Gjykata e Pogradecit ka vendosur ditën e sotme 30 ditë burg për Mariglen Topuzin, i arrestuar dy ditë më parë si një prej bashkëpunëtorëve në sulmin e ndodhur më 8 gusht ndaj pronarit të Hotel Volorekës, Jetmir Muçllari. Seanca ndaj Topuzit u zhvillua nën masa të rrepta sigurie dhe zgjati 2 orq, që sipas avokatit u shoqërua me debate të ashpra mes palëve në proces.
Avokati mbrojtës i Topuzit, Nevzat Tarelli kërkoi lirimin e klientit të tij pasi sipas tij ka prova që Maringlen Topuzi natën e sulmit ka qenë tjetër vend dhe jo në Hotel Voloreka. Sipas avokatit prokuroria nuk ka prova por vetëm indicie dhe se procesi është i paragjykuar dhe veprimet e policisë të nxituara. Ai tha se prej orës 15:00 të datës 7 gusht dhe deri mëngjesin e datës 8 gusht, kur u regjistrua ngjarja, Mariglen Topuzi ka qenë në shtëpinë e tij.
"Unë i kërkova gjykatës të shpallë të paligjshëm arrestin në flagrancë dhe lirimin e menjëhershëm të klientit tim, në mungesë të plotë të provave që e implikojnë në ngjarjen e datës 8 gusht. I vura në dispozicion prokurorisë dhe gjykatës prova shkresore dhe filmike,të cilat provojnë se Topuzi në episodin e parë ndaj Hotel Volorekës ka qenë në Golem. Ndërsa në datën 8 gusht,me dëshmi dhe prova filmike,provohet që ndodhej në banesë. Topuzi në datën 7 ka qenë në një varrim në Buçimas dhe prej atij momenti nuk ka dale nga shtëpia, pasi kishte nënën sëmurë. Mariglen Topuzi ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzave duke mos pranuar përfshirjen në ngjarje. Sipas tij, ai u arrestua vetëm për shkak të konfliktit që ka pasur me pronarin e hotelit një vit me parë, për të cilin ka vuajtur dënimin," ka thënë avokati Tarelli.