Në Korçë do të luhet të dielën supersfida e javës së 13 të kampionatit mes Skënderbeut dhe Flamurtarit. Të besuarit e Orges Shehit vijnë pas disfatës me Laçin që pati efek domino edhe në renditje pasi Partizani i mori kreun. Në prag të sfidës, trajneri Shehi shprehet se 90 minutëshi në kurbin duhet lënë pas dhe se duhet bërë kthesa kundër vlonjatëve.
“Humbja sigurisht që nuk lë shije të mirë, por në futboll ndodh. Është një shprehje që thotë humbjen pranoje por mos e duro. Kështu që në ndeshjen me Flamurtarin do reagojmë.”
Në kampin vlonjat, Ilir Daja, nuk mund të mos fliste për rikthimin si kundërshtar në Korçë.
“Kësaj rradhe shkoj si trajner i Flamurtarit me korrektisë më të madhe pasi mbarova një kontratë në Korçë dhe më pëlqente që të vazhdoja një sfidë të re. Jam i kënaqur me zgjedhjen që kam bërë.”
Ndërkohë në Tirana po të dielën Partizani kryesues do të presë Laçin, skuadrën që në fazën e parë nuk arriti ta kalonte. Trajneri Gega në konferencën për shtyp u ndal te premio që Skënderbeu kishte vënë në dispozicion të Kastriotit për ndeshjen e javës së kaluar.
“Është punë e tyre, zgjedhja e tyre. Me lek, me politika, nuk është se ia kam shumë idenë, por është normale. Njerëzit kanë aleancat e tyre, kanë miqësitë e tyre. Partizani ndoshta është bërë i frikshëm por kjo zduhet të na vejë në gjumë. Duhet të jemi me këmbë në tokë, të forcohemi më tepër.”
Dënimi i tifozëve të Partizanit për banderolën kundër grekëvë ka përfunduar dhe përballë Laçit ata do të jenë në stadium. Për këtë futbollisti Labinot Ibrahimi shprehet:
“Ndeshja luhet për tifoz, pa ata nuk ka hijeshi futbolli. Na duhen më shumë se kurrë tifozët e Partizanit.”
Te Tirana situata është e rënduar pas incidentit që tifozët shkaktuan në fundin e ndeshjes kundër Kukësit. Para ndeshjes jetike kundër Luftëtartit trajneri i bardhebluve Ardian Mema është shprehur:
“Ata nuk janë tifozët e Tiranës, ata që veprojnë në atë mënyrë nuk i përkasin Tiranës. Tirana boll halle ka, duhet të mbajë mbi shpinë tani edhe këto 10 apo 20 persona.”
Ndeshja tjetër e ditës së dielë është ajo mes Kamzës dhe Kastriotit.