Superliga, Klodian Duro merr
 fitoren e parë me Kukësin

Superliga, Klodian Duro merr<br /> fitoren e parë me Kukësin
Thellohet kriza në Vlorë, Klodian Duro merr fitoren e parë me Kukësin në javën e dytë në bankinë, Vllaznia rikthehet te humbja në Laç 2-0, ndërsa Partizani nuk lë vend për surpriza duke bërë poker përballë Tërbunit në ‘Qemal Stafa’ 4-0. Të kuqtë janë më në formë se kurrë para ndeshjes me Tiranën që do të zhvillohet pas pak ditësh, ndryshe nga bardheblutë që humbën ndaj Skënderbeut dhe nesër do të kenë një tjetër provë të fortë ndaj Teutës në Durrës.
 
E mërkurë
Tre ndeshje janë zhvilluar sot në Superiore. Në Vlorë pritej kthesa e Flamurtarit me shpresën se administratori Idrizi ishte kthyer me ‘thesin’ plot nga Turqia dhe një projekt ambicioz, por duket se realiteti në fushë tregon gjithçka, pasi edhe ndaj Kukësit kuqezinjtë morën humbjen e radhës duke mos e ndalur ‘hemoragjinë’ prej disa javësh. Ndërsa situata sa vjen edhe përkeqësohet, pasi bojkoti i Nexhipit dhe Morinës pritet të shoqërohet edhe me të tjerë. Kukësi fitoi duelin e krizës me një autogol duke parë dritë në fund të tunelit me fitoren e parë jashtë fushe. Megjithatë jo gjithcka shkon vaj, pasi kapiteni Hallaçi nuk ishte në një fushë pas debatit me Duron. Flamurtari mbetet në kuotën e 10 pikëve, pas 4 humbjeve në 5 ndeshjet e fundit, ndërsa Kukësi 23, 3 më pak se Teuta, por me një ndeshje më shumë. Në Laç stadiumi i ri u ka sjellë fat bardhezinjve, që fitojnë ndeshjen e dytë në po kaq të zhvilluara pas rikonstruksionit duke e kthyer në një fortesë të vështirë për t’u thyer. Vllaznia u ndëshkua në Laç nga dy shkodranë, Arsid Kruja dhe Valdano Nimani duke u rikthyer te humbja, ndërsa Laçi te fitorja pas humbjes në Ballsh. NË mbrëmje zbritën në fushë vendi i parë me të fundit, Partizani-Tërbuni. Ashtu sikur pritej, Starova rreshtoi një formacion sulmues për të parë ‘stërvitjen’ e fundit zyrtare para derbit me Tiranën. Me një gol në pjesën e parë nga Ibrahimi dhe 3 të tjerë në të dytën nga Racic dhe Sukaj, që rikthehet te goli pas asgjërimit të gjatë, të kuqtë shkojnë të qetë në derbi.
 
Nesër
Dy ndeshjet e fundit të javës së 14 luhen nesër në Durrës dhe në Korçë. ‘Djemtë e detit’ të drejtuar nga Magani kanë në dorë fatin e Tiranës, pasi mund t’i rezervojnë një surprizë të hidhur para derbit me Partizanin duke e demoralizuar plotësisht. Këtë edicion edhe pse u nisën me drejtime të kundërta, Teuta ka bërë shumë herë më mirë se 24 herë kampionët e Shqipërisë. Teuta ka 6 pikë më shumë se bardheblutë dhe luan në shtëpi e qetë, pa presion dhe e motivuar për një tjetër fitore që do të linte pas një kundërshtar të fortë. Për Ilir Dajën rikthimi i besimit te ekipi që do të vinte vetëm pas një rezultati pozitiv në Durrës pas humbjes me Skënderbeun do të ishte kryesor para Partizanit. Java mbyllet në Korçë me ndeshjen Partizani-Bylisi. E ndërsa në Ballsh ka qenë gjithmonë një kundërshtar i vështirë për t’u mposhtur, jashtë fushe Bylisi ka shfaqur dobësi dhe nuk parashikohet rezistencë. Skënderbeu nuk i lejohen hapat fals, pasi Partizani vështirë të zbresë nga froni këtë edicion, prandaj tre pikët janë të detyrueshme për Mirel Josën.

Redaksia Online
(d.b/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

A e dinit, ja cilat u shqime nuk duhet t’i kombinoni kurrë me njëra-tjetrën

A e dinit, ja cilat u shqime nuk duhet t’i kombinoni kurrë me njëra-tjetrën