/ATSH/- Ministria e Financave synon forcimin e inspektimit financiar publik. Në Kuvend ka mbërritur p/ligji "Për inspektimin financiar publik", i cili ka si objekt mbrojtjen e interesave financiare të njësive publike kundrejt keqmenaxhimit të rëndë financiar, mashtrimit, vjedhjes, shkatërrimit të pronës, shpërdorimit të detyrës apo korrupsionit, si dhe konfirmimi i zbatimit të ligjshmërisë në përdorimin e fondeve publike dhe dhënia e ndihmës në përmirësimin e menaxhimit financiar publik. Përmes këtij p/ligji i jepet e drejta subjektit të inspektuar për ankimim në gjykatën administrative, ndërsa përcaktohet edhe ndarja e funksionit të inspektimit financiar publik nga auditimi i brendshëm.
Projektligji parashikon që subjekt i inspektimeve financiare publike të jenë njësitë e qeverisjes së përgjithshme, shoqëritë shtetërore, organizatat jofitimprurëse dhe autoritetet e përbashkëta që zotërohen, kontrollohen, financohen ose garantohen financiarisht nga një njësi e qeverisjes së përgjithshme, ose në të cilën, një njësi e qeverisjes së përgjithshme, zotëron apo kontrollon një pjesë të pasurisë, e cila i jep të drejtën e kontrollit, çdo person fizik apo juridik, vetëm për fondet që përfiton nga buxheti i shtetit, Bashkimi Evropian apo fondet në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare, ku përfitues është shteti shqiptar.
Për hartimin e projektligjit të inspektimit financiar publik u bashkëpunua me ekspertë të huaj të Projektit IPA 2012, në kuadër të Programit Kombëtar IPA 2012, nën Instrumentin e Asistencës së Parazgjerimit për Shqipërinë