Surprizat e ardhshme të qeverisë

Surprizat e ardhshme të qeverisë
Shumëkush mendonte se Edi Rama do të priste shtatorin, para se të shpallte emrat e qeverisë së re. Kjo, nisur edhe nga fakti se ai asnjëherë nuk ka pranuar më parë të shpallte një qeveri-hije, madje, për këtë, ka patur edhe ndonjë ankesë nga ndërkombëtarët, të cilëve nuk u tregonte se kush do të ishte kryediplomati apo kryefinancieri në rast se fitonte koalicioni i majtë.

Koha e shpalljes është një nga surprizat e këtij Ekzekutivi, ndërkohë që emrat e përzgjedhur, me pak përjashtime, përfliteshin tashmë në opinion si kandidatura të mundshme. Ajo që ka suprizuar më tepër është mungesa e partive të tjera me poste ministrore, ndërkohë që prania e rritur e LSI-së ishte diçka që pritej.

Demokristianët e kanë pranuar një gjë të tillë, ndërkohë që PBDNJ duket se nuk e ka kapërdirë kollaj, po ashtu si dhe avokat Ngjela. Sidoqoftë, një koalicion që do të qeverisë shtetin ka hapësira për të angazhuar secilin në detyra të tjera, jo doemos ministrore.

Zgjedhjet e Saimir Tahirit, Ditmir Bushatit apo Erjon Veliajt ishin diçka lehtësisht e parashikueshme, ashtu si edhe ajo e Canit apo Ilir Beqes e Mimi Kodhelit; e papritur do të ishte vetëm emri i dikasterit. Po kështu, priteshin emërimet e Milena Haritos apo Lindita Nikollës; si dhe të Lefter Kokës apo Haxhinastos e Panaritit nga aleati kryesor “kingmaker”.

Ajo që mbetet e panjohur tani, që u caktuan emrat, është mënyra se si do të ndryshojnë situatën, tejet problematike në shumë sektorë të jetës së vendit, këta anëtarë të qeverisë. Edi Rama pohoi vetë se 90 për qind e këtij Ekzekutivi nuk ka patur më parë një post ministror. Duket se ai e ka llogaritur këtë faktor si një nxitje për të treguar veten tek ministrat e rinj, edhe në moshë.

Tahirit do t’i duhet të merret menjëherë, jo vetëm me një kriminalitet që ka dalë dukshëm nga binarët, por edhe me një polici që tashmë e ka kalçifikuar shtrembër konceptin për rolin e saj në një shoqëri demokratike. Beqes do t’i duhet të vejë në jetë një reformë në shëndetësi, që ai vetë e ka shpjeguar deri tani shumë qartë se është, sa radikale, aq edhe e vështirë.

Por, sytë e të gjithë shqiptarëve, si dhe të ndërkombëtarëve, tani janë pikërisht tek këta drejtues të rinj të shtetit, nga të cilët priten masa drastike. Masa, të cilat ndoshta në fillim tek një pjesë e popullsisë të bëjnë jopopullor, për të sjellë në situatë normale një shoqëri, ku është bërë modë që kallashi të përdoret në vend të grushtit, ku ndërtohet pikërisht aty ku nuk mund të jepet leja, ku universiteti bën të ditur një analfabet, ku mjeku nuk të jep ilaçet që blihen me taksat tona, etj.

Rama ka tërhequr në Ekzekutivin e ri një numër njerëzish që kanë përvojë administrative dhe teknicienë, që kanë punuar, jashtë e brenda vendit, në poste drejtuese, edhe pse jo ministrore. Këtu një nuancë pozitive, e vetmja e përshëndetur madje edhe nga Berisha, është prania e rritur e femrave. Mbetet të shihet se si do ta justifikojë ky ekip besimin e kreut të qeverisë, si dhe besimin e votuesve.

Në praktikën botërore, njihet fakti se një mazhorancë që merr vota plebishitare në zgjedhje e ka më të lehtë të bëjë reforma të fuqishme, por këto duhet të bëhen sa më shpejt, që të mos krijojnë bjerrje të përkrahjes së elektoratit. Dhe kjo, në fund të fundit, varet edhe se sa fonde do të kenë në dispozicion dikasteret dhe institucionet e shtetit në përgjithësi për të vënë në jetë këto reforma.

Kështu, gjithshka do të duhej të niste nga miradministrimi i parasë publike dhe nga shtimi i saj. Ajo, se si do të menaxhojnë paskëtaj situatën këta njerëz përbën suprizën më të madhe, që do të mësohet nga shtatori e tutje.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë