Superlinku që më bën më të lumtur
se një superman

Nëntë muaj i duhen një bebeje që të bëhet gati për t’u përballur me botën, ajrin, dritën, zhurmat dhe hijet e njerëzve e më vonë fytyrat dhe më shumë. Tiranapost.al ka 10 muaj online, por mua më duket sikur kemi këtu prej vitesh. Herë e dua dhe herë e kam përplasur tastierën, e kam urryer me shpirt dritën e telefonit dhe punën kohë e pa kohë. Asnjë ditë nuk ka qenë e lehtë dhe aq më pak e qetë. Por çdo ditë kam mësuar shumë më shumë nga ky portal për gazetarinë, njerëzit që ikin dhe vijnë, që shajnë dhe mburrin. Të gjithave këtyre u kam dhënë një zgjidhje. Merrem me ndonjë punë dhe sikur kalojnë të gjitha, sepse për gjëra që njeriu i ka në dorë vetë, ia del ta shpëtojë ose jo humorin e tij me jetën.

Ama, “online”-i ka diçka të padurueshme për gazetarët që prodhojnë vetë, si Tiranapost.al, që nuk kopjon. E kemi thënë që në fillim se do bëjmë gabimet tona. E megjithatë, kam pasur raste që gazetarë të Tiranapost.al kanë vjedhur ndonjë lajm të përkthyer bukur tek Bota.al dhe as e kanë cituar. Ndonjëherë kam parë editoriale të Mero Bazes, të ribotuara nga një fans i tij në TIP. Por kanë qenë 2 ose 3 raste dhe në dijeninë time kjo nuk është përsëritur. Jam përpjekur t’i kuptoj gazetarët online, sepse vijnë nga përvoja “vidh dhe posto”. Është më e vështirë ta heqësh një huq se ta mësosh atë.

Në Tiranapost.al kam sjellë disa intervista ekskluzive, me video dhe pa, por ato kanë mbushur portalet e mëdhenj dhe veç krenarisë, nuk kemi marrë as klikimet e merituara. Kur intervistova Helena Kadarenë, në Paris, ajo më kërkoi që intervista të shfaqej vetëm tek Tiranapost.al! “Unë po ta jap ty, se të besoj si gazetare dhe dua që ta mbrosh me çdo kusht autenticitetin dhe vendin ku duhet të rrijë intervista”, më tha. U përpoqa të bëja shënime poshtë intervistës, por asgjë nuk piu ujë. Të gjithë e morën llokum dhe e postuan të plotë.

Doemos, nuk jam as naive dhe as e djegur për famë. Këtë punë e bëj se e dua dhe jo se dua veten. Gazetarët e kanë të pamundur të gjejnë kohë për të dashur veten. Ata që e bëjnë, përfundojnë jashtë orbite dhe të padëshiruar nga lexuesi e shikuesi. Për t’u kthyer tek tema, u mërzita unë dhe Helena. Të gjithë ata që e telefonin, i përmendinin emra portalesh të tjerë. U pezmatova, sepse e dija shumë mirë se sa sfilitëse do të ishte rruga. Unë e kisha prerë me lekët e mia atë biletë. Kisha punuar 17 vjet për t’i marrë intervistën e jetës Helena Kadaresë. Po, po, 17 vite! Sepse nuk të pranon askush kollaj (sidomos të tillë personazhe) pa pasur një ide të mirë rreth punës dhe shijes profesionale që ti lë tek të tjerët. Kështu, djersa ime bashkë me lekët shkuan për klikime tek Panorama, Balkanweb, Lapsi, etj., etj!

Sot, mësuesi im i parë në këtë zanat, Carlo Bollino, i cili ka qenë gjithmonë njeriu i pararojës, po na prin drejt një vetërregullimi të këtij tregu. Respekti për autorësinë, përmes një rregulli që do duhet të zbatohet mes nesh në mirëkuptim. Jam shumë e lumtur sot!  Të gjithë do matemi, në mos në mënyrë perfekte, në mënyrën më të drejtë të mundshme, për prodhimet tona. Nëse unë nesër intervistoj x personazh, do të kem në faqe një superlajm, çdo sajt tjetër online do ta marrë atë jo vetëm me citim, por me detyrimin që të vendosë edhe linkun e faqes autentike. Me atë rast, kush ka punuar merr dhe ca klikime më shumë.

 

Uroj shumë që ndërgjegjia dhe profesionalizmi të peshojë dhe duket se do të jetë e tillë. Kur të respektojmë njëri-tjetrin me konkurrencë dhe jo si hajdutë xhepash, asnjë forcë e natyrës nuk do na quajë të paktën kazan dhe ajo çka është më e rëndësishme është lexuesi, me të cilin secili duhet të shesë bukën e vet dhe mos paguajë për gafat e shokut! Na ectë mbarë!

Marrë nga Tirana Post

Redaksia Online
a.dr/shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Izraeli bombardon Gazën veriore! 50 të vdekur mes tyre edhe 5 mjekë

Izraeli bombardon Gazën veriore! 50 të vdekur mes tyre edhe 5 mjekë