e paqes.

Alexeyev ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë luftës në Ukrainë, duke marrë pjesë në bisedimet me Ukrainën gjatë rrethimit rus të Mariupolit në vitin 2022.

Ai u dërgua gjithashtu për të negociuar me kreun e grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili udhëhoqi një kryengritje të shkurtër dhe të përgjakshme në qershor 2023.