Supermarketet nisin kufizimet e shitjes të vajit të lulediellit nga 3 deri 6 litra për konsumatorin! Importuesit: Nuk ka mungesë furnizimesh

Supermarketet nisin kufizimet e shitjes të vajit të lulediellit nga 3 deri 6 litra për konsumatorin! Importuesit: Nuk ka mungesë furnizimesh

Foto ilustruese

Nisin kufizimet e shitjes të vajit për konsumatorin nga supermarketet.

Në kryeqytet në disa pika supermarketesh të pyetura nga “Monitor” nuk lejohej shitja e vajit më tepër se 5 litra për konsumator. Kufizimit e tregtimit kishin nisur prej pak ditësh. Në një pikë tjetër të tregtimit të mallrave ushqimore, sasia e kufizuar e blerjes të vajit të lulediellit ishte deri në 6 litra.

Situata është e ngjashme edhe në rrethe. Konsumatorë nga qytete të Librazhdit dhe Elbasanit të pyetur nga “Monitor” thanë se në disa supermarkete prej 1 jave nuk mund të blejnë më shumë se 6 litra vaj luledielli, ndërsa në qytetin e Pogradecit rrjete të ndryshme supermarketesh kanë vendosur kufizime të shitjeve deri në 3 litra.

Importuesit më të mëdhenj të vajit thonë se nuk ka mungesë furnizimesh, ndërsa vijojnë të kenë vështirësi në gjetjen e sasive. “Aktualisht kërkesa nga supermarketet është e lartë, pasi kërkohet të krijohet stok, duke qenë se çmimet e vajit priten të jenë në rritje.

Me vështirësitë që po hasen në gjetjen e importeve është e pamundur të garantohet stok për supermarketet dhe stok për distributorët e mëdhenj. Nuk po përballemi me mosgjetje të vajit, por vështirësitë në furnizime vazhdojnë të jenë, pasi edhe furnitorët e huaj nuk arrijnë të sigurojnë sasi të larta”, veçoi një nga importuesit e vajit.

Edhe nga konsumatori kërkesa është rritur sipas tregtarëve të vajit me tepër e ndikuar nga paniku i shtrenjtimit të çmimeve, ndërsa të tjerë po rifreskojnë rezervat e krijuara në muajin mars.

Për importet e vajin e lulediellit situata është rënduar në tregjet europiane që pas nisjes të luftës në muajin mars, pasi 80% të konsumit botëror mbulohet nga Ukraina dhe Rusia. Në këto shtete në muajin mars nuk u arrit të mbillet fara e lulediellit.

Kufizimet e shitjes te konsumatori final janë ndikuar për shkak të kufizimeve që kanë vendosur furnitorët nga Hungaria, Bullgaria Rumania, Serbia, ndërsa Maqedonia e Veriut do të vijojë të mbajë të mbyllur importet deri më 15 maj.

Në shumë shtete të Europë, si Itali, Greqi, Gjermani kufizime në blerjen e vajit ushqimor nga konsumatori në supermarkete kanë nisur të zbatohen që në muajin prill. Në tregun shqiptar të parët nisën kufizimet e furnizimeve ishin tregtarët e vegjël.

Bizneset e vogla të mallrave ushqimore të kontaktuara nga “Monitor” pohuan më herët se nga dyqanet e shumicës nuk mund të blinin më shumë se 15 apo 30 litra vaj luledielli (1-2 kuti), për shkak të mungesës të furnizimeve.

Çmimi i vajit të misrit arrin 450 lekë/litër

Aktualisht çmimi i shitjes të vajit të lulediellit të përcaktuar nga bordi i Transparencës është 381 lekë/litër për konsumatorin dhe 346 lekë për shitjen nga konsumatori. Për importuesit marzhi i fitimit i përcaktuar nga bordi është 35 lekë për litër dhe për tregtarët e pakicës 6 lekë për litër.

Sakaq çmimi i vajit të misrit ka arritur në çmime rekord. Në supermarkete sot 1 litër vaj misri është shitur 450 lekë. Në muajin mars çmimi i vajit të misrit u rrit 23% nga 260 lekë/litër që ishte më parë u shit 340 lekë/litër. Krahasuar me muajin mars çmimi i vajit të misrit është rritur 32%.

Për sa i përket çmimet të vajit të lulediellit në disa supermarkete kanë nisur edhe ofertat disa ditore të shitjeve me çmime 310 lekë për litër, duke përdorur stokun e vajit të blerë para nisjes të çmimet.

Importet e vajrave u rritën me 68% në tremujorin e parë

Importet e vajrave kanë shënuar rritje të ndjeshme në tremujorin e parë të këtij viti, duke reflektuar si shtimin e kërkesës, ashtu dhe shtrenjtimin e çmimeve. Sipas INSTAT, në vlerë, importet e vajrave ishin 2.1 miliardë lekë, me rritje prej 68.3% me bazë vjetore. Edhe në sasi, importet u rritën, ndonëse me ritme më të ulëta, rreth 33%./ Monitor

M.Q./B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen