Autoritetet shqiptare e kanë dënuar sulmin terrorist në zyrat e revistës satirike “Charlie Hebdo” ku janë vrarë disa persona, mes të cilëve gazetarë dhe policë. Sulmi terrorist ku kanë mbetur edhe disa persona të plagosur është realizuar nga dy persona të maskuar dhe të armatosur me kallashnikov.

Presidenti Nishani në një mesazh ngushëllimi që i dërgon homologut të tij francez, ku shprehet se ndjehet i shokuar nga ngjarja. Ndërsa kryeministri Rama përmes rrjetit social "Twitter" e cilëson ngjarjen si një kasaphanë. Ndërkohë që kreu i Kuvendit, Ilir Meta e ka cilësuar ngjarjen si një akt të rëndë terrorist dhe si i tillë duhet të dënohet.

Gjithashtu ka reaguar edhe Ministria e Jashtme e cila ka dënuar ngjarjen dhe ka deklaruar mbështetjen për Francësn. Në vazhdën e reagimeve për sulmin terrorist në të përjavshmen franceze “Charlie Hebdo” është shprehur edhe kreu i opoztitës shqiptare, Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
  
Nishani mesazh ngushëllimi homologut francez: I shokuar nga atentati 
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i ka dërguar sot një mesazh ngushëllimi homologut të tij Francez, Francois Hollande, për viktimat dhe të plagosurit nga atentati terrorist në zyrat e revistës satirike “Charlie Hebdo” në Paris.
 
“I nderuar zoti President,
Jam tërësisht i shokuar nga atentati i sotëm terrorist në zyrat e revistës “Charlie Hebdo” në Paris, ku humbën jetën një numër i konsiderueshëm gazetarësh dhe oficerësh të policisë, si dhe u plagosën shumë të tjerë. Me ndjenjë të thellë trishtimi, u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta e të ndiera familjarëve të viktimave, popullit francez, Juve dhe Qeverisë suaj. Ju siguroj se në këto momente të vështira, unë dhe populli shqiptar jemi pranë familjarëve të viktimave dhe popullit francez, si dhe urojmë shërim sa më të shpejtë për personat e plagosur.Ky akt barbar e i patolerueshëm terrorist ndaj shtypit e fjalës së lirë, na bën edhe më të ndërgjegjshëm e më solidarë për intensifikimin e luftës sonë të përbashkët kundër terrorizmit.Ju lutem pranoni edhe njëherë, i Nderuar Zoti President, ngushëllimet e mia më të sinqerta.” - përfundon mesazhi i Presidentit të Republikës.
 
Rama: Kasaphanë mbi gazetarinë. Solidaritet, revoltë!
Për sulmin tragjik në revistën satirike franceze ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, ku në një linjë me solidaritetin ndaj Francës në këtë masakër, kreu i qeverisë shqiptare shpreh edhe revoltën për sulmin.
 
“Çfarë dhunimi për Francën e lirisë, barazisë, vëllazërimit, kasaphana mbi redaksinë e gazetës së famshme satirike! Trishtim, solidaritet, revoltë”, shkruan Rama në rrjetin social Twitter
 
Meta: Toleranca fetare nuk mund të kërcënohet. Shqipëria në radhë kundër terrorizmit
Reagimeve të Tiranës zyrtare për aktin terrorist në të përjavshmen satirike “Charlie Hebdo” i është bashkuar edhe kryeparlamentari Ilir Meta. Sipas tij, ky është një akt i rëndë terrorist dhe si i tillë duhet të dënohet.
 
Kryetari i Kuvendit u shpreh se akti terrorist kundër qytetarëve të pafajshëm dhe për më tepër kundër medias së lirë kërkon ndëshkim maksimal të autorëve dhe frymëzuesve të tyre.
 
“Demokracia perëndimore në përgjithësi, toleranca e bashkëjetesa mes të ndryshmëve në origjinë, bindje apo dhe përkatësi fetare dhe liria e fjalës në veçanti, janë institucione të cilat qëndrojnë në themel të së sotmes dhe të ardhmes evropiane dhe ato nuk mund të kërcënohen e shantazhohen nga asnjë ndërhyrje nga jashtë”, tha Meta.
 
Kryetari i Kuvendit shprehu ngushëllimet për të afërmit e viktimave. “Në këto çaste të rënda, ngushëllimet më të thella shkojnë për të afërmit e viktimave dhe lutje për shërimin sa më shpejt të të lënduarve”, tha Meta.
 
Ky sulm ka shërbyer për të përforcuar edhe njëherë qëndrimin e Shqipërisë kundër terrorizmit. “Shqipëria gjen rastin të shprehë bindjen e saj të pandryshuar dhe rreshtimin e saj të hershëm në koalicionin e madh demokratik kundër terrorizmit dhe terrorit të të gjitha ngjyrave”, thuhet në njoftimin zyrtar të Kuvendit të Shqipërisë.
 
Bushati: Jemi me Francën në këtë moment të vështirë
Lidhur me sulmin e armatosur në revistën satirike franceze “Charlie Hebdo” ka reaguar edhe Ministri i Brendshëm shqiptar, Ditmir Bushati. Ai ka shkruar në Twitter se Shqipëria dënon fuqimisht sulmin. “Shqipëria dënon fuqishëm sulmin terrorist në #CharlieHebdo. Ne jemi me Francën në këto kohë të vështira”, ka shkruar ministri Bushati.

Reagimi zyrtar i Ministria e Punëve të Jashtme: 
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë dënon me vendosmëri atentatin e ndodhur sot në selinë e revistës “Charlie Hebdo” në Paris, si një akt i rëndë terrorist që tronditi popullin francez dhe gjithë komunitetin e medias botërore.
 
Ministria e Punëve të Jashtme nënvizon se asgjë nuk mund të justifikojë sulmin ndaj fjalës së lirë. Republika e Shqipërisë bashkohet me dhembjen e popullit francez dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave dhe autoriteteve franceze.

Basha: Sulmi ndaj revistës thellësisht tronditëse
Sulmi dhe vrasjet që ndodhën sot në Paris ndaj revistës “Charlie Hebdo” dhe stafit të saj ishin thellësisht tronditëse. Duke i dënuar me ashpërsinë më të madhe këto akte terroriste, dhe përcjellë ngushëllimet më të ndjera për jetët e humbura si dhe shpresën e përmirësimit për jetët e rrezikuara, Partia Demokratike qëndron përkrah Francës e aleatëve në luftën kundër terrorizmit dhe në mbrojtjen e përhershme të lirisë e fjalës së lirë.

Sali Berisha: “Akt terrorist barbar në Paris!”
Në vazhdën e reagimeve për sulmin terrorist në të përjavshmen franceze “Charlie Hebdo” është shprehur edhe deputeti i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
 
”Të dashur miq. Parisi, Franca dhe mbarë bota u shokuan sot nga një sulm mizor terrorist ndaj revistës satirike “Charlie Habdo”, avanguard e mendimit të lirë në mediat e Francës dhe mbarë botës. Në këtë masakër makabre terroristë janë ekzekutuar dymbëdhjetë vetë, drejtues dhe gazetarë të Charlie Habdo, roje të sigurisë dhe plagosur dhjetë të tjerë, disa prej të cilëve janë në gjendje kritike.
 
Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë akt barbar dhe shprehur ngushëllimet më të thella dhe solidaritetin më të lartë familjarëve të viktimave, autoriteteve të vendit mik, uroj që ligji dhe drejtësia të bjerë me forcën më të madhe ndaj të gjithë atyre terroristëve, që kanë ideuar, sponsorizuar dhe ekzekutuar këtë akt horror terrorist të shëmtuar!”

Redaksia Online
(a.h/shqiptare.com)