Derbi është derbi dhe 26 pikë diferencë mes skuadrave nuk e bënë dallimin mes Interit dhe Juventusit në supersfidën e javës së 34 të “Seria A”. Në “San Siro-n” e tejmbushur zikaltërit luftuan dhëmbë për dhëmbë me ‘zonjën’ e shpallur kampione, madje e mbyllën në avantazh pjesën e parë pas golit mahnitës të Nainggolan. Belgu në minutën e 7-t lëshoi një ‘silur’ nga jashtë zone, që pavarësisht reagimit të Szczesny ishte e pamundur për t’u ndalur.
Në pjesën e dytë Juventusi futet me tjetër mendësi në lojë dhe pas disa shkëndijave arrin të barazojë me Cristiano Ronaldo-n që kundër Interit realizoi golin e 600 në karrierë. Portugezi asistin e bukur me thembër të Pjanic e konkretizoi në gol me një të majtë të thatë, që la të palëvizur kapitenin zikaltër Handanovic.
Në pjesën e mbetur të lojës ishte Interi më këmbëngulës, por në fund skuadrat ndanë pikët, me zikaltërit të cilët të paktën edhe 1 javë e kanë të sigurtë vendin e tretë.