Sulmi ndaj A1 Report në Lazarat,
pasqyrohet në Mediat shqiptare

Sulmi ndaj A1 Report në Lazarat,<br />pasqyrohet në Mediat shqiptare
Një pjesë e mediave shqiptare janë solidarizuar me televizionin A1 Report pas sulmit që pësoi ekipi i xhirimit prej 4 anëtarësh në fshatin Lazarat të hënën.

Media të shumta kanë raportuar lajmin mbi orët e tmerrit që përjetuan gazetari Gerti Xhaja, dhe tre anëtarët e tjerë të ekipit ndërsa raportonin live mbi operacionin e policisë në Lazarat.

I pari ishte televizioni Top Channel, gazetarja e të cilit Kristina Fidhi mbërriti e para në vendngjarje duke mundur të filmonte dhe pamjet e automjetit të djegur të televizionit A1 Report. “Situata në fshat u bë dramatike. Në rrugë pati edhe makina të djegura, mes të cilave edhe ajo e kolegëve të televizionit 'A1 Report'”-raportoi Top Channel ndërsa pershkruante sulmin ndaj ekipit të A1 Report.
 
Ndërkaq në një editorial me titull  “Kolumbianët” në Lazarat urrejnë reporterët, në gazetën Shqip, e cila gjithashtu raportonte sot mbi sulmin, kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë flet për rrezikun që përjetoi grupi i A1 Report duke vlerësuar kurajon e 4 anëtarëve të ekipit që tentuan të raportojnë live mbi atë që ndodhte në Lazarat ndërsa u gjendën përballë breshërisë së plumbave.

“Gazetari kurajoz i Kronikës, Gerti Xhaja, dhe një grup xhirimi të “A1 Report” janë gjendur për disa çaste në pengmbajtje dhe i dhunuar, kërcënuar dhe në rrezik real për jetën. Automjeti i televizionit, është shkrumbuar plotësisht.

Pra, në këtë mënyrë, gazetari pas 16 vjetësh në mjediset e këtij fshati është i rrezikuar për shkak se shkakton “konflikt interesi” jo me fshatin dhe banorët por me një grup që jeton në një gjendje paramilitare prej gati 20 vjetësh”-shprehet Cipa në këtë editorial ku thekson se kjo kronikë e ripërsëritur mes grupeve të krimit dhe gazetarëve në këtë fshat është shprehje domethënëse për sfidën që i bën krimi dhe individët e tij në këtë fshat, ligjit, shtetit dhe shoqërisë moderne.
 
Po kështu sulmi i së hënës ndaj ekipit të A1 Report, është pasqyruar edhe në të përditshme të tjera si gazeta Tema, e cila publikoi dhe lajmin e reagimit nga përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e medias Dunja Mijatoviç dhe deklaratën e përbashkët nga Forumi Shqiptar për Mediat e Lira, Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë dhe Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të cilët i bënë thirrje Prokurorisë të hetojë personat që dhunuan dhe rrezikuan jetën e gazetarëve.

Po kështu edhe Qendra për Çështjen e Informimit Publik (INFOCIP) dhe Unioni i Gazetarëve kanë dënuar dhunën e ushtruar ditën e djeshme ndaj grupit të televizionit A1 Report nga kriminelët e Lazaratit duke e konsideruar aktin ndaj A1 Report si një shkelje e rëndë e lirisë së medias dhe shoqërisë civile, kanë bërë thirrje që autorët e dhunës së ushtruar të dalin para ligjit dhe të dënohen për aktin në fjalë. Lajmi i sulmit është raportuar edhe nga gazeta Mapo apo media ndërkombëtare si Balkan Insight.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Ja ç’do ndodhë në Dhjetor! Lëvizje të forta planetare, Jorgo Pulla paralajmëron shenjat…/ Horoskopi për muajin Dhjetor

Ja ç’do ndodhë në Dhjetor! Lëvizje të forta planetare, Jorgo Pulla paralajmëron shenjat…/ Horoskopi për muajin Dhjetor