/ATSH/- Komisioni për Ekonominë dhe Financat i Kuvendit të Shqipërisë dhe Komisioni për Ekonominë, Financat dhe Buxhetin i Parlamentit të Malit të Zi zhvilluan një takim dypalësh me temë "Bashkëpunimi mes Malit të Zi dhe Shqipërisë në fushën e transportit, harmonizimit fiskal të legjislacionit shqiptar dhe malazez, me qëllim tërheqjen e fondeve rajonale dhe fonde të IPA-s, në përputhje me konkluzionet e Samitit të Berlinit".

Ky aktivitet vjen në kuadër të takimit të zhvilluar nga Rrjeti i Komisioneve Parlamentare për Ekonomi, Financa dhe Integrime Europiane të Ballkanit Perëndimor, me mbështetjen e vazhdueshme të Fondacionit Westminster për Demokraci. Gjithashtu, takimi është organizuar si vazhdim i takimit të dy Komisioneve, të mbajtur në Ulqin, në qershor të këtij viti, me titull "dimensioni parlamentar i bashkëpunimit ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Shqipërisë në fushën e transportit".
Në takim, përveç anëtarëve të dy Komisioneve, ishin të pranishëm edhe zëvendësministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Ylli Manjani dhe ekspertja e Drejtorisë së Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Zarina Taja.

Deputeti Ervin Koçi, anëtar i Komisionit për Ekonomi dhe Financa të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kryetar i Rrjetit të Komisioneve Parlamentare për Ekonomi, Financa dhe Integrime Europiane të Ballkanit Perëndimor, hapi takimin duke i uruar mirëseardhjen delegacionit të kryesuar nga Aleksandar Damjanovic, Kryetar i Komisionit për Ekonomi, Financa dhe Buxhet i Malit të Zi. Gjithashtu, z. Koçi shprehu bindjen e tij se takimi do të kontribuojë pozitivisht në forcimin e bashkëpunimit parlamentar dhe se do të jetë një impuls shtesë në një bashkëpunim më të mirë qeveritar ndërmjet dy vendeve.Në takim u diskutua bashkëpunimi ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë në fushën e transportit, si dhe harmonizimi fiskal i legjislacioneve të dy vendeve si dhe lufta ndaj evazionit fiskal për të minimizuar hapësirat për kontrabandën. Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve u fokusua në drejtim të rritjes së bashkëpunimit bilateral, me qëllim alokimin e fondeve rajonale dhe fondeve IPA, në përputhje me konkluzionet e Samitit të Berlinit, të mbajtur më 28 gusht 2014.

Gjatë takimit, zëvendësministri Ylli Manjani, duke vlerësuar nivelin e lartë të bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e transportit dhe në veçanti atij rrugor dhe hekurudhor informoi anëtarët e dy Komisioneve se Qeveria Shqiptare me asistencën e dhënë nga Banka Gjermane për Zhvillim, kishte siguruar fondet e nevojshme për të ndërtuar pjesën prej 15 km rrugë të pandërtuar të seksionit rrugor Podgoricë - Plavë. Zëvendësministri Manjani theksoi rëndësinë e zhvillimit të partneriteteve publike e private, të cilat do të ndihmonin jo vetëm në zhvillimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës në vend, por edhe në arritjen e objektivave të përcaktuara në Samitin e Berlinit.

Si pjesëmarrës në diskutim dhe njohës i mirë i marrëdhënieve mes dy vendeve Namik Kopliku zgjeroi më tej temën e bisedimeve duke propozuar edhe masa të tjera në drejtim të nxitjes dhe zhvillimit të bashkëpunimit rajonal si përshembull krijimi i një kooperative të përbashkët peshkimi, hartimi i projekteve të përbashkëta për ta bërë të lundrueshëm lumin Buna, zhvillimin artizanal apo dhe hapjen e një pike tjetër kufitare në fshatin Zogaj.

Në përfundim të takimit pjesëmarrësit konkluduan se harmonizimi i legjislacionit mes dyvendeve sjell të nevojshme shtrirjen e takimeve në nivel qeveritar dhe gjithashtu u ra dakord se takimi i ardhshëm i dy Komisioneve, për vitin 2015, të mbahet në Mal të Zi.