Zbardhet dhe arrestohen autorët e sulmit me armë më 1 dhe 8 gusht 2020 në Hotel 'Voloreka' në Tushemisht të Pogradecit. Në pranga ka përfunduar Ilir Berberi, i njohur dhe si "Liri i Rushkës", i cili është dhe organizatori i sulmit me armë ndaj pronarit të këtij hoteli, Jetmir Muçllari. Ilir Berberi u arrestua në një çadër që kishte ngritur enkas për t’u strehuar në pyllin Vërdovë të Pogradecit. 52-vjeçari akuzohet si organizatori i sulmit me armë në Hotel Vloreka dhe është një  person me precedent të theksuar kriminal.

Gjatë arrestimit ai kishte me vete një armë zjarri tip pistoletë dhe 59 fishekë që i posedonte pa leje.

Report Tv siguron videon e sulmit të 8 gushtit në Hotel Voloreka në Tushemish, ku një nga të arrestuarit ka zbrazur mbi 100 plumba ndaj makinave të parkuara dhe ndaj hotelit. Sulmi ka ndodhur për më shumë se 1 minutë, ku autori, i maskuar, pasi ka qëlluar në drejtim të hotelit, me qetësi i është drejtuar makinave të parkuara. I pashqetësuar, autori ka ecur i qetë përmes parkimit dhe më pas ka hapur zjarr me kallashnikov duke i dëmtuar makinat me radhë. Më pas është larguar duke dalë me vrap nga hoteli në pronësi të Jetmir Muçllarit.

Forcat RENEA në bashkëpunim me Policinë e Pogradecit kanë  organizuar mbrëmjen e djeshme operacionin e koduar "Driloni", ku u arrestua Berberi dhe 3 të tjerë si bashkëpunëtor të dy sulmeve të ndodhur ndaj Jetmir Muçllarit.

Gjatë arrestimit të Ilir Berberit u sekuestruan një armë zjarri tip pistoletë, municion luftarak si dhe rrobat e përdorura gjatë sulmit me armë.

Sipas policisë shkak i sulmeve me armë të ndodhura me 01.08.2020 dhe 08.08.2020, në hotelin Voloreka në fshatin Tushemisht është nisja e një konflikt që në shkurt të 2020, ku 52-vjeçari Berberi ka kanosur pronarin e hotelit, për të mos dëshmuar në një seancë gjyqësore.

Gjatë operacionit u arrestuan edhe 3 bashkëpunëtorët e tij Ilir Meçolli, 29 vjeç, Ardian Xhuti, 29 vjeç, banues në Zvezdë, Maliq dhe Elvir Haxhia, 32 vjeç, banues në Pojan, Maliq (i dënuar më parë për veprën penale "Vjedhja").

Dy ditë më parë u kap edhe bashkëpunëtori tjetër Mariglen Topuzi, duke e çuar numrin e të arrestuarve në 5 për 2 sulmet me armë të ndodhura brenda 7 ditësh në Hotel Voloreka.

Në sulmin e ndodhur më 8 gusht, Ilir Berberi në rolin e organizatorit dhe në bashkëpunim me 4 personat e arrestuar, kanë kanosur me armë zjarri shtetasin Jetmir Muçllari  duke zbrazur mbi 100 plumba në drejtim të makinave të parkuara në hotelin e tij, duke dëmtuar 7 makina luksoze, ku 24 plumba kanë prekur makinën e Muçllarit. Autorët kanë qëlluar edhe në drejtim të dhomës së djalit të pronarit dhe dy dhomave të tjera, ku qëndronin turistët. Muçllari deklaroi se janë të kërcënuar të gjithë si familje dhe ka kërkuar mbrojtje nga policia.

Kush është Ilir Berberi?

Ilir Berberi është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe një emër i njohur për policinë, ku ka qenë i hetuar dhe dënuar për vepra të ndryshme kriminale.

Ilir Berberi ka qenë i dënuar për gjobvënie, vjedhje dhe armëmbajtje pa leje. Në Pogradec njihet si 'Liri i Rrushkës', ndërsa është hetuar edhe për disa ngjarje të rënda kriminale si për vrasjen e shefit të komisariatit në Pogradec Agron Gjyrezi.

Ndaj Berberit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec ka vendosur masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Kanosja për të mos kallëzuar", "Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik", "Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik", "Prishja e qetësisë publike" kryer në bashkëpunim".

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:43
Pamje të reja, momenti kur qëllohet ndaj hotel Volorekës

Pamje të reja nga sulmi me armë në hotel Voloreka në Tushemisht. Një video e siguruar nga Report Tv nga një tjetër kënd i hotelit, tregon momentit kur autori i maskuar ka qëlluar me breshëri kallashnikovi ndaj hotel Volorekës, ku plumbat ishin në drejtim të dhomës së djalit të pronarit dhe dhomave ku qëndronin turistët.

Ora 11:10
Sulmi ndaj hotel Volorekës, Report TV siguron videon e sulmit të 8 gushtit

Report Tv siguron videon e sulmit të 8 gushtit në Hotel Voloreka në Tushemish, ku një nga të arrestuarit ka zbrazur mbi 100 plumba ndaj makinave të parkuara.

Sulmi ka ndodhur për më shumë se 1 minutë, ku autori, i maskuar, pasi ka qëlluar në drejtim të hotelit, me qetësi i është drejtuar makinave të parkuara.

I pashqetësuar, autori ka ecur i qetë përmes parkimit dhe më pas ka hapur zjarr me kallashnikov duke i dëmtuar makinat me radhë.

Më pas është larguar duke dalë me vrap nga hoteli në pronësi të Jetmir Muçllarit.

Ora 10:16
Sulmi me armë në Hotel Voloreka, 30 ditë burg për Mariglen Topuzi! Avokati: Procesi i paragjykuar, ka video që klienti im ka qenë tjetërkund

Gjykata e Pogradecit ka vendosur ditën e sotme 30 ditë burg për Mariglen Topuzin, i arrestuar dy ditë më parë si një prej bashkëpunëtorëve në sulmin e ndodhur më 8 gusht ndaj pronarit të Hotel Volorekës, Jetmir Muçllari. Seanca ndaj Topuzit u zhvillua nën masa të rrepta sigurie dhe zgjati 2 orq, që sipas avokatit u shoqërua me debate të ashpra mes palëve në proces.

Avokati mbrojtës i Topuzit, Nevzat Tarelli kërkoi lirimin e klientit të tij pasi sipas tij ka prova që Maringlen Topuzi natën e sulmit ka qenë tjetër vend dhe jo në Hotel Voloreka. Sipas avokatit prokuroria nuk ka prova por vetëm indicie dhe se procesi është i paragjykuar dhe veprimet e policisë të nxituara. Ai tha se prej orës 15:00 të datës 7 gusht dhe deri mëngjesin e datës 8 gusht, kur u regjistrua ngjarja, Mariglen Topuzi ka qenë në shtëpinë e tij.

"Unë i kërkova gjykatës të shpallë të paligjshëm arrestin në flagrancë dhe lirimin e menjëhershëm të klientit tim, në mungesë të plotë të provave që e implikojnë në ngjarjen e datës 8 gusht. I vura në dispozicion prokurorisë dhe gjykatës prova shkresore dhe filmike,të cilat provojnë se Topuzi në episodin e parë ndaj Hotel Volorekës ka qenë në Golem. Ndërsa në datën 8 gusht,me dëshmi dhe prova filmike,provohet që ndodhej në banesë. Topuzi në datën 7 ka qenë në një varrim në Buçimas dhe prej atij momenti nuk ka dale nga shtëpia, pasi kishte nënën sëmurë. Mariglen Topuzi ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzave duke mos pranuar përfshirjen në ngjarje. Sipas tij, ai u arrestua vetëm për shkak të konfliktit që ka pasur me pronarin e hotelit një vit me parë, për të cilin ka vuajtur dënimin," ka thënë avokati Tarelli.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, policia arrestoi edhe 4 autorët e tjerë të sulmit me armë në Tushemisht, mes tyre dhe organizatorin Ilir Berberi.