Kombëtarja shqiptare e futbollit njohu mbrëmjen e djeshme kundërshtarët për Ligën e Kombeve, me shortin e hedhur në Bruksel, që e pozicionoi Shqipërinë në Grupin C1, përballë Finlandës, Bjellorusisë dhe San Marinos.

Pavarësisht shortit dhe kundërshtarëve të përcaktuar, fokusi i kuqezinjve mbetet te sfida më e afërt dhe më e rëndësishme, ndeshjet e fazës play-off të Botërorit 2026.

Në një prononcim pas shortit për faqen zyrtare të Federatës (FSHF), trajneri i Kombëtares, Sylvinho, u ndal te rëndësia e momentit aktual dhe përqendrimi i skuadrës.

“Është gjithmonë një kompeticion shumë i vështirë, shumë i bukur. Luhet në një mënyrë shumë të shpejtë, zgjat praktikisht dy-tre muaj. Këtë herë bëhet në dy muaj. Gjithçka luhet shumë shpejt, është një kompeticion i bukur. Kemi parë këtu shumë skuadra të forta.

Dhe pastaj, për ne nuk është e lehtë të mendojmë edhe për Nations League, pra të arrijmë në atë moment, sepse ne e kemi mendjen prej rreth një muaji e gjysmë duke punuar për play-off-et (e Botërorit). Është një gjë shumë e rëndësishme për të gjithë ne, si federatë dhe si vend, por sigurisht… tani presim që të vijë momenti i duhur. Një grup gjithmonë shumë i vështirë, por në këtë moment e kemi mendjen te play-off-i i marsit”, u shpreh trajneri.

Shqipëria ka siguruar për herë të parë kualifikimin në fazën 'play-off' të Kupës së Botës 2026 dhe shorti e ka vënë përballë Polonisë në transfertë, ndeshje e cila do luhet në Varshavë më 26 mars. Në rast suksesi, kuqezinjtë do të përballen me fituesin e çiftit Ukrainë - Suedi, për një vend në finalet e Kupës së Botës 2026, që do zhvillohen në SHBA, Meksikë dhe Kanada nga 11 qershori deri më 19 korrikun e verës që vjen.