DURRES - Një grup amatorësh të sportit të çiklizmit nga Italia, mes tyre figura të njohura të botës së sportit dhe të artit kanë nisur një tur 4-ditor nga Igumenica në Greqi deri në qytetin e Durrësit. Në këtë tur ishin pjesë trajneri i përfaqësueses së futbollit shqiptar, Xhani De Biazi, apo komiku italian Giovanni, pjesë grupit të njohur Italian "Aldo, Giovanni e Giacomo", si dhe përfaqësues të tjerë nga Italia.

Ata janë shprehur të kënaqur jo vetëm nga relievi shqiptar, por edhe nga bujaria e shqiptarëve, si dhe respekti i treguar ndaj tyre nga drejtuesit mjeteve, teksa kalonin rrugën me biçikleta. Komiku Giovanni Storti tregon mes batutave dhe humorit eksperiencën e tij në këtë tur.

"Kemi ardhur nga Igumenica. Ne i kemi përshkruar pothuajse të gjitha etapat, pasi të tjerët i mbyllën avash-avash. Unë praktikisht e kam ndihmuar të gjithë ekipin pjesëmarrës, pasi jam një djalë i mirë. Siç dihet, të vegjlit duhet të mbahen me hatër, për t'ua bërë qejfin. Territori në Shqipëri është shumë i bukur, malet, deti me të vërtetë janë mbresëlënës dhe njerëzit janë shumë të sjellshëm dhe të përzemërt. Pra, kam një përshtypje të mirë. Sa i përket pyetjes suaj për një film në Shqipëri, them se nëse dëshirohet edhe mund të bëhet. Nuk i dihet asnjëherë",-thotë Storti.

Ndërsa kampioni i çikilzmit në Itali, Marzio Bruseghin shprehet i kënaqur.

"Është hera e parë që vij në Shqipëri. Shqiptarët janë njerëz të sjellshëm, të qetë dhe asnjë nuk është shqetësuar gjatë kalimit tonë me biçikleta në rrugë. Jam surprizuar dhe nga mirësjellja në hotele. Etapa Greqi – Itali ishte një ide e mrekullueshme. Për fat çiklizmi të jep mundësinë të eksplorosh vende. Unë për shembull për të ardhur këtu, më është dashur të vijë me biçikletë për të parë sa e bukur është bregdeti shqiptar, pasi është ndjesi tjetër kur e viziton nga afër, se sa kur e shikon nëpërmjet televizionit. Pjesëmarrësit kanë qenë shumë të zotë, dhe kemi pasur një tur shumë impenjativ",-thotë Bruseghin.

Nga ana tjetër, koordinatori i këtij turi në Shqipëri, thotë se turi synon bashkimin e popujt të ndryshëm si në Itali e më gjerë. Kjo është hera e parë që personazhe të tilla të njohura vijnë në shqipëri për një sport të tillë, nga qytete të ndryshme të italisë si nga Milano, San Migele, Treviso etj.