Të lodhësh të lodhurit

Të lodhësh të lodhurit
Rastisi që vizita në Shqipëri e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Catherine Ashton, të përkonte me sulmin bastardues që iu bë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve në Parlament nga pakica qeverisëse.

Ogur më të keq për Shqipërinë dy muaj para zgjedhjeve parlamentare nuk mund të kishte, veçanërisht duke marrë parasysh që qysh në Mars është lajmëruar nga Komisioni Europian se nuk do të dilte një raport progresi për Shqipërinë, dhe që gjatë vizitës në Mal të Zi në të njëjtën ditë, Ashton u shpreh se fqinjët tanë veri-perëndimor kanë kryer “progres domethënës” dhe se BE-ja beson se progresi i tyre shpejt do të përkthehet në aderim pranë Unionit.

Katrahura politike që parapriu vizitën e Ashton u shenjua gjithashtu nga një deklaratë tepër e ashpër dhe disi e pazakontë e ambasadorit amerikan, i cili duke kundërshtuar me vendosmëri sulmin ndaj KQZ-së u shpreh se “Shqipëria nuk do duhet të ecë në një kurs përplasjeje me SHBA-të”.

Uzurpimi i organit përgjegjës për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, si dhe tërë paudhësitë që kanë ndodhur në Shqipërinë e Saliut janë trajtuar me qëndrime goxha të ndryshme nga ‘amerikanët’ dhe ‘europianët’, dhe pozicionimi e përqasja e partnerëve ndërkombëtarë duhet parë e lexuar me kujdes nga ne shqiptarët.

Kjo pasi diferenca në retorikën e partnerëve tanë strategjikë na tregon edhe tendencën që ata vetë kanë dhe do të kenë ndaj Shqipërisë, si dhe prospektet që vendi ynë ka dhe do të ketë përkarshi tyre. Ose e thënë më shkoqur, nëse Shqipëria do të bëjë hapa përpara apo pas në të ardhmen afatshkurtër e afatmesme!

Irritimi i vendosur i amerikanëve (zyrtarisht nga Arvizu e Jonathan Moore, apo jozyrtarisht nga deklaratat e ish-ambasadorit Ëithers) është në kontrast të fortë me gjuhën tejet ambige dhe mosinteresimin e hapur të europianëve përkashi Shqipërisë këto kohët e fundit.

Largimi i vazhdueshëm i qeverisë shqiptare nga radari i interesit të Bashkimit Europian mund të lexohet qoftë edhe tek detajet e vogla në marrëdhëniet zyrtare mes dy entiteteve, si për shembull faktin që si Füle ashtu dhe Ashton nuk kanë preferuar të dalin në konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin apo Ministren e Integrimit në vizitat e fundit në Shqipëri, apo edhe në retorikën tejet të vagët që përshkruan Shqipërinë krahasimisht me vendet e tjera të rajonit.

Ofertat që BE pati për Kroacinë (e cila do t’i bashkohet Unionit në 1 Korrik 2013) dhe Malin e Zi (që ka hapur negociatat në 2012-ën e që është i vetmi vend me një perspektivë të afërt aderimi) duket se do të jenë të fundit në rajon për të ardhmen e afërt (8-10 vitet në vijim), teksa ne na është thënë se ndonëse BE është e përkushtuar në perspektivën europiane të vendit “progresi është në dorën e shqiptarëve”.

Vetëm një i verbër nuk do dinte të lexonte mes rreshtave të diplomacisë europiane nivelin e pamatë të lodhjes dhe humbjes së durimit që burokratët e Brukselit kanë përkarshi qeverisë shqiptare, e gjithë kjo teksa vetë BE-ja ndodhet në një amulli politiko-ekonomiko-financiare, dhe e ashtuquajtura ‘cfilitje e procesit të zgjerimit’ është në nivelet e saja më të larta.

Europianët (në nivel qeveritar por edhe popullor) janë përherë e më skeptikë e të frikësuar për të pranuar në gjirin e tyre vende me destabilitet të theksuar politiko-ekonomik si Shqipëria (kur tanimë edhe aderimi i Bullgarisë e Rumanisë konsiderohen si të parakohshëm e të gabuar), dhe marrëzitë e kastës në pushtet po e forcojnë gjithmonë e më tepër këtë tendencë.

Unioni nuk na e ka nevojën as ekonomikisht e as demografikisht, për këtë duhet të jemi të ndërgjegjshëm, e ndërsa rajoni përqark nesh ka përparim të dukshëm dhe po fokusohet më shumë tek progresi ekonomik e social, edhe vlera jonë e vetme si faktor stabilizues duket se po zvenitet, veçanërisht duke marrë parasysh përçartjet nacionaliste të Kryeministrit, përplasjet me Greqinë e Serbinë, apo flirtimet e vazhdueshme me “partnerë strategjikë” si Azerbajxhani, Kina e Irani.

Në këto 8 vite keqeverisje Berisha ja ka dalë mbanë jo vetëm të shkatërrojë ekonominë, të mbysë vendin të borxhe, të rrisë papunësinë e shumë e shumë thagma të tjera, por edhe të lodhë pafundësisht Brukselin, që me sa duket i ka hequr shpresat se Shqipëria mund të ecë përpara nën udhëheqjen e një kriptodiktatori që ndryshe flet e ndryshe vepron, e që nuk e njeh konceptin e humbjes, paçka se është thelbësor për funksionimin e demokracisë.

Fatkeqësisht për ne, europianët lodhjen e tyre e shfaqin me tërheqje dhe mosinteresim, sjellje që Berisha dhe shpura e tij i përkthejnë si inkurajim për të vazhduar të pandalur në misionin e tyre për të uzurpuar e mbajtur pushtet. Ndërkaq, partnerët tanë përtej oqeanit akoma nuk janë dorëzuar (ndonëse edhe ata janë lodhur), por do ishte jorealiste që të prisnim që zgjidhja për problemet e Shqipërisë të vinte e të imponohej ‘deus ex machina’ nga Amerika!

E vetmja alternativë që na mbetet brenda limiteve të demokracisë është ajo e votës plebishitare kundër një kaste e cila, pasi ka izoluar vetveten përkashi ndërkombëtarëve, nuk e ka aspak problem të izolojë edhe vendin, në emër të interesave të ngushta të pushtetarëve miopë.

Shqiptarëve nuk u lejohet që edhe kësaj rradhe të luajnë lojën e apatisë e mospjesëmarrjes me shpresën se gjërat “do ndryshojnë vetë” apo “do ndërhyjë amerikani”! Përkufizimi i çmendurisë është të bësh gjithmonë të njëjtën gjë duke pritur rezultate të ndryshme; ne rezultatet i dimë, dhe sot më shumë se kurrë nuk kemi luksin që të çmendemi nga e para!

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë