TIRANË, 20 Shtator/ATSH-Arbi Fortuzi/- . Partizani është ngjitur në krye të klasifikimit të kategorisë superiore, të paktën për 48 orë, pasi ka mundur Kukësin në "Qemal Stafa", në kuadër të javës së katërt të kategorisë superiore.
Demat e kuq, në pritje të përballjes së Skënderbeut dhe Tiranës kanë mundur verlindorët me rezultatin 2-0, duke "falenderuar" edhe gjyqtarin për 11-të metërshin e akorduar në favor të tyre. Gjithësesi, pavarësisht brishtësive që skuadra e kuqe ka, ajo që bie më tepër në sy është se pas katër javëve të para të kampionatit, dyshja ofensive e përbërë nga Xhevahir Sukaj dhe Sebino Plaku funksionon. Prej startit të ndeshjes sulmuesit treguan se tashmë e njohin lojën e njëri-tjetrit. Të aftë të krijojnë hapësira dhe dhurojnë pasimin final për gol. Për Plakun rrjeta ndaj Kukësit ishte e para në kampionat, pas dygolëshit në Kupë përballë Korabit. Një kompensim i shokut të repartit Sukaj, që sakrifikoi duke luajtur i dëmtuar, për të ndihmuar ekipin në duelin përballë kuksianëve. 11-metërshi i shndërruar në gol ishte shpërblimi më i mirë për shkodranin.
Gjatë ditës së djeshme u luajt dhe përballja mes Teutës dhe Tërbunit, në "Niko Dovana" të Durrësit, ku vendasit kryen detyrën duke fituar me rezultatin 3-1 (Lamçja 11', Magani 34', Gripshi 90+1/ Dhrami 19'). Teuta me këtë fitore u ngjit përkrah Skënderbeut në vendin e dytë me 9 pikë, teksa të kuqtë kryesojnë me 10 pikë, 1 barazim e 3 fitore këtë nisje kampionati.
Gjatë ditës së sotme do të zhvillohen dy takime të tjera të superiores; Laçi-Bylis dhe Flamurtari-Vllaznia dhe të hënën do të luhet supersfida mes Skënderbeut dhe Tiranës.
Klasifikimi provizor: Partizani 10 Pikë, Teuta 9, Skënderbeu 9, Kukësi 6, Tirana 5, Laçi 3, Tërbuni e Bylis 1, Vllaznia 0