Vëllai i bombarduesit të Manchester Arena, Salman Abedi është shpallur fajtor për vrasjen e 22 personave. Hashem Abedi kishte mohuar të kishte ndihmuar të vëllain për planifikimin e shpërthimit të "papritur dhe vdekjeprurës". Por, në seancën gjyqësore u bë me dije se dy vëllezërit punuan së bashku për të siguruar burimet materiale të përdorura në shpërthimin vetëvrasës pas koncertit të dhënë nga Ariana Grande në vendin e ngjarjes.
Prokurorët thanë që Hashem ishte "përgjegjës i përbashkët" me vëllain e tij për sulmin në 22 maj 2017.
Vëllezërit "qëndronin krah për krah" në komplot, u tha në Gjykatë dhe se Hashem ishte "po aq fajtor për vrasje" sa vetë bombarduesi, Salman. Hashem, 22 vjeç, u shpall gjithashtu fajtor për një akuzë vrasje të mbetur në tentativë, duke përfshirë të plagosurin e mbetur gjatë ngritjes së komplotit për të shkaktuar shpërthime. Ai nuk ishte i pranishëm në gjykatë pasi me ekipin e tij juridik javën e kaluar vendosën të mos marrin më pjesë në gjykim.
Incidenti ishte sulmi terrorist më vdekjeprurës në Mbretërinë e Bashkuar dhe shpërthimi i parë me bombë që pas shpërthimeve në Londër, në 7 korrik 2005.
Disa nga familjarët e viktimave shpërthyen në lot pas vendimit të dhënë. Nëna e njërës prej viktimave tha se vendimi i gjykatës “është një ngushëllim për të, pasi tregon që sistemi i drejtësisë britanike ka luajtur rolin e tij ...".
Një tjetër prind i një prej viktimave tha se "ky aktgjykim nuk do të sjellë pas 22 viktimat e vrarë nga Salman dhe Hashem Abedi", por do të sigurojë "një ndjenjë dërrmuese drejtësie për të gjithë ata që u prekën nga ky krim i rëndë".
Njëzet e dy burra, gra dhe fëmijë, të moshës tetë deri në 51 vjeç, u vranë në sulmin e 22 majit 2017, ndërsa 264 persona mbetën të plagosur. Po ashtu, 670 të tjerë raportuan trauma psikologjike si rezultat i këtsaj ngjarje.
Prokurori Duncan Penny, i cili ndoqi çështjen, tha se vëllezërit Abedi kishin kaluar "muaj" duke planifikuar shpërthimin dhe kishin "qëllim të përbashkët për të vrarë, sakatuar dhe plagosur sa më shumë njerëz të ishte e mundur".