Sulmi i një dite më parë me dron ndaj një lokomotive të trenit të pasagjerëve Kiev-Varshavë pranë kufirit mes Ukrainës dhe Polonisë kishte si synim të frikësonte Perëndimin dhe ta dekurajonte nga mbështetja për Kievin. Kështu e interpretuan Bashkimi Evropian, NATO-ja dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilat thanë se përgjigjja ndaj Moskës duhet të jetë rritja e mbështetjes për Ukrainën, jo tërheqja.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, tha se goditja ishte “një mesazh për botën perëndimore”.

“Qëllimi ishte qartë të dekurajonte vendet perëndimore që të vazhdonin të mbështesnin Ukrainën ose të shkonin atje për të treguar solidaritet. Ne duhet të bëjmë të kundërtën. Duhet të tregojmë se jemi në krah të Ukrainës dhe të mos lejojmë që të na frikësojnë, sepse përndryshe Rusia do të arrijë pikërisht atë që kërkon”, deklaroi Kallas në mbërritje në Samitin Arktik Evropian në Rovaniemi të Finlandës.

Në të njëjtin samit reagoi edhe kancelari gjerman Friedrich Merz. “Këtu, në skajin më verior të Evropës, mund të shihet se sa shumë kërcënohet paqja në Evropë. Mund t'u bëj vetëm thirrje të gjithëve që ta marrim seriozisht këtë kërcënim”, tha ai.

Edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se sulmi tregon se presidenti rus Vladimir Putin “është bërë i dëshpëruar”.

“Rusia vazhdon të reagojë me sulme të pamenduara dhe të rrezikshme, edhe kundër infrastrukturës civile pranë territorit të NATO-s. Putini beson se mund të na pengojë të mbështesim Ukrainën dhe të minojë unitetin tonë. Gabon. Përgjigjja jonë është të rrisim mbështetjen për Ukrainën, në mënyrë që ajo të ketë atë që i nevojitet për t'u mbrojtur”, u shpreh Rutte.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Mbretëria e Bashkuar. Një zëdhënës i Downing Street e cilësoi goditjen një akt frikësimi nga Moska, por theksoi se Londra nuk do të trembet dhe nuk do të zbehtë mbështetjen për Ukrainën.

Pas ngjarjes, kryeministri polak Donald Tusk thirri një mbledhje emergjente me ministrat e Mbrojtjes dhe të Brendshëm, si edhe drejtuesit e shërbimeve sekrete. Sipas qeverisë polake, takimi u zhvillua për shkak të sulmeve të fundit ruse pranë kufirit me Poloninë.

Ndërkohë, ushtria polake njoftoi se ka gjetur një dron të dyshuar ushtarak rus pranë një plazhi në brigjet e Detit Baltik. Ministri i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, tha se verifikimet paraprake tregojnë se bëhet fjalë për një mjet ushtarak pa pilot me origjinë ruse, ndërsa autoritetet po kryejnë procedurat për sigurimin e zonës dhe pajisjes së gjetur.

Sipas autoriteteve ukrainase dhe polake, droni rus goditi lokomotivën e trenit Kiev-Varshavë pranë stacionit kufitar të Yahodynit, rreth dy kilometra nga kufiri me Poloninë. Treni ishte evakuuar rreth 15 minuta më herët dhe nga goditja nuk pati viktima.

Në një tren tjetër, i cili u ndal për shkak të alarmit ajror në të njëjtën linjë, ndodheshin ish-kryeministri britanik Boris Johnson, ish-drejtori i CIA-s David Petraeus, këshilltarë për sigurinë nga Italia, Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, si edhe përfaqësuesi italian Fabrizio Saggio, të gjithë në kthim nga konferenca “Yalta European Strategy” në Kiev.

Johnson e quajti sulmin “të pakuptimtë”, duke thënë se është “lloji i sulmeve që ukrainasit përjetojnë çdo ditë”. Ai u bëri thirrje aleatëve të furnizojnë Ukrainën me më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe të përdorin asetet e ngrira ruse për të mbështetur Kievin.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë se kishte goditur qëllimisht lokomotivën dhe një pikë karburanti pranë kufirit. Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se objektiv ishin infrastrukturat hekurudhore të përdorura për transportin e furnizimeve ushtarake nga vendet evropiane.

Sipas autoriteteve ukrainase, sulmi shkaktoi vonesa në linjën hekurudhore drejt Varshavës dhe në disa linja të tjera brenda Ukrainës. Kievi tha gjithashtu se Rusia lëshoi rreth 300 dronë gjatë ditës së djeshme.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump tha se si Ukraina ashtu edhe Rusia kanë pranuar të ndalojnë sulmet ndaj rafinerive dhe infrastrukturës energjetike.

Në një postim në rrjetin e tij social Truth, Trump shkroi se Kievi ka rënë dakord të mos godasë objektivat energjetike ruse, ndërsa sipas tij edhe Moska ka pranuar të bëjë të njëjtën gjë.

“Ukraina ka rënë dakord të mos godasë objektivat energjetike ruse. Rusia ka pranuar të bëjë të njëjtën gjë! Rritja e çmimit të naftës dizel në nivel global vjen kryesisht nga lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, jo nga Irani”, shkroi Trump.