TIRANE - Pas përcaktimit të ekipit fitues të kampionati kombëtar të futbollit, do të zbresë në fushë pjesa tjetër e ekipeve që garojnë për kupat e Evropës dhe qëndrimin në Superligë. Ndeshja kryesore e javës do të zhvillohet në Kukës, ku vendasit do të presin ekipin e Flamurtarit të Vlorës për të përcaktuar përfundimisht se cili ekip do të shkojë në kupat e Evropës.

Ndeshja e sotme është finale për dy ekipet që kanë zhvilluar një edicion mjaft të mirë, barazimi do ti jepte shanse ekipit të Teutës që të shpresonte. Aktualisht Kukësi ka 43 pikë, ndërsa Flamurtari me Teutën kanë nga 42 pikë, por vlonjatët qëndrojnë në vendin e tretë me golavarazh më të mirë.

Një fitore e kuqezinjve sot, tre javë nga fundi do të vuloste gjithcka. Sulmuesi i ekipit të Flamurtarit, Migen Memelli shprehet optimist që ekipi do të marrë tre pikë të plota në Kukës. ‘Kjo është ndeshja e së vërtetës për Flamurtarin, finalja e edicionit. Duhet të fitojmë me cdo kusht që të kualifikohemi për në kupat e Evropës.

Kundërshtari ka arritur me meritë deri aty, cka do ta bëjë ndeshjen e vështirë, por ne do të japim maksimumin për të fituar” deklaron golashënuesi më i mirë i kampionatit. Ndeshjet e tjeta që do të zhvillohen sot janë Luftëtari – Tomorri, Laci – Shkumbini, Bylis – Teuta, Apolonia – Tirana dhe Vllaznia – Besa.

Besa duhet të marrë pikë në Shkodër për të siguruar qëndrimin, ashtu sikur edhe Tirana me Teutën për qëndruar në lojë për Evropën.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)