Një 17-vjeçar, djali i Kryetares së Gruas Demokratike në Berat, Këze Muskas, është proceduar penalisht sot, pasi akuzohet si autor i ngjarjes së djeshme, ku u goditën me gurë zyrat e PS-së në Berat.
Bëhet me dije se i mituri me inicialet Z.M., është identifikuar pas sekuestrimit të kamerave të sigurisë të bizneseve përreth kësaj zyre elektorale.
Burime të brendshme nga PS e kanë cilësuar ngjarjen si "incident elektoral" dhe të qëllimshme gjatë fushatës.
Ngjarja u regjistrua ditën e djeshme, ku u godit me gurë zyra e PS-së në lagjen "30 Vjetori" që ndodhet në anë të rrugës kryesore të qytetit. Dera e jashtme e kësaj zyre elektorale është thyer.
Më parë janë sulmuar zyrat elektorale të Partisë Socialiste dhe të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet në Fier. Në lagjen "1 Maj" Fier, në rrugën "Jani Bakalli" dhe pranë poliklinikës, nga ana e shërbimeve të Policisë së rendit, janë konstatuar të dëmtuara me gur dy xhama të zyrave elektorale të këtyrë subjekteve politike. Pas incidentit në Fier, një banderolë e PS e vendosur në qendër të qytetit të Elbasanit është djegur.