Suplementi/ Artistja e popullit Tinka
 Kurti aktorja me shpirt mëmësie

Suplementi/ Artistja e popullit Tinka<br /> Kurti aktorja me shpirt mëmësie
Për Artisten e Popullit Tinka Kurti, një shikim ndryshe i portretit artistik, hapat e parë të karrierës dhe galerinw e personazheve...
 
 “Prej kohësh kam menduar të shkruaj për njerëz që kam hasur në jetë, për ngjarje që i kam jetuar vetë apo që më kanë treguar të tjerët. ... Koha që po kalojmë po lë fare pak dëshmi të gjalla: rrallëkush mban ditare, shkruajnë letra të shkurtra për çështje pune, botohen pak memuare. ... jemi grindur aq shumë me të kaluarën, sa s’kemi mundur të mendojmë për të ashtu siç duhet. Gjatë këtij gjysmëshekulli vlerësimi për njerëzit dhe për ngjarjet ka ndryshuar shpesh, fjalitë na kanë mbetur në mes, mendimet dhe ndjenjat tona, dashje pa dashje, i janë nënshtruar trysnisë së rrethanave...”

(Erenburg, Ilia: Njerëz, vite, jetë… (mbresa dhe kujtime), Dituria, Tiranë 1998, Hyrje, f. 5.)
    
Ngado që të udhëtojë kjo grua, era e shirokut dhe era e murlanit shkodran do ta ndjekë pas. Do ta ndjekë pas si një kujtim i bukur edhe ajo rrugëza e parë, edhe trokitja e parë në portën e teatrit “Migjeni”. Dhe, më pas, vit pas viti, kohë pas kohe, biografia e saj artistike u pasurua me personazhe... Dhe, ajo, Tinka Kurti qëndron në mes tyre si ajo “Zoja e randë” e teatrit dhe kinemasë shqiptare, një aktore që nuk ka ndërmend të plaket... Mbase... janë raste të rralla, kur në flokun fisnik të pleqërisë ende “shëtit” mosha e rinisë... E ky përjashtim, në qoftëse do ta quajmë përjashtim ka ndodhur tek kjo aktore, tek Tinka. Dhe arsyeja, sipas koleges së saj, Të Madhes Margarita Xhepa, është: “Tinka me interpretimet e saj ka sjellë një galeri rolesh të mëdha, jo vetëm nga sasia, por edhe nga cilësia, - si një vlerë e bukur, me përmasa të mëdha për artin shqiptar. ... Ajo mbetet një thesar me personazhet e saj në teatër dhe kinematografi.”

Tinka  Kurti u lind më 17.12.1932, në një lagje të Sarajevës. (Në Sarajevë lindi dhe Shvarc-i i madh “Nderi i Kombit”, ku dhimbjen si pikë loti e vendosi në çdo varg të poezisë “Ma vranë Sarajevën”. Dhe më kujtohen vargjet, që skaliti Vendlindjen: “Do ta ruaj në kujtesë / ashtu të hirshme siç e lashë / në fëmijëri, / ashtu të butë dhe njerëzore, / ashtu gjithë tinguj e poezi...”) 

Dhe “rrënjën” e parë të Tinka Kurtit do ta kërkojmë dhe do ta gjejmë në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Të Shkodrës!..., - siç shkruante Shvarc-i me aq ëmbëlsi e me ngjyresa të një tipologjie serenatë shkodrane:
 
     “O net’ të Shkodrës, pse po më rreni?
     O yje t’ambla, pse lueni me mue?
     Ah, unë e di – një tjetër keni –
     Por unë ju deshta e prap do ju due!”
 
Tinka – interpretuesja rrezatuese, me një diapazon të gjerë aktorial në skenë dhe në kinematografi, për rolet që dhuroi, pak kush mund ta nxjerrë nga mendja. Tinka, që ende edhe sot thotë: “Unë jam dhe mbetem aktore e Shkodrës. Atje kam dashurinë e dhimbjen, mallin dhe pengjet e mia. Aty hodhi hapat karriera ime, që nisi me “Dasmën shkodrane”, kur isha 16 vjeçe. Më parë kisha kënduar në kor, por regjisori e kuptoi se kishte të bënte me një aktore dhe nuk gaboi...”

Çuditërisht, në atë rrugë që mbante emrin “Hysaj”, ku banonte ajo vajzë, në atë shtëpi të vogël, nuk kishte asnjë artist apo njeri që merrej sadopak me art… Pra, kjo rrugë ishte e zbrazët, askush nuk ndikonte, askush nuk transmetonte qoftë një grimcë talenti dhe magji arti. Mesa dukej, vetëm mosha me sekretet e saj fshihte magjinë që më vonë do të shfaqej si vjollcë në pranverë, me një qeshje të bukur, si vajzë çapkëne dhe shumë gazmore.

Ajo do të rrezatonte në universin e aktrimit. Kështu do të kalonte Tinka një fëmijëri me ëndrra, më shumë në krahët e nënës se të babait. Shpesh ndodh që jeta të hedh në brigje të panjohura, kurse ëndrrat - në brigje të largëta, drejt të cilave duhet të ecësh, të stërmundohesh dhe ndoshta nuk i arrin… Kështu ndodhi me Tinkën...

Jeta e hedh në një “vendqëndrim” të përkohshëm si punonjëse e Muzeut të rrethit të Shkodrës, ndërsa zëri i skenës e thërret. E thërrasin ëndrrat për të bërë një realitet ëndrrën e saj. Si shumë kolegë të saj nisi udhën në Shtëpinë e Kulturës të Shkodrës. Shumë shpejt shndrit mbi të tjerët. Hyn në teatrin “Migjeni” dhe shpejt fiton emër…

Bep Shiroka, Artist i Merituar, kujton: “Kur kam hyrë në teatrin “Migjeni”, Tinka kishte emër dhe kishte 10 vjet si aktore profesioniste. Ndoshta jam partneri që kam role më shumë se të tjerët me të. Roli im i parë ka qenë te drama “Nora” e A. Skanjetit. Por roli im i parë i rëndësishëm ka qenë te drama “Histori Irkutase”. Valja-Tinka ishte një rol që nderonte aktoren. E gjithanshme. Ajo pëson një metamorfozë dhe bëhet një grua ideale. Tinka jo vetëm shpalos një botë të mrekullueshme prej aktoreje, por kalon situate të ndryshme të interpretuara natyrshëm, me ngrohtësi dhe vërtetësi. Roli i Valjas është i bukur profesionalisht, pa batakçillëk”.

E duke iu kthyer dramës historike “Nora”, në arkivën e regjisorit e njëkohësisht autorit Andrea Skanjeti, Artist i Popullit, lexojmë këto kujtime: “E kujtoj dhe tani efektin që bëri Tinka Kurti në dramën “Nora”, dramë që e kisha shkruar dhe vënë në skenë e që e kisha për zemër. Mbante foshnjën e vdekur në duar. Ajo nuk qante, por fytyra e saj ishte pasqyra e shpirtit që reflektonte të gjitha ndjenjat, mendimet, përshtypjet, sensacionet, të gjitha çka i kalonte nëpër mend një nëne, gjithçka turbullonte shpirtin e spikatur nga kontraksione të veçanta. Ajo krijoi një skenë dhimbjeje të thellë, që depërtoi te spektatori. Më kujtohen raste të tilla, kur aktorë jo të aftë, kanë krijuar te spektatorët qeshje e jo dhembje e lotë”.

E duke iu kthyer dramës “Nora”, kësaj radhe të H. Ibsen-it, ku Tinkës iu besua roli i Norës, në një shkrim, ku evidentohet krijimi aktorial, lexojmë: “Tinka Kurti e ka kuptue mirë karakterin e Norës dhe që në fillim e krijon drejtë figurën. Ajo tregohet shumë e talentueme në krijimin e situatave e sidomos në kthesat psikologjike. E këtë e ban me vërtetësi dhe me realizëm të thellë, po sforcim e pa teatralitet.
     ...
Në skenat e aktit të tretë aktorja ka momente të bukura. Ajo tregohet e aftë për detajet e kthesat e njëbasnjëshme e të paprituna që i detyron roli. Detaji kur i ndez me qiri cingaren doktorit Rank, ose kur i thotë atij: “gjumë të ambël Rank” jepen me ngjyra e theksohen me një nëntekst kuptimplotë; me intonacionin e zanit e me diksionin e saj të pastër skenik.
     ...

Tinka Kurti ka andrrue prej kohësh për interpretimin e këtij personazhi, prandaj ajo ka punue me ngulmë, me pasion për detyrën e me durim profesional. ... Tinka Kurti na jep një Norë që të len mbresa e të ban me mendue.”[1]
 
Ka kaluar mbi gjysmë shekulli a diçka më shumë, që kur aktorja Kurti ka nisur rrugën e saj të karrierës. Kur ishte vetëm 14 vjeçe ajo del për herë të parë në skenë. Ndërsa  25-vjetorin e saj e feston gjatë xhirimit të filmit të parë shqiptar, “Tana”. Për Tinkën dy çmimet e para janë: njëri në Festivalin e Parë të teatrit shqiptar (me dramën “Toka jonë”), dhe tjetri në Festivalin e parë të Filmit (me kinokomedinë “Çifti i lumtur”).
    
Më vonë, me një karrierë të gjatë, aktorja shkodrane  Kurti, meriton shumë çmime deri në Festivalin Kombëtar të Teatrit, të zhvilluar në Vlorë, rreth një dekade të shkuar, ku ajo merr Çmimin e karrierës.
 
Kurti ka interpretuar rreth 95 role në film dhe mbi 330 role në skenë; (paçka se edhe këto shifra mund të mos jenë të sakta). Dhe në tërë këtë galeri, figurat-nëna  zënë një kapitull të veçantë. Dhe pikërisht në këto rrafshe dua të shfaq këndvështrimet e mia.

Te drama “Çmurosja” me autor e regjisor S. Fankon, ajo paraqiti figurën e një gruaje të ndrydhur para zakoneve dhe kanunit, e para zakoneve të burrit. Përveç këtyre, kësaj gruaje i duhet të përballojë edhe vdekjen e të shoqit. Fëmijët nuk i ka pranë. Ata janë larg. Gruaja tani është vetëm. Nëpërmjet monologut të vetmisë që  interpreton, ajo zbërthen në mënyrë artistike jetën e saj. Gjatë interpretimit shfaqen edhe momente impulsive, të cilat dhe për një çast mund të të humbasin marrëdhënien me rolin a figurën që je duke interpretuar. Por aktorja Kurti ruan masën dhe rrafshin e dhembshurisë prej nëne, të cilave u jep hapësirë cilësive njerëzore dhe në vecanti Mëmësisë i jep madhështinë e veçantë.
    

Te drama “Gjaku i Arbrit” e F. Krajës, aktorja Kurti interpreton figurën e Nënëmadhes. Një kulm i vlerave të saj aktoriale. Nënëmadhes i vjen mandata se djemtë i kanë vdekur. Të bijën e ka martuar nëntë male larg. Në stoicizmin e saj, përmes vijave të tragjizmit e të brengës që e kanë pllakosur, ajo nuk përulet, por burrave u flet me gjuhën e burrërisë e të urtësisë. Karakteri i saj që vjen e plotësohet përmes dialogut, merr një përmasë: sa reale aq dhe ireale. Një rol që mbart kodin e fisnikërisë dhe të urtësisë së maleve.
    

Te filmi “Zemra e nënës”, ec-e-jaket e saj përmes dramës së heshtjes, bisedat me kukullat e në varrezë, flasin për një figurë komplekse që endet në vorbullën e mendimeve e të ndjenjave, të dhembjes e të mençurisë, të anormalitetit e normalitetit. Përthyrjet që  zhvillohen në ndërgjegjen e saj, flasin për një shpalosje meditative, gjë që ka bërë që Tinka Kurti të krijojë figurën e një nëne, (e cila jeton dramën e vetmisë), me një profil artistik ndryshe, përsëritur e pa të kujtuar ato të mëparshmet. Dhe për këtë përndritje roli, mori dhe Çmim në Salerno.
    

Te këto personazhe nënash, përfshirë edhe Pashakon, aktorja Kurti nuk harron të thotë: “Unë jetoj me personazhet. Unë kërkoj të di gjithçka për personazhin që më është dhënë të interpretoj, gjithçka që ka të bëjë me të para se ai të hyjë në skenë dhe pasi del nga skena… Por mbi të gjitha unë dua të jem e sigurt mbi të kaluarën dhe të ardhmen e personazhit tim”.
    
Dhe ndalemi tek personazhi i Nënë Pashakos. Seç i fryn një fllad i parreshtur kujtimi për këtë figurë!.. Bashkë me realizimin dinjitetshëm artistik, ka dhe një fanitje a feksje prej ylli – ëndrrën për personazhin që krijoi... Mbase edhe përtej ëndrrës!.. Nënë Pashakoja, vetë, ishte një magji. Tinka e dashuroi dhe e ‘frymoi’ për ta përjetësuar në art përmes magjisë së saj. Dhe Tinka nuk harron të thotë: “Nënë Pashako ka qenë një rol, të cilës unë i jam shumë borxhlije, pasi kishte aktore më të mëdha se unë, që mund ta interpretonin atë rol. ... Kur kam luajtur Nënë Pashakon, unë kam qenë shumë e re, 38 vjeçe. Edhe pse me kontraste moshash, të gjithë më thanë: - Sa bukur e ke interpretuar! Ndërsa unë i thoja vetes: “Ende ke lënë diçka mangut..., sepse mendoja gjithëherë sa borxhlije i jam asaj, Nënë Pashakos. ... Megjithatë, unë kam jetuar me të, kam ngrënë bukë me të, kam fjetur 15 ditë në një krevat me të. Kur e shoh, sot e kësaj dite mendoj se i kam një borxh të madh Nënë Pashakos. Megjithatë, në moshën 38 vjeçe të luash një nënë 110 vjeçe është diçka e veçantë. Ajo ishte një grua shumë e mrekullueshme.”
    

Artistja e Popullit, Tinka Kurti është një aktore, që të gjitha roleve iu ka përkushtuar talentin e saj. Asnjërin nuk e ka nënvleftësuar. I ka luajtur me shpirt. Ndaj dhe figurën e saj e ka gdhendur skena e teatrit dhe celuloidi i kinematografisë. Dhe në një intervistë thotë kështu: “Unë nuk mund të ndaj asnjë nga rolet e mia, pasi të gjithë janë shumë të dashur për mua, nisur nga filmi “Tana”, që ka qenë filmi i parë shqiptar dhe deri më tani...”
Dhe më kujton kjo artiste një varg poezie, me autore të madhen Nënë Terezë, e cila thoshte: “Jetën jetoje”! Dhe më kujton kjo artiste, ende edhe sot e kësaj dite një peng të saj në ecurinë e mëtejshme të karierës, i cili ishte: “... që nuk luajta dot një rol në filmat e së talentuarës-regjisore Xhanfise Keko. Nuk e provova dot mjaltin dhe magjinë e saj.”

Siç duket arti ka qenë dhurata për artisten Tinka Kurti, e cila ishte 28 vjeçe kur iu akordua titulli: “Artiste e Merituar”; ndërsa në 80-vjetorin e lindjes u vlerësua me titullin e lartë: ”Nderi i Kombit”. Ka qenë një mrekulli, se vetë Tinka Kurti është mrekullia artistike. E, pse jo edhe një mrekulli shkodrane. Të Shkodrës!..., - siç shkruante Shvarc-i përmes tingëllim-ës plot kontraste nostalgjie dhe dhimbjeje:
     “Ah, Shkodra jeme, ....
     ..............................
     Po due me t’përshëndetë në shenjë nderimi
     Edhe k’te herë, o Shkodra jeme prore
     Sa e madhnueshme n’dashtni aq edhe n’idhni!”
 
 
 
Maj 2016
 
 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Media greke shkrim racist për shqiptarët: Imagjinoni të festonim ne kështu në mes të Tiranës, nuk respektojnë as bukën që hanë në Greqi

Media greke shkrim racist për shqiptarët: Imagjinoni të festonim ne kështu në mes të Tiranës, nuk respektojnë as bukën që hanë në Greqi