Ky ka qënë vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila gjatë ditës së djeshme shqyrtoi kërkesat e prokurorit, për të arrestuarit e operacionit policor në Elbasan.
Raporti konfidencial: Policët nuk e njohin Suel Çelën
Në kërkim policor vijon të jetë dhe shtetasi Suel Çela, djali i biznesmenit Petrit Çela, i cili zotëron tregun ushqimor. Ndërkohë në raportin e policisë që prokuroria lexoi në gjykatë, thuhet se policët nuk kanë njohur Suel Çelën, duke dhënë vetëm karakteristikat e tij trupore. Policia disponon një video për ngjarjen, pasi në raport theksohet se do të analizohen pamjet filmike.
“Kërkimi për personin që e kishte drejtuar atë në hyrje të teritorit të objektit (megjithë përshkrimin fizik që bënë disa prej punonjësve të policisë, atë të një djali të ri, fytyrërrumbullak e me kapele) nuk dhe rezultat pozitiv, megjithë kërkimet që u bënë dhe brenda bar restorantit, nga kontrolli e kqyrja e të cilit u vu re se hapja e disa dyerve të brendshme, të nxirrte në një rrugë tjetër, në krahun më jugor të objektit, nga ku mund të largoheshe”-thuhet në raportin e policisë.
SMS për një vrasje vuri në lëvizje policët
Sipas verifikimit të dosjes gjithçka ka nisur me një telefonatë,e cila mësohet të jetë përgjuar nga strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe Ankesave në Policinë e Shtetit. Personi që telefononte kërkonte ndihmë nga policia, pasi dyshonte se i ishte ngritur pritë për ta vrarë.
Telefonata e bërë specialistit të krimeve që besohet se ka qenë një shtetas shumë i përfolur dhe me precendetë penalë me emrin Sokol Ç. Mesazhi i telefonatës ishte ky: “Koli jam. Më ndihmo se në brendësi të tunelit më kanë dalë dy makina dhe më kanë bllokuar rrugën.
Është një “Range Rover” dhe një “Audi” me ngjyrë të zezë. Jam i frikësuar”. Rezulton se telefonata është kryer në orën 16:20 dhe menjëherë i është shpërndarë sallës operative dhe zëvendësdrejtorit të policisë. Pas kësaj,zv/drejtori Gjergj Oshafi me patrullat në teren ka bërë lokalizimin e automjetit tip “Range Rover”, i cili udhëtonte në drejtim të kundërt.
Pas ndalimit të mjetit ku brenda tij ndodheshin Ledio Zabeli, 26 vjeç, Endri Copja 35 vjeç. Gajtë kontrollit të makinës është gjetur një radio dore, e ngjashme me radiot e policisë, që e mbanin dy persona që udhëtonin me Range Rover.
Ky send mund të ketë shërbyer si mjet që personat të hynin në valët e policisë dhe të dëgjonin, urdhërat dhe lëvizjet e policisë. Ka dyshime se personat në makinën “Audi” dhe “Range Rover”, mund të kenë mësuar për lëvizjet e policisë dhe janë larguar nga prita e ngritur shtetasit Sokol Ç.
Radioja e policisë
Në materialet e policisë, shkruhet se rreth orës 20:00 të datës 18 shtator u në “Range Rover” ishin dy persona, Ledio Zabeli dhe Endri Çopja “Më parë këtij automjeti i ishte bërë thirje të ndalonte, dhe ai kishte ndaluar përpara derës së tregut Agroushqimor.
Në ndjekje të këtij mjeti, policët i kishin parë në dorë pasagjerit të këtij mjeti, një radio si ata të policisë. Ndërsa ky mjet i ishte ndaluar policisë, dhe policët kishin kërkuar të shihnin radion që pasagjeri mbante në dorë, Ledio Zabeli kishte tentuar tia linte radion e dorës, rojes së tregut Agroushqimor, por policët nuk e kishin lejuar ta bënte këtë. Policët i kërkuan drejtuesit të mjetit dokumentat e makinës, dhe ai u deklaroi se mjeti ishte në pronësi të Petrit Çelës”.
Debati me personat dhe shoqërimi
Efektivët e policisë fillimisht debatuan me dy personat e ndaluar, që nuk pranonin të shoqëroheshin për verifikim në komisariat. Ndalimin e bëri zv/drejtori i policisë, i shoqëruar nga tre policë të tjerë. Kur vunë re se situata po tensionohej, policët kërkuan përforcime.
Pasi mbërriti një furgon i “Shqiponja” dhe një furgon tjetër “patrullë policie”, njëri prej punonjësve të policisë hipi në “Range Rover” bashkë me drejtuesin e mjetit Endri Çopja, ndërsa Ledio Zabelin e fusin në furgonin e policisë “Shqiponja”. Sapo u bënë gati të lëvizin drejt Komisariatit, ndodh sulmi nga një “Audi” i zi, që më pas rezultoi se ishte i blinduar.
Përshkrimi i sulmit
Në raport përshkruhet momenti i sulmit përshkruhet si më poshtë:“Një makinë e tipit Audi, ngjyrë e zezë, ka ardhur me shpejtësi nga qyteti/juglindja e Elbasanit, dhe pasi është futur mes dy makinave të policisë, automjetit Volzvagen autoveturë me targë policie MB002AA, dhe Furgonit Patrullë Policie, ka ndeshur me pjesën anësore,majtas të mjetit, autoveturën me targë policie MB002AA, në pjesën fundore, majtas, krahu i shoferit, në prapakolp, dhe menjëherë ka hyrë në teritor të tregut Agroushqimor, porta e të cilit është hapur nga dikush/roja I objektit, në distancë, me anë të pulti komandimi (pasi vetë roja nuk është vënë re tek porta), dhe menjëherë pas kësaj porta e objektit është mbyllur përsëri”.
Në raportin konfidencial theksohet qartësisht se sulmi me Audi rrezikoi jetën e policëve. “Nga ky manovrim i drejtuesit të autoveturës “Audi”, u rrezikua dukshëm jeta e oficerëve të policisë që ishin brenda kësaj makine në këtë moment, dhe e policëve të tjerëve, që ndërkohë po përgatiteshin të hipnin në makinat përkatëse për të shkuar në Komisariat”
Policia qëllon me armë në ajër
Në përgjigje një nga efektivët e policsë qëlloi me armë në ajër, por drejtuesi i “Audit” ndërkohë ishte futur në tregun agroushqimor.
Policët tentuan ta ndjekin me shpejtësi, por në këtë moment, roja i tregut mbylli derën përmes pultit telekomandues. Thirrjet e policisë për të hapur derën ishin të kota, deri në mbërritjen e pronarit të objektit, Petrit Çela.
Biznesmeni rezultoi se ishte edhe pronari i mjetit me të cilin u sulmua policia. Me mbërritjen e Çelës u hap dera e objektit, por policët saktësojnë se “kjo gjendje zgjati shumë në kohë”. Një tjetër moment i ngjarjes është ai i gjetjes së makinës Audi.
Megjithëse policët janë të bindur se ishte ky mjeti me të cilin u sulmuan, çelsat e saj i solli Petrit Çela.“Celësat e saj i solli Petrit Cela, dhe ajo u hap. Në pamje të parë ajo dukej makinë e blinduar.
Në të, nga jashtë, në pjesën anësore, majtas, krahu I shoferit, viheshin re shenja gërvishjeje që fillonin nga dera e shoferit dhe vazhdonin deri në derë të pasagjerit, majtas, e ndërsa shiriti I këtij krahu u gjet në tokë. Kjo përforcoi dyshimin që ky mjet kishte goditur mjetin e policisë më pare”.