Serbi-Shqipëri, ndeshja që vulos fatet e kuqezinjve për Botërorin e 2026, është në prag. Ish-futbollisti i Kombëtares Altin Rraklli, Për Report TV, thotë se është e pamundur që në një duel të tillë të flitet vetëm për futboll, por në të njëjtën kohë pohon se vetëm loja në fushën e blertë do jetë vendimtare dhe jo faktorë të tjerë siç ndodhën në 2014 në Beograd.
“Kjo ndeshja nuk ka vetëm futbollin brenda, ka histori, ngjarje që përfshihen dhe e bëjnë një ndeshje akoma më interesante,”-u shpreh Altin Rraklli, ish-futbollist i Kombëtares.
Sipas Rrakllit në 3 vite si trajner i Shqipërisë Sylvinho është bërë i lexueshëm. Ish-futbollisti i kombëtares sugjeron që trajneri të ndryshojë qasje në fushë dhe t’i japë më shumë përparësi lojës sulmuese.
“Duhet të kemi lojtarë më sulmues në krahë. Broja ishte në krah të djathtë ndeshjen e fundit dhe është tipik sulmues, por ai punoi shumë mbrapa. Kur shpenzon aq shumë energji duke mbrojtur nuk mund të sulmojë më me të njëjtën shpejtësi. Ai nuk duhet të harxhojë aq shumë energji mbrapa. Po ashtu edhe në krahun tjetër,”-tha Altin Rraklli, ish-futbollist i Kombëtares.
Megjithatë sipas Rrakllit kuqezinjtë kanë shanse të mëdha për të triumfuar të shtunën e 11 tetorit në Serbi.
“Besoj do të jetë me e lehtë për mua, sepse faktori fushë, fakti që mendojnë se janë superiorë, do ti rrëmbejë ato dhe do na sulmojnë. Nuk do luajnë me kujdes, por do na sulmojnë sepse ballkanas janë. Do nxjerrin inatin e tyre, por janë skuadër shumë e brishtë, me probleme. Nuk është Serbia e para disa viteve që ishte në elitën e futbollit evropian. Është një Serbi me probleme dhe ne duhet ti shfrytëzojmë,”-deklaroi Altin Rraklli, ish-futbollist i Kombëtares.
Ish sulmuesi kuqezi thotë se Shqipëria duhet të luajë për fitore në Serbi, pasi barazimi do jetë penalizues për kombëtaren edhe pse mban vendin e dytë në grup, duke ditur që të besuarit e Stojkoviç kanë një ndeshje më pak.
Komente







