Të gjashtët, fillesa e pikturës
së re shqiptare

Të gjashtët, fillesa e pikturës<br />së re shqiptare
Sot jemi shumë më të organizuar se një shekull më parë, kur shqiptarët nisën rrugën e përbashkët nën një shtet të vetin. Ky organizim ndjehet për kudo. Fusha e arteve pamore bën pjesë në këtë organizim përmes zhvillimit të vazhdueshëm të studimeve të shkencave albanologjike. Ide, mendime, vlerësime dhe kritika të ndryshme janë hedhur në faqe botimesh dhe librash seriozë. Prej disa kohësh janë përzgjedhur dhe përcaktuar qartë periudhat e zhvillimit të arteve pamore në historinë e artit shqiptar. Historia e tij ka zënë vend në trupin e historisë së përgjithëshme të Shqipërisë. Në faqet e saj shkruhet qartë se arti modern ose arti i ri, i ndryshëm nga ai fetar, ka vetëm rreth 100 vite jetë. Kjo jetëgjatësi e shkurtër dhe e re vjen e tillë prej disa situatave të trashëguara social kulturore të kombit arbëror dhe popullsisë shqiptare. Ato lidhen me pozitën gjeografike, me konfliktet ndërfisnore, me shkëputjen e tokave dhe zvogëlimin e kufijve pa zot, me kombësitë fqinje, me perandoritë e mëdha, me shkeljen dhe përdhosjen e tokës së shqiptarëve prej turmave sa barbare aq dhe prej ushtrive të mirëorganizuara, të cilat instaluan në boshtin e kulturës vendase edhe njësi kulturore të besimeve, dokeve dhe zakoneve të tyre. Kjo çështje është shumë e përbërë, i takon historianëve të përgjithshëm dhe specialistëve të fushave antropologjike të argumentojnë dhe të nxjerrim rrezultate të dobishme mbi kompleksin social-psikologjik të popullsisë sonë. Argumentet në Shqipëri mbi çështje të tilla kërkojnë përshkrime alternative dhe të gjata të fakteve, të cilat po i marr si “të dhëna dhe të ditura” dhe po përqëndrohem te atmosfera e artit të gjysmës së parë të shek. XX dhe te emri i të nderuarit Vangjush Mio. Kjo është një periudhë ende në gjysmë errësirë, por që hulumtimet mbi jetën dhe krijimtarinë e Vangjush Mios do të hedhin pak më shumë dritë dhe do të theksojnë pak më shumë përpjekjet për normalizimin e dijeve tona rreth artit të zhvilluar në këtë hark kohor. Shqipëria feudale në fund të shek. XIX ishte një njësi territoriale nën sundimin osman. Ajo kishte një popullsi të shpërndarë në sanxhaqe, të cilat kishin në krye të tyre pashallarë e komandantë osman dhe shqiptarë. Popullsia ishte më e përqëndruar dhe në numër më të madh në zonat rurale, pasi jeta e varfër social-ekonomike ishte e lidhur me tokën dhe produktet e saj. Familja e kishte më të garantuar zhvillimin e vet në këto zona. Qytetet e mirëfillta dhe zgjerimi e organizimi i tyre urban filloi të ndjehej në kapërxyell të shek. XX, kur, në to, u shfaqën administratorët, zanatçinjtë dhe punëtorët e parë, të cilët punonin në dyqane, në punishte të vogla, në administrimin e çështjeve të qytetit, të kulteve fetare dhe të shërbimeve në mbrojtje të rendit. Në këtë periudhë jeta në qytetet kryesorë në jug, në qendër dhe në veri filloj të merrte një hov të konsiderueshëm. Gjithësesi, ende jeta në qytete ishte një kompleks marrëdhëniesh feudale dhe nuk kishte dallim shumë të madh nga jeta në zonat fshatare dhe malore. Popullsia e gjerë i nënshtrohej lëvizjeve të detyruara ekonomike dhe individë të veçantë i nënshtroheshin lëvizjeve për qëllime pasurimi, aftësimi dhe arsimimi. Shumë shqiptarë iknin dhe vinin në mërgim. Ata lëviznin për një jetë më të mirë në vende të ndryshme të Evropës, por edhe më tutje, në Amerikën e largët. Shumë u shkolluan në këto vende, shumë u kthyen dhe shumë të tjerë mbetën larg. Të shkolluarit e asaj kohe formuan grupet e para intelektuale, prej të cilëve shquhen dhe personalitetet e para në të gjitha fushat e arteve dhe të letrave, në vitet e shek. XX. Në artet pamore kontributet e tyre janë të pakta, por vendimtare për artin e deritanishëm të zhvilluar në Shqipëri. Edhe pse artistët e parë shqiptarë, që lindën në shek. XIX numërohen me gishtat e dorës, përsëri na duhet të pranojmë se ata janë artistët e parë klasik tradicionalë shqiptarë, që sollën erën e ndryshimit në artet figurative. Faktet e deritanishme tregojne se ata bënë hapin e madh të praktikimit për herë të parë të artit laik, që do të thotë se pikturuan për herë të parë njeriun dhe pejzazhin e jetës së përditshme. Kjo lloj krijimtarie, e realizuar në përmasa dhe nivele modeste është e bollshme për të konkretizuar ndryshimin dhe kalimin nga arti fetar i ikonës së kishës, nga arti i miniaturës së xhamive, nga artizanati i përditshëm popullor, te arti laik i mjediseve të jetës së përditshme. Punimet e piktorëve, Kol Idromeno (1860-1939) me veprimtari artistike në Shkodër, piktor i parë tradicional, klasik, figurativo-naiv, autodidakt me drejtim realist; Spiro Xega (1876-1953), nga Korça, piktor tradicional, autodidakt, figurativo-naiv me kah drejt realizmit; Ndoc Martini (1880-1916), nga Shkodra, kryesisht pikturoi afreska në kisha të arbëreshëve të ngulur në Italinë e Jugut, autodidakt, figurativ; Andrea Kushi (1884-1959), piktor i shkolluar në Akademinë e Arteve të Beogradit, zhvilloi jetën krijuese ndërmjet Shkodës dhe Tiranës, tradicional, akademik, një nga pedagogët e parë të Shkollës së Vizatimit (1931); Simon Rrota (1887-1961), piktor i formuar në Akademinë e Arteve në Brera, tradicional, akademik, realist dhe Vangjush Mio (1981 - 1957), piktor i formuar në Shkollën e Arteve të Bukura në Bukuresht dhe në Institutin Superior të Arteve të Bukura në Romë, piktor dhe restaurator profesisonist, realist i qartë me frymën moderne, piktor në “en plain air” me kah drejt impresionizmit, krijuan fondin më të rëndësishëm të arteve pamore në fund të shek. XIX dhe në fillim të atij XX. Të gjashtë piktorët dhe veprat e tyre janë dëshmi trashëgimie e rëndësishme për fillesat e pikturës së re shqiptare. Ky është grupi i parë i artistëve shqiptarë, të cilët lindën gjatë shek. XIX, që thyen të gjitha normat e pikturimit bizantin dhe pasbizantin të kohës së gjatë të Mesjetës. Ata sollën një imazh, ku më naiv, ku me dilentat, ku më realist, ku më populist e amator, ku më të qartë e më profesionist, që ishte i kundërt nga imazhi i deriatëhershëm i një pikture fetare ose pikture ikonash, afreskesh, epitafesh apo ilustrime kodikësh dhe arabeska të destinuar për ekspozim dhe përdorim në mjediset kishtare dhe muslimane. Krijimtaria e tyre ishte linja paralele e artit laik, që shijonte prej kohësh njerëzimi. “Të gjashtët” është një emërtim apo cilësim i ri, i cili mbase do arrij të mbijetojë dhe simbolizojë atmosferën krijuese, të portretizojë dhe justifikojë më fuqishëm rëndësinë e përpjekjeve të tyre. Është vullneti im për t`i vlerësuar; për t`i kujtuar si një grup edhe pse nuk funksionoi si një i tillë; për t`i trajtuar dhe për tu kujdesur si rrënjë të një arti të liberalizuar në formë dhe të demokratizuar në përmbajtje dhe tema, në mjedisin shqiptar të dhjetëvjeçarëve të parë të shek. XX. Në një kuptimin të qartë, këta artistë e bënë artin figurativ më të afërt me njeriun, me jetën dhe mjedisin e tij. Njeriu i jetës së përditshme, i tregut, i familjes, i besimit, i administratës ushtarake dhe laike, mjedisi i brendshëm familjar dhe shtëpijak dhe natyra mëmë me pamjet e saj u bënë tema, subjekte dhe objekte të tabllove të artistëve të parë shqiptar. (Një foto e panjohur e Mios me piktorin Simon Rrota, botohet po për herë të parë)
Marre nga suplementi "Rilindasi"
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Shpejtësi, alkool e celular në timon, rreth 9 mijë gjoba për një javë në Tiranë! Rrugorja bën ‘blinacin’

Shpejtësi, alkool e celular në timon, rreth 9 mijë gjoba për një javë në Tiranë! Rrugorja bën ‘blinacin’