TIRANË - Përçarja e PDIU-së tashmë duket se është e pakthyeshme. Deputeti Dashamir Tahiri ka sulmuar sërish, kësaj radhe edhe më ashpër, kreun e partisë së çamëve, Shpëtim Idrizi, duke thënë se ai nuk është kryetar legjitim i kësaj partie.
"Debati brenda parties sjell gjithmonë zhvillim, ne kërkojmë që të ketë gjithmonë transparencë, çdo gjë të flitet në tavolinë, të shikojmë njëritjetrin në sy dhe të mos bëhen gjërat sipas dëshirës. Unë zotin Idrizi do ta njoh për kryetar partie kur ta zgjedhë kongresi", ka thënë Tahiri. Më i ashpër ky i fundit ka qenë me kryetarin e nderit të kësaj partie, Tahiri Muhedini, president nderi I PDIU.
"Presidenti i nderit e ka shitur partinë dhe nuk do të merret më me politikë, por do t'i thosha që lekët që ka marrë nga shitja e partisë do të bënte mirë të blinte pronat e çamëve, se ashtu ka deklaruar një vit më parë", tha Dashamir Tahiri.

KARRIKET
Përfshirja e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet në kabinetin qeveritar e ka çuar në 37 numrin e zëvendës ministrave të qeverisë "Berisha".
Ndonëse në vitin 2005 kur erdhi në pushtet, Berisha premtoi se do të qeverisë "në dietë" dhe nuk do të bëjë gabimin e socialistëve për të abuzuar me portofole ministrash, në realitet, Berisha ka krijuar vetëm 15 ministri por ka çuar në 37 numrin e zv/ministrave.
Gjithçka është bërë me qëllim kënaqjen e aleatëve me karrige
sa për të ruajtur aleancat zgjedhore. Një proces i tillë ka sjellë çudira ndërsa Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve tanimë ka katër zv.ministra përveç ministrit. Në këtë formë shqiptarët paguajnë nga një zv/minister përkatësisht për turizmin, kulturën, rininë dhe sportet.

(aq/shqiptarja.com)