Superliga shqiptare e futbollit po përgatit raundin e 28-të. Këtë të premte gjithçka do fillojë me sfidën Egnatia - Vllaznia që luhet në Rrogozhinë dhe merr jetë me fillim nga ora 19:00. Kampionët në fuqi të Shqipërisë presin kryesuesit e Vllaznisë dhe një duel i tillë premton emocione deri në fundin e 90 minutave.
Për të analizuar këtë duel, për mediet foli mbrojtësi i Vllaznisë, Elmando Gjini. 23-vjeçari tha se ambicia e tyre është vetëm për fitore.
"Është një ndeshje shumë e vështirë. Siç e kam thënë edhe në intervista të tjera, nuk ka ndeshje të lehta në kampionatin tonë. Por si me Egnatian, si me ekipe të tjera, ne gjithmonë shkojmë me një mendim, për të fituar. Normalisht na ka ardhur keq për humbjen me Flamurtarin, edhe për faktin se kemi luajtur shumë mirë, mos të thanë se i kemi edhe dominuar. Por kështu e ka sporti, duhet vetëm të shikohet përpara dhe të bëjmë më të mirën. Golat e pësuar? Nuk mund ta mbyllim portën me çelës, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Ne japim gjithmonë maksimumin. Golat pësohen, por kështu e ka futbollin", tha mes të tjerash mbrojtësi i Vllaznisë.
Sa i takon statistikave në përballjet mes tyre, Egnatia dominon në duelet direkte kundër Vllaznisë.
Në total, Vllaznia dhe Egnatia janë përballur 29 herë në të gjitha kompeticionet. Bilanci i përgjithshëm mbetet relativisht i ekuilibruar, megjithëse me një avantazh të lehtë për skuadrën rrogozhinase. Kuqeblutë kanë regjistruar 8 fitore, ndërsa Egnatia ka triumfuar në 11 raste. Ndërkohë, 10 përballje janë mbyllur në barazim, një tregues i qartë se duelet mes këtyre dy ekipeve kanë qenë shpesh të hapura dhe të paparashikueshëm.
Sezoni aktual 2025-26 ka sjellë një tjetër kapitull interesant në këtë rivalitet. Në fazën e parë të kampionatit, Vllaznia arriti të imponojë lojën e saj dhe të fitojë me rezultatin 2-0, duke marrë një sukses të rëndësishëm ndaj kampionëve në fuqi. Në fazën e dytë, në Rrogozhinë, sfida dhuroi spektakël dhe emocione, duke u mbyllur me barazimin 2-2 pas një ndeshjeje të luftuar deri në minutat e fundit.
Ndërkohë, përballja më e fundit mes dy skuadrave në këtë sezon erdhi në javën e 19-të të kampionatit, ku Vllaznia arriti një tjetër sukses të rëndësishëm. Shkodranët fituan minimalisht 1-0 falë golit të Kallakut, një realizim që rezultoi vendimtar dhe i dha kuqebluve tri pikë shumë të vlefshme në këtë duel.
Pas 27 ndeshjeve të luajtura këtë sezon, Vllaznia kryeson renditjen me 51 pikë, ndjekur nga AF Elbasani dhe Egnatia me 49 pikë, si edhe Partizani me 42 pikë. Egnatia ka shansin për t'i marrë sot shkodranëve kreun e renditjes, ndërsa Vllaznia kërkon 'arratisjen'. Në fund Vora, Flamurtari dhe KF Tirana.
Superliga shqiptare e futbollit, raundi i 28-të:
E premte, 13 mars 2026
19:00 Egnatia - Vllaznia
E shtunë, 14 mars 2026
15:00 KF Tirana - Bylis
18:00 Flamurtari - AF Elbasani
E diel, 15 mars 2026
15:00 Vora - Partizani
18:00 Dinamo - Teuta
Renditja:
Komente










