Kombëtarja shqiptare është në një moment të vështirë. Si rrallëherë, me disfatën 0-1 kundër Luksemburgut, kuqezinjtë kanë shkuar në 5 humbje radhazi, duke llogaritur sfidën e 3 qershorit kundër Izraelit, 2 ndeshjet ‘play-off’ të marsit kundër Polonisë dhe Ukrainës si dhe ndeshja e fundit kualifikuese e Botërorit kundër Anglisë.
Ky rekord negativ për herë të fundit ishte regjistruar në vitet 2016-2017 kur kombëtarja shqiptare drejtohej nga Gianni de Biasi, trajneri i cili dërgoi për herë të parë Shqipërinë në një kampionat Evropian.
Nisje aspak pozitive edhe për trajnerin Maran pavarësisht se miqësoret erdhën në një moment delikat të sezonit. Edhe pse futbollistët ishin me bateri të shkarkuara trajneri i ri duhet të kishte sjellë energji të reja. Me dy humbje në 2 ndeshjet e para Maran bëhet një nga trajnerët me nisjen më të dobët te kombëtarja shqiptare. I fundit që kishte bërë diçka të tillë ishte Sulejman Demollari në vitin 2001.
Disfatat kundër Izraelit dhe Luksemburgut pritet t’i kushtojnë shtrenjtë Shqipërisë edhe në renditjen e FIFA-s. Pasi zbritën në vendin e 65, duke u parakaluar nga Bosnje-Hercegova, kuqezinjtë pritet të pësojnë sërish rënie. Në total djemtë e drejtuar nga Maran kanë humbur 12.03 pikë dhe do të zbresin sërish një pozicion. Aktualisht të 65-t. Këtë herë pritet të jetë Hondurasi që përfiton, ndërsa kombëtare si Kepi i Gjelbër, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Maqedonia e Veriut e kanë ngushtuar ndjeshëm diferencën.
Ndeshjet e ardhshme të Shqipërisë do të jenë në shtator në Ligën e Kombeve, ku kuqezinjtë bëjnë pjesë në një grup me Bjellorusinë, San Marinon dhe Finlandën. Nga FSHF dhe drejtuesit e saj Maran ka si objektiv të arrijë patjetër vendin e parë.
Komente







