TIRANE - Partizani ka marrë formë dhe është nisur për në Greqi ku do të zhvillojë fazën përgatitore para fillimit të edicionit të ri futbollistik që do të nisë në gusht. Stafi teknik i ‘demave të kuq’ së bashku me 25 futbollistë kanë udhëtuar në Grevena në Greqi, ku do të qëndrojë për afro 3 javë për të konsoliduar grupin. Pas firmosje me Renato Hyshmerin dhe Aldo Mitrajn, Partizani është shumë pranë marrëveshjes me sulmuesin e Prishtinës Mentor Mazrrekaj, që pritet t’i bashkohet skuadrës në Greqi.

Ndërkohë që drejtuesit e Partizanit duket se nuk do të ndalen vetëm me afrimin e kosovarit Mazrekaj, pasi në planin e tyre janë edhe disa elementë të tjerë, sidomos në repartin e sulmit, pasi akoma nuk ka një lider që të udhëheqë grupin fitoreve në një edicion që pritet të jetë tejet i vështirë. Ndërsa në krahun tjetër, Tirana vazhdon të mbetet në udhëkryq prej disa muajsh, madje në edicionin e fundit për mungesë të sponsorëve, të cilët më shumë se nuk janë afruar, nuk janë lejuar nga Bashkia e Tiranës, por sipas zërave që qarkullojnë ditët e fundit situata do të ndryshojë.

Pas ndeshjeve të Kukësit në Evropa League, presidenti Safet Gjici flitet që do të marrë në dorë frenat e bardhebluve. Gjici ka deklaruar edhe më parë që është i hapur për të marrë drejtimin e Tiranës, por problemi qëndron në faktin që Gjici nuk pranon të afrohet thjeshtë si donator, por president me të drejta të plotë, ose më saktë të privatizojë ekipin e Tiranës. Gjithcka mbetet që të shihet në vijim.

Shkrimi u botua sot në gazrtën Shqiptarja.com (print) 26.07.2013
 
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)