Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Jashtme në Shqipëri e cilësuan të pavërtetë pretendimin se Shqipëria ishte të dielën pikënisje e dornëve detarë që goditën luftanijen ruse Mercury në brigjet e Libisë. Reagimi erdhi pasi Clash Report dhe VisionerGeo, dy faqe lajmesh online në Turqi dhe Gjeorgji shpërndanë informacionin.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme theksoi se Shqipëria nuk ishte e përfshirë në incident dhe se territori i saj as ishte përdorur, as ishte vënë në dispozicion për nisjen apo lehtësimin e sulmit.
"Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka marrë dijeni për raportimet sipas të cilave sulmi me dron detar kundër një korvete ruse e ka pasur origjinën nga territori shqiptar. Raportimet në fjalë janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë faktet. Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur, e as nuk është vënë në dispozicion, për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë. I hedhim poshtë kategorikisht këto pretendime, të cilat janë paraqitur pa prova të verifikueshme. U bëjmë thirrje atyre që janë përgjegjës për përhapjen e tyre që të korrigjojnë informacionin, si dhe të tregojnë saktësi, kujdes të duhur dhe përgjegjshmëri kur raportojnë për çështje të një ndjeshmërie të tillë", shkroi Ministria e Jashtme.
Ndërsa, Ministria e Mbrojtjes tha "se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë nuk kanë kryer, nuk kanë marrë pjesë dhe nuk kanë ofruar asnjë mbështetje për një operacion të tillë.” Tirana zyrtare bëri thirrje që informacioni, përveçse nuk është i vërtetë, të mos merret për bazë në raportime në vijim.
Faqja turke Clash Report në postimin e saj pretendonte nisjen e droneve që goditën anijen ruse në Libi ishin nisur nga Shqipëria thoshte në titull se Ukraina po trazon Mesdheun.
Më vonë faqja gjeorgjiane i mëshoi edhe më tej informacionit të rremë duke shpërndarë njëkohësisht edhe pamje grafike të itinerarit prej 800 km të dronëve të supozuar me pikënisje Shqipërinë.
Në Benghazi të Libisë, të dielën, anija militare ruse ‘Mercury’ u shkatërrua së bashku me një helikopter ndërsa u godit edhe një anije transporti që dyshohej se lëvizte armë. Për operacionin u përdorën 7 drone nënujore.
Këto i konfirmoi edhe Presidenti ukrainas Volodymir Zelensky në një postim në x ku mori përsipër autorësinë ukrainase të sulmit të cilin e quajti shembullor.
Ajo sipas tij erdhi si kundërpërgjigje e sulmeve ruse në ditët e fundit teksa reagimi i tij ishte i treti që përgënjeshtroi përfshirjen e Shqipërisë në operacion.
Pretendimi i Clash Report se droni u nis nga Shqipëria
Pretendimi i Visoner se droni u nis nga Shqipëria

Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se Forcat e Armatosura shqiptare nuk kanë kryer e as mbështetur operacionin e sulmit me dronë detarë ndaj luftanijes ruse në brigjet e Libisë.
Ministria thotë se dy platformat Clash Report dhe Visioner, kanë pretenduar se dronët janë nisur nga Shqipëria duke përshkuar mbi 800 kilometra në Mesdhe.
Ky informacion nuk është mbështetur në prova e fakte, thuhet në reagim, ndërsa sulmi ndaj anijes nuk provon origjinën e mjeteve të përdorur.
Në fund kërkohet përgjegjësi për raportimin e qartë mbi çështjet e sigurisë. Më herët, presidenti i Ukrainës, Volodymy Zelensky, ka konfirmuar se sulmi është organizuar nga forcat e vendit të tij dhe janë përdorur 7 dronë detarë.
Reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes:
Për informacion, lidhur me pretendimet mbi përfshirjen e Shqipërisë në një sulm me dronë detarë ndaj një luftanijeje ruse pranë brigjeve të Libisë:
Platforma Clash Report, e ndjekur nga Visioner, ka përhapur pretendimin se dronët e përdorur për goditjen e anijes ruse janë nisur nga territori shqiptar, duke përshkuar mbi 800 kilometra në Detin Mesdhe.
Ky pretendim nuk shoqërohet me asnjë provë të verifikueshme për vendnisjen e dronëve apo identitetin e operatorëve. Paraqitja e një informacioni të tillë si fakt, pa prova dhe pa verifikim të pavarur, krijon një narrativë dezinformuese që e lidh Shqipërinë me një operacion ushtarak kundër Rusisë.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e ka përgënjeshtruar zyrtarisht pretendimin.
Ministria e Mbrojtjes konfirmon se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë nuk kanë kryer, nuk kanë marrë pjesë dhe nuk kanë ofruar asnjë mbështetje për një operacion të tillë.
Duhet bërë dallimi mes raportimeve për sulmin ndaj anijes ruse dhe pretendimit se ai është organizuar apo realizuar nga territori shqiptar. Ekzistenca e një sulmi nuk provon origjinën e mjeteve të përdorura dhe aq më pak përfshirjen e Shqipërisë.
Ministria e Mbrojtjes mbështet qëndrimin zyrtar të MEPJ-së dhe e konsideron lidhjen e pabazuar të Shqipërisë me këtë operacion një informacion çorientues, që nuk duhet të riprodhohet si fakt i konfirmuar.
Përgjegjësia në raportimin e çështjeve të sigurisë kërkon dallimin e qartë mes fakteve të verifikuara dhe pretendimeve të pambështetura në prova.
Korveta e përmbysur e marinës ruse Merkury, imazh satelitor
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka marrë përsipër sulmin ndaj një anijeje ushtarake ruse pranë brigjeve të Libisë, ndryshe nga sa u pretendua në disa media se droni ishte nisur nga Shqipëria. Sipas tij, dronët detarë ukrainas e fundosën anijen.
Në një postim të hënën në platformën X, Zelensky tha se forcat ukrainase përdorën shtatë dronë detarë të prodhuar në Ukrainë në operacionin që fundosi korvetën ruse.
“Po vazhdojmë operacionet tona në zonat detare të përcaktuara. Po i përgjigjemi agresionit të Rusisë. Po zhvillojmë armët ukrainase,” tha ai.
Forcat ukrainase goditën gjithashtu anijen ruse të mallrave “MV Angara”, të cilën, sipas Zelenskyt, Moska e përdorte për të transportuar armë. Ai shtoi se gjatë sulmit u shkatërrua edhe një helikopter ushtarak Ka-27.
Zelensky falënderoi Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës (SBU) dhe forcat e tjera ukrainase të mbrojtjes që morën pjesë në atë që ai e cilësoi si “një operacion shembullor ukrainas në përgjigje të luftës së Rusisë.”
Zelensky tha se të dielën dhe të hënën kishte marrë informacione të hollësishme për operacionin dhe se “objektivat që kishim përcaktuar u arritën.”
-
Sala i ka fajet or teeeejjjjj
Përgjigju








Komente
Komento