Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se Forcat e Armatosura shqiptare nuk kanë kryer e as mbështetur operacionin e sulmit me dronë detarë ndaj luftanijes ruse në brigjet e Libisë.
Ministria thotë se dy platformat Clash Report dhe Visioner, kanë pretenduar se dronët janë nisur nga Shqipëria duke përshkuar mbi 800 kilometra në Mesdhe.
Ky informacion nuk është mbështetur në prova e fakte, thuhet në reagim, ndërsa sulmi ndaj anijes nuk provon origjinën e mjeteve të përdorur.
Në fund kërkohet përgjegjësi për raportimin e qartë mbi çështjet e sigurisë. Më herët, presidenti i Ukrainës, Volodymy Zelensky, ka konfirmuar se sulmi është organizuar nga forcat e vendit të tij dhe janë përdorur 7 dronë detarë.
Reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes:
Për informacion, lidhur me pretendimet mbi përfshirjen e Shqipërisë në një sulm me dronë detarë ndaj një luftanijeje ruse pranë brigjeve të Libisë:
Platforma Clash Report, e ndjekur nga Visioner, ka përhapur pretendimin se dronët e përdorur për goditjen e anijes ruse janë nisur nga territori shqiptar, duke përshkuar mbi 800 kilometra në Detin Mesdhe.
Ky pretendim nuk shoqërohet me asnjë provë të verifikueshme për vendnisjen e dronëve apo identitetin e operatorëve. Paraqitja e një informacioni të tillë si fakt, pa prova dhe pa verifikim të pavarur, krijon një narrativë dezinformuese që e lidh Shqipërinë me një operacion ushtarak kundër Rusisë.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e ka përgënjeshtruar zyrtarisht pretendimin.
Ministria e Mbrojtjes konfirmon se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë nuk kanë kryer, nuk kanë marrë pjesë dhe nuk kanë ofruar asnjë mbështetje për një operacion të tillë.
Duhet bërë dallimi mes raportimeve për sulmin ndaj anijes ruse dhe pretendimit se ai është organizuar apo realizuar nga territori shqiptar. Ekzistenca e një sulmi nuk provon origjinën e mjeteve të përdorura dhe aq më pak përfshirjen e Shqipërisë.
Ministria e Mbrojtjes mbështet qëndrimin zyrtar të MEPJ-së dhe e konsideron lidhjen e pabazuar të Shqipërisë me këtë operacion një informacion çorientues, që nuk duhet të riprodhohet si fakt i konfirmuar.
Përgjegjësia në raportimin e çështjeve të sigurisë kërkon dallimin e qartë mes fakteve të verifikuara dhe pretendimeve të pambështetura në prova.
Lajmi kryesor:
Goditja e anijes ruse në Libi, Ministria e Jashtme në Tiranë rrëzon pretendimet e mediave: E pavërtetë nisja e dronit nga Shqipëria, s’jemi të përfshirë! Ukraina merr përsipër sulmin (VIDEO)






