Këto janë pamjet e regjistruara nga një kamerë sigurie në Krakov, të cilat tregojnë momentin e të shtënave me armë zjarri gjatë së shtunës.

Në video, shihet makina e 25-vjeçarit polak që ndalon në një kryqëzim. Më pas, ai nxjerr armën dhe qëllon drejt kalimtarëve. Brenda pak çastesh, rruga shndërrohet në një skenë paniku: njerëzit largohen me vrap, duke kërkuar strehë. Një burrë, i cili është qëlluar nga plumbi, rrëzohet në tokë.

Hetimet për sulmin me 6 të vrarë dhe 16 të plagosur një ditë më parë në Krakov të Polonisë, morën një tjetër kthesë të rëndë pasi policia zbuloi edhe tre trupa të pajetë në banesën e të dyshuarit. Viktimat rezultuan të ishin nëna, babai i dhe motra e 25-vjeçarit. Rruga ku ai nisi të qëllonte drejt kalimtarëve ndodhej në një nga qendrat historike të Krakovës, rreth 190 kilometra larg shtëpisë së tij.

Si pasojë e sulmit, mbetën të vrarë katër gra dhe dy burra, ndërsa 16 persona të tjerë u plagosën, mes tyre edhe dy efektivë policie. Pas ndërhyrjes së forcave të rendit, 25-vjeçari u qëllua dhe u plagos, përpara se të transportohej në spital. Ai iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale dhe ndodhet në gjendje kritike.

Autoritetet bëjnë me dije se i dyshuari ishte i veshur me rroba ushtarake dhe se gjatë kontrollit të automjetit të tij, u gjet një sasi e madhe armësh e municionesh.

Motivi i sulmit mbetet ende i paqartë, por ministri i Brendshëm polak, Marcin Kierwiński, deklaroi se i dyshuari ishte i magjepsur nga ideologjitë e ekstremit të djathtë dhe kishte pikëpamje shumë radikale. Prokuroria Kombëtare e Polonisë po e trajton ngjarjen si një vepër terroriste.

Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, hodhi poshtë raportimet se autori ishte pjesë e ushtrisë polake, duke theksuar se ai nuk kishte pasur asnjë lidhje me forcat e armatosura.

Kryetari i bashkisë së Krakovës, Lukasz Gybala, nënshkroi një dekret për shpalljen e zisë në qytet deri të mërkurën, më 11 nëntor. Gjithashtu, në nivel kombëtar u shpallën dy ditë zie, më 8 dhe 9 nëntor.