T'ardhshin t'mirat ka t'mos
e mendosh.../Nga Alma Nikolli

T'ardhshin t'mirat ka t'mos<br />e mendosh.../Nga Alma Nikolli
Po ecja në rrugë përtueshëm, sikur sa halle i ka bota ishin kapur përdore dhe vareshin mbi bluzën time e cila peshonte mbi shpinë.

Diellin që paturpësisht depërtonte xhamin e syzeve të mia të rrumbullakëta si ai, po e merrja shumë personalisht...dhe mjerë stilolapsi që kisha në dorë, po urdhërohej të vizatonte ikse(x) nëpër gishta krejt kot.

Më duhet të shkoja diku. Ndala dy të moshuar, në fakt të ndalur ishin, vetëm sa u ndërpreva muhabetin, me një ndjesë të sinqertë pa dyshim, se kushedi a do mbanin mend ta rinisnin prapë. Unë harroj celularin në dorë ndonjëherë dhe nuk di se ku e kam lënë.

Ma thanë ç'i pyeta. Por pa ikur gruaja më tha: "Më fal, kë do votosh?"

Çfarë t'i thosha, s'doja ta zhgënjeja, kishte nevojë të votoja kë donte ajo. Mbështetur në një çadër shiu të mbyllur që e përdorte si patericë filloi të flasë për ç'kishte dëshirë, mirë që e teorizova çështjen, fola për ideologji. Unë e majta!

Zotëria fisnik, ish-shok pune me zonjën që edhe për pak s'do ia them emrin, miratonte me kokë çfarë ne shprehnim. Ndoshta për mirësjellje, oh sa bukur.

Ai na përshëndeti dhe iku. Edhe unë duhet ta bëja, po më prisnin, por do më kuptonin.

Aty në një skaj të trotuarit, në këmbë, dëgjoja dhe më shkëlqenin sytë.

"Moj bijë unë kam qenë ekonomiste, babai më vdiq kur isha e vogël, nënën ma la vetëm të re. 15 vjeç isha, më i madhi fëmijë. U kujdesa për vëllezër e motra, studiova dhe punova me nder. Kurrë s'u korruptova edhe kur isha anëtare gjykate, siç bëjnë sot. Shoh Parlamentin, më vjen turp mua në shtëpi.

Nëna më vdiq e re, tani jam vetëm. Fëmijë nipër e mbesa i kam jashtë, burri më ka vdekur. Vetëm rri"
, tha dhe qante.

Nuk doja të qaja. S'kisha pse, ajo ishte shumë e fortë, e gjallë dhe e hapur, kush isha unë ta dobësoja.

I rraha shpatullat...si e ke emrin e pyeta. U mendua pak..."Leta", tha.

"Nëna Leta, ti je shumë e fortë dhe e mirë", fola ndërkohë që nuk më dolën më shumë fjalë siç po bëj tani.

"Po çfarë punon ti?", më pyeti. I tregova. "Se mos shkruan ndonjë gjë për mua, por të lutem dhe nëse e bën mos ma nxirr emrin, jam 80-vjeçe tani", tha me ëmbëlsi.

Pra nëna Leta ka një emër tjetër, po ajo nuk donte ta dinit.

"Unë jam mirë dhe pensioni 180 mijë lekë më mjafton, sikur ça do bëj me to, ja këtu në lagje dal. Me shpresë te Zoti gjithmonë, edhe në komunizëm me gojën kyçur lutesha, kushedi çfarë na është rezervuar", më tha.

Duhet të ikja, nuk doja. "Nëna, duke të uruar Natën e Kadrit dhe të gjitha të mirat e botës...", më ndërpreu e lumtur.

"Pse sot është Nata e Kadrit? Dola nga shtëpia të hedh lekë në celular të pyesja ndonjë kur është. Po kjo është mrekulli", më tha.

Dhe me sytë plot lot, diell e shpresë më pa, më përqafoi dhe foli me gjithë zemër: "T'ardhshin t'mirat ka t'mos e mendosh. Ik tani se të bëra vonë. Prit, si e kishe emrin?"

"Alma."

"O si mbesa ime, si ajo qenke. Po nga je?"

"Me origjinë nga Mirdita", i thashë.

"Oooooh, këtu afër shtëpisë dikur kalonin gratë mirditore. E kisha porositur nënën të më tregonte kur t'i shihte. Dilja i vështroja në dritare, sa të bukura me rroba të bardha e xhupleta! Gra shumë të ndershme mirditoret. Ne tiransit i duam shumë mirditorët, rrugë të mbarë e me një fat të mirë", më tha e lumtur.

Po fluturoja duke ecur, sa e bukur është jeta mendoja. Sa duan nënat e vendit tonë t'i dëgjojmë. Vetëm kaq, pastaj dinë ato si të të bëjnë me krahë.

❤️

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kthjellime dhe vranësira, si parashikohet moti për sot

Kthjellime dhe vranësira, si parashikohet moti për sot