Të gjithë vartësit ngrihen
kundër dekanit Sokol Shupo

Të gjithë vartësit ngrihen<br />kundër dekanit Sokol Shupo
TIRANE- Akuzat për dekanin e Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Arteve po vijojnë të shpërndahen nga autorët e një peticioni me dhjetëra faqe. Autorët e peticionit janë Petrika Afezolli, Roland Xhoxhi, Pëllumb Vorbsi, Nora Çashku, Edmond Buharaja, Marin Gjollma. “Shfrytëzimi pa skrupuj i çdo rrethane, përfitimi i paligjshëm i pasurisë, sidomos i asaj shpirtërore të tjetrit, grabitja e pamëshirshme e çdo vlere, ngutja për t’u shfaqur si i “pari” janë disa nga tiparet e këtij fenomeni me të cilin Shqipëria e sotme duhet t’i bëjë mirë llogaritë. Një ndër këta individë tipikë është edhe Sokol Shupo, dekan i Fakultetit të Muzikës (FM) pranë Universitetit të Arteve Tiranë me titullin Profesor”.

Kështu shkruhet në deklaratat nga forumi i këtij peticioni që e ka shpërndarë për mediat. Këta artistë kanë shkruar se dekani Shupo është ngritur në detyrë duke qenë i paaftë. Akuzat shtrihen duke përbaltur të gjithë karrierën e specialistit të muzikës Sokol Shupo që nis që nga vitet ’90.

Dekani Shupo ndihet i revoltuar nga këto peticione dhe i telefonuar nga “Shqiptarja.com”, thotë se nuk do që të jap përgjigje menjëherë, duke u shprehur se akuzat kanë si pikënisje “prekjen e interesave personale të Nora Çashkut”. Duke e quajtur një “tip fletërrufeje” si të kohës së komunizmit, dekani Shupo akuzon pedagogen Nora Çashku si iniciatore të këtij peticioni, por nuk jep më shumë sqarime. Shupo shprehet për gazetën se do të dërgojë përgjigje të plotë për të gjitha akuzat që kanë ngritur nesër. Ndërkohë, dje autorët e këtij peticioni kanë dërguar sërish për mediat edhe pjesën e dytë të akuzave, duke e zgjatur pafundësisht listën e deklaratave për shkelje në të gjitha drejtimet.
sokol shupo
(Foto/ Dekani Sokol Shupo)
 
Konflikti: Dekani Shupo, MASH-i, rektori dhe vartësit e Universitetit të Arteve
Përveç akuzave se nga “dhjetëra autorë, botues dhe përkthyes-Shupo ka “prodhuar” edhe përkthime të përkthimeve-të, cilët janë grabitur pa asnjë skrupull nga Dekani i FM-së”, janë shtuar të tjera, si “Mashtrime me akte publike”. Autorët nën përgjegjësinë e firmave të tyre shkruajnë se “Edhe brenda FM-së, Sokol Shupo, në funksionin e Dekanit ka ushtruar, jo vetëm veprimtaritë e mësipërme, por edhe ka intensifikuar falsifikimet me akte publike, paligjshmëri të ngjashme në disa tipologji”, ku ndër to përfshijnë konkursin për vendet e punës, i cili është diskutuar kohë më parë në media dhe u anullua më pas nga rektori Petrit Malaj.

6 pedagogët e muzikës kujtojnë shtatorin e  2011-s, ku Sokol Shupo u pezullua si dekan, sipas tyre “për raste flagrante dhe shkelje të rëndat të ligjit (Nr. 9741) “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe ndërkohë nuk mungojnë mes të tjerash të përmendin edhe se “Pedagogë të ndryshëm kanë denoncuar edhe me shkrime të protokolluara falsifikime në aktet publike.

Mashtrimi ka arritur deri aty sa dekani Sokol Shupo ka transformuar rrënjësisht edhe dokumentet e Përgjegjësve të Departamentit, ndërkohë që detyra e tij kufizohet vetëm në transmetimin rigoroz të tyre në instancën e Rektorit”, shkruajnë autorët e peticionit. Gjithashtu ata e akuzojnë dekanin Shupo edhe për manipulimin e konkurseve për vende pune, duke kujtuar se “Kriteret e këtij konkursi u denoncuan në shtyp dhe në mediat televizive si të ndërtuara ad personam, gjë që shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Rektorit të UART-it për pezullimin e konkursit në fjalë”.

Peticioni është ngarkuar me akuza tepër të rënda, por nëse 6 pedagogët që i shkruajnë nuk druhen nga përballja me ligjin, i mbetet dekanit Shupo të përballet nëse janë të vërteta të gjitha këto shkelje, ku siç shkruhet në fletët e këtij peticioni: në Universitetin e Arteve Shupos i janë dhënë disa herë paralajmërime për shkelje në etikën e punës dhe i jepet masa “Vërejtje me paralajmërim për largim nga puna’ e kjo me motivacionin “për fyerje dhe kërcënime” ndaj Rektorit, por edhe se Titulli i “Profesorit” është fituar me vepra të grabitura”. Dekani Shupo ka premtuar se do të jap versionin e tij, ndërkohë që gazeta do të investigojë më tej të vërtetën e këtij konflikti ku siç duket shtrihet mes dekanit, MASH-it, rektorit dhe vartësve në Universitetin e Arteve.   

Shkrimi u publikua sot (21.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Euro e mbyll korrikun me vlerën më të ulët historike, këmbehet me 100 lekë

Euro e mbyll korrikun me vlerën më të ulët historike, këmbehet me 100 lekë