Superliga shqiptare e futbollit është në aktin e fundit për vitin 2024, me javën e 19-të që është e shtrirë në tre ditë.
Këtë të premte do luhen dy duele. Gjithçka nis në Korçë në orën 16:30 me sfidën Skënderbeu - AF Elbasani. Ivan Gvozdenovic rikthehet në Korçë pas pak javësh, por tanimë si kundërshtar. Në 19:00 në "Arenën e Demave" Partizani vendas pret Vllazninë, me sfidën që vlen kreun.
Të shtunën Laçi dhe Tirana përballen në orën 13:30, ndërsa Dinamo dhe Egnatia do kërkojnë t'i prishin punë njëra-tjetrës, me dy skuadrat që duan të jenë në krye të renditjes, me Blutë që për momentin janë në vendin e parë me 31 pikë, aq sa ka edhe Vllaznia.
Gjithçka për këtë javë mbyllet të diel në "Niko Dovana" të Durrësit, aty ku Teuta luan me Bylis. Ndërkohë disa prej trajnerëve kanë folur për mediet.
Superliga, raundi 19-të:
E premte, 20 dhjetor 2024
16:30 Skënderbeu - AF Elbasani
19:00 Partizani - Vllaznia
E shtunë, 21 dhjetor 2024
13:30 Laçi - Tirana
16:30 Dinamo - Egnatia
E diel, 22 dhjetor 2024
16:30 Teuta - Bylis
Renditja:
Laçi dhe Tirana luajnë të shtunë në orën 13:30 për raundin e 19-të të Superligës. Bardheblutë kanë një transfertë të vështirë dhe rruga e vetme për të dalë nga kriza janë tri pikët.
Këtu e ka vendosur theksin edhe Gugash Magani, trajneri i Tiranës që doli para medieve. Me vetëm dy fitore këtë sezon, Tirana është skuadra që e ka më keq këtë kolonë të statistikave në elitë.
"Puna jonë është që të motivojmë lojtarët për çdo ndeshje, unë mendoj që këto dy javët e fundit na ka munguar fati dhe kemi pasur një farë ngërçi dhe ti shikojmë të gjitha ndeshjet si një finale, si ajo e derbit që për fat të keq nuk e fituam.
Çdo ndeshje ka historinë dhe rëndësinë e vet, ne jemi në një situatë të pazakontë, e rëndësishme është të jemi të qetë dhe me siguri për ta fituar ndeshjen. Ne s'kemi asnjë alternativë tjetër përveçse se fitore.
Mungesat - Nuk kemi rikthime, kemi dëmtime. Çdo lojtar ka rëndësinë e vet dhe të shoh veten e vet, duhet ta meritojnë fanellën dhe janë të gjithë të rëndësishëm për skuadrën.
Ndreca nuk ka pasur shumë minuta, meriton mundësinë e vet, nesër do jetë nga fillimi. Është i dyti që ka shënuar më shumë gola për Tiranën, do presojmë më shumë me atë në skuadër.
Rivali - Laçi luan futboll të bukur dhe me karakter, lufton shumë. Nuk ka humbur asnjë ndeshje në fushën e vet këto kohët e fundit, meriton gjithë respektin, por ne duam tri pikët. Lojtarët mundohen dhe bëjnë maksimumin, lojtarët veteranë janë më të qetë, gabimet duhet të jenë sa më njerëzor", tha trajneri i Tiranës, Gugash Magani.
Tirana me 18 pikë mban vendin e shtatë, ndërsa Laçi me 17 pikë ndodhet në vendin e tetë.
Dinamo dhe Egnatia përballen të shtunën në orën 16:30 në "Elbasan Arena". Java e 19-të e Superligës vendos përballë në stol Ilir Dajën dhe Edlir Tetovën. Interesant fakti se Daja ka qenë trajner i Tetovës te Elbasani dhe Besa, në kohën kur durrsaku luante ende futboll.
Në një dalje për mediet, trajneri i Egnatias, Edlir Tetova tha se nesër kërkon tri pikët andaj duhet të gjejë strategjinë e duhur.
“Kampionati - Vjen fundviti, është ndeshja e fundit për këtë sezon në kampionat. Mendoj se përgatitjet kanë shkuar mirë. Sot i japim fund, kështu jemi të përgatitur për ndeshjen e radhës. Janë shumë ndeshje. Ekipi ka pasur kurba, sigurisht që ka lodhje, por megjithatë ndeshjet janë për t’u luajtur, përderisa janë vendosur nuk ka asgjë të keqe.
Mendoj se kemi tablo të një ndeshje që na pret nesër, mendoj se kemi marrë masat e duhura dhe mendoj se do të jetë një ndeshje për t’u shijuar. Profesor Daja ka qenë trajneri im në Elbasan dhe Kavajë. Është emocion më vete, por nesër jemi kundërshtar kështu mendoj dikush do të bëjë diferencën.
Kundër një emri të madh dhe mungesat - Çdo ndeshje është strategji, ne e përgatisim këtë gjë. Mendoj do kemi diçka të veçantë për nesër, megjithatë mbetet për t’u parë. Përveç Malotës, skuadra është e plotë. Grupi është i plotë për nesër dhe jemi gati për nesër. Kemi pasur mbështetje më shumë se herët e tjera. Ekipi ka nevojë për tifozët akoma dhe mendoj që duhet të jenë në stadium nesër për ne”, tha Tetova.
Me 31 pikë, Dinamo mban kreun e renditjes, ndërsa Egnatia me 30 pikë ndodhet më shumë se pranë.
TIRANË - Partizani dhe Vllaznia luajnë këtë të premte në orën 19:00 për javën e 19-të në Superligë. Të kuqtë kanë një pikë më pak, ndërsa shkodranët bashkëndajnë kreu me Dinamon.
Para ndeshjes për mediet foli trajneri i Partizanit, Aleksandar Veselinovic. Ai tha se respektojnë kundërshtarin, por duan tri pikë. Elozhe edhe për trajnerin Thomas Brdaric.
Të kuqtë vijnë pas një ecurie jo të mirë, ku kanë katër ndeshje pa fitore (3 barazime dhe 1 humbje).
"Dy ekipet vijnë me disa mungesa në këtë përballje - Nuk di çfarë të them për këtë situatë, sepse nuk e di se çfarë do të tregoj fusha. Jam i sigurt që çdo trajner i ekipeve tona ka probleme në vazhdimësi dhe të gjithë përpiqen të gjejnë zgjidhje më të mira për ndeshjen e radhës. Kolegu Brdariç është trajner dhe njeri shumë serioz. Dhe ju e dini e kam shprehur mjaft herë që mundohem t'i respektoj të gjithë kolegët, trajnerët.
Nuk është korrekte të komentoj situatat që ka brenda vetes klubi i Vllaznisë. Kryesore është të mendojmë për veten tonë. Kjo është ndeshja e fundit e kësaj pjese të kampionatit.
Ka qenë një periudhë e gjatë duke filluar me fazën përgatitore, ndeshjet në kupat e evropës dhe lojtarët kanë gati 6 muaj në këtë proçes. Në ndeshjen e fundit ndaj Elbasanit djemtë ishin shumë të motovuar , mjaft agresiv dhe mendoj se edhe ndeshjen e radhës do të jetë e njëjta situatë. E respektojmë Vllazninë, por si gjithmonë së pari duhet të respektojmë veten tonë.
Nën drejtimin e Brdariç, Vllaznia nuk ka humbur asnjë ndeshje me Partizanin - Statistikat janë statistika, por e thash Brdariç është njeri serioz dhe trajner shumë i mirë. Besoj se gjithçka që ka ndodhur te Vllaznia, përsa i përket ecurisë, performancës dhe rezultateve është edhe meritë e tij që e ka sjell deri këtu. Statistikat janë histori, të shohim si do të jetë në fushë.
Katër ndeshje pa fitore - Përveç një ndeshje, të tjerat nuk i kemi humbur. Kemi luajtur ndeshje pas ndeshje. Përgjatë këtyre katër muajve në 16 ndeshje të luajtura, kemi humbur vetëm një. Klasifikimi tregon se 4 skuadrat e para kanë krijuar diferencë nga të tjerat.
Gjatë gjithë kohës këto 4 skuadra lëvizin me një ose dy pikë. Jam personi i fundit që mund të them është në rregull edhe kur humbasim, nuk jam njeri që më pëlqen të humb. Por mbase duhet të tregojmë respekt edhe për kundërshtarët tanë, dhe po mundohem që t'i respektoj gjithmonë edhe kundërshtarët", tha Veselinovic.